Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjala e hapjes e Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në konferencën ndërkombëtare mbi "Transparencën e Pronësisë Përfituese"

Tiranë, Shqipëri, 30/10/2018 - 15:42, UNIQUE ID: 181030_14
Speeches of the Ambassador

Së pari, do të doja të falënderoja Këshillin e Evropës për organizimin e kësaj veprimtarie nën kujdesin e Instrumentit Horizontal, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian.

BE-ja është e angazhuar në mënyrë aktive në nivel ndërkombëtar - G7, G20 dhe në Grupin e Punës së Veprimit Financiar - për të shtuar masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

BE-ja pati një reagim shumë të fortë ndaj këtyre kërcënimeve me miratimin e Direktivës së Katërt mbi Luftën kundër Pastrimit të Parave / Kundërveprimin ndaj Financimit të Terrorizmit, si dhe me Rregulloren e Transferimit të Fondeve, në maj të vitit 2015. Ky legjislacion kishte për qëllim zbatimin e rekomandimeve të rishikuara të Grupit të Punës së Veprimit Financiar (që nga viti 2012) dhe siguron futjen e regjistrave qendrorë mbi informacionin e pronësisë përfituese në të gjitha Shtetet Anëtare.

Një Direktivë e Pestë u miratua në maj të këtij viti. Ndryshimet trajtojnë mjetet e reja të financimit të terrorizmit (p.sh., monedhat virtuale, kartat e parapaguara) dhe rrisin edhe më tej transparencën e pronësisë përfituese për të luftuar pastrimin e parave.

Në përputhje me legjislacionin e ri, Komisioni Evropian do të identifikojë gjithashtu vendet e treta me rrezik të lartë, të cilat paraqesin mangësi strategjike në regjimet e tyre të luftës kundër pastrimit të parave dhe kundërveprimit ndaj financimit të terrorizmit.

Komisioni tani po kryen një vlerësim më autonom të vendeve të treta, i cili do të plotësojë renditjen në bazë të listave të Grupit të Punës të Veprimtarisë Financiare. Lista pritet deri në fund të vitit 2018.

Për më tepër, Komisioni e ka forcuar mbështetjen e tij ndaj vendeve të treta në përmbushjen e kërkesave ligjore të Rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe rekomandimeve të Grupit të Punës të Veprimit Financiar për luftën kundër pastrimit të parave / kundërveprimit ndaj financimit të terrorizmit.

Projektet e asistencës së BE-së janë në vazhdim në shumicën e vendeve që ju po përfaqësoni këtu sot. BE-ja tashmë po siguron mbështetje për autoritetet, në veçanti përmes trajnimeve për policinë dhe prokuroritë.

Duke iu drejtuar të gjithë partnerëve nga vendet e zgjerimit që ndodhen këtu sot, ju e dini shumë mirë se forcimi i luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave është një përparësi kyçe për BE-në në marrëdhëniet e saj me vendet tuaja. Ka pasur një referencë të qartë për këtë prioritet në Strategjinë e Ballkanit Perëndimor të miratuar nga Komisioni shkurtin e kaluar. Është theksuar gjithashtu qartë nga krerët e shteteve në Samitin e Sofjes të mbajtur në maj.

Ndërtimi i një historiku më të fortë hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh përfundimtare për këto krime është një kusht kyç që ju të bëni përparim vendimtar në udhën tuaj përkatëse të anëtarësimit në BE.

Kjo është arsyeja pse BE-ja po ju bën thirrje që të bëni përpjekje të veçanta për të arritur një afrim të hershëm të legjislacionit tuaj me legjislacionin e BE-së, pavarësisht se ku ndodheni në rrugët tuaja të anëtarësimit në BE.

Duke u kthyer tashmë më konkretisht nga Shqipëria, raporti i fundit nga Moneyval në mënyrë të qartë e nxit Shqipërinë të zbatojë me shpejtësi të gjitha rekomandimet e Grupit të Punës së Veprimit Financiar, pasi që janë vërejtur një numër mangësish strategjike.

Më lejoni të mirëpres miratimin e një Plani Veprimi nga qeveria shqiptare në shtator, i cili synon të koordinojë zbatimin e plotë të rekomandimeve nga Moneyval, me afate të qarta për secilin shërbim të përfshirë.

Të gjithë aktorët duhet t'i përmbahen në mënyrë të rreptë këtij Plani Veprimi dhe të përmbushin afatet e përcaktuara. Shqipëria tani duhet të arrijë rezultate për të shmangur një “listim gri" nga Grupi i Punës i Veprimit Financiar në fillim të vitit 2020.

Ju uroj shkëmbime të frytshme gjatë këtyre dy ditëve. Është thelbësore që ekspertët dhe politikëbërësit të mblidhen së bashku për të shkëmbyer përvojën dhe për të ndarë praktikat më të mira për këtë çështje të vështirë të pronësisë përfituese. Jam shumë i lumtur që Instrumenti Horizontal, i financuar nga BE-ja dhe Këshilli i Evropës, po e bën këtë të ndodhë.  

Languages:
Seksionet editoriale: