Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit Soreca në ceremoninë e mbylljes së Shkollës së Integrimit Evropian 2018

Tiranë, Shqipëri, 26/10/2018 - 13:58, UNIQUE ID: 181026_9
Speeches of the Ambassador

Të nderuar anëtarë të Parlamentit,

Të dashur pjesëmarrës dhe miq,

Jam shumë i lumtur të bëj një nga ndërhyrjet e mia të para në Shqipëri në Këshillin Kombëtar për Integrimin Europian, dhe në një moment kaq të rëndësishëm për vendin.

Parlamenti Evropian sapo ka miratuar një rezolutë shumë pozitive mbi Shqipërinë, pas njohjes së qartë të progresit të qëndrueshëm të vendit nga Këshilli.

Udha drejt hapjes së negociatave për anëtarësim vitin e ardhshëm është përcaktuar qartë. Pak javë më parë, në Bruksel, Komisioni prezantoi procesin teknik për t'u përgatitur për negociatat e ardhshme.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se vendimi për të hapur bisedimet e anëtarësimit në qershor 2019 nuk mund të merret si i mirëqenë. Shqipëria tani duhet të qëndrojë e fokusuar te prioritetet kyçe, duke konsoliduar reformat dhe duke dhënë rezultate konkrete, siç theksohet nga Shtetet Anëtare në Konkluzionet e Këshillit të qershorit të kaluar.

Për të gjitha reformat kyçe, nuk mund ta mbitheksoj rëndësinë e dialogut ndërpartiak dhe natyrës institucionale të një dialogu të tillë, i cili duhet të ndodhë në mjedisin e vet natyror, këtu në Parlament.

Në Parlamentin Evropian ekziston një marrëveshje e fortë dhe e qëndrueshme ndërpartiake mbi Shqipërinë. Ky duhet të jetë një model për bashkëpunimin dypalësh për integrimin evropian edhe në Tiranë.

Në një vit kaq kritik për të ardhmen e Shqipërisë, të gjithë ne duhet të investojmë për ndërtimin e konsensusit politik dhe të punojmë me angazhim drejt integrimit në BE. Ky synim kombëtar është mbi interesat partiake, është në të mirë të qytetarëve shqiptarë.

Gjithkush në rajon dhe në BE, por unë do të guxoja të thosha në mbarë botën, e ka lavdëruar Shqipërinë për kryerjen e reformës së saj gjyqësore. Reforma është në vazhdim. Kohezioni i të gjitha palëve është tani vendimtar për të konsoliduar zbatimin e saj.

Reforma zgjedhore është një tjetër fushë ku Këshilli ka theksuar nevojën për rezultate. Ne presim që të gjitha palët të angazhohen në mënyrë gjithëpërfshirëse për të adresuar rekomandimet e pazgjidhura të OSBE / ODIHR-it. Tashmë është bërë një punë e shkëlqyer dhe konstruktive në Komisionin Parlamentar Ad-Hoc. Ne presim që këto përpjekje të finalizohen sa më parë me amendamente të ligjit zgjedhor.

Nisja e fazës shpjeguese të procesit të shqyrtimit në Bruksel shënoi një tjetër moment historik në rrugën drejt BE-së. Ajo hapi një fazë të re, e cila do të kërkojë kapacitete më të forta teknike nga administrata dhe angazhim më të madh brenda shoqërisë shqiptare.

Suksesi në këtë proces nuk mund të arrihet pa përpjekje kolektive. Asnjë vend nuk ka luksin të humbasë talentin dhe potencialin. Përfaqësuesit e zgjedhur, nëpunësit publikë, gazetarët apo shoqëria civile, të gjithë do të luajnë rol. Këshilli Kombëtar, me diversitetin e anëtarëve të tij dhe me ndërtimin e kapaciteteve që e ka mbështetur gjatë viteve, do të luajë një rol të rëndësishëm.

Shkolla e Integrimit Evropian e Këshillit Kombëtar, në veçanti, ka qenë një iniciativë e madhe për të forcuar ekspertizën dhe për të ndërtuar rrjete që lidhen me BE-në. Duke ardhur nga administrata publike në nivel qendror dhe vendor, nga OJQ-të, bota akademike, mediet dhe komuniteti i biznesit - ju jeni njëkohësisht pjesë vendimtare e rrugëtimit drejt integrimit në BE.

Bashkimi Evropian është krenar që ka qenë partneri juaj që nga edicioni i parë tre vjet më parë. Ne inkurajojmë qeverinë, parlamentin dhe të gjitha administratat që t’i shndërrojnë këto përpjekje në investime afatgjata institucionale dhe t'i shohin pjesëmarrësit si burimin kyç për punën shumë të vështirë që fillon tani.

Detyra kolektive që na pret është sfiduese, por ndoshta një nga më emocionueset që do të hasni në karrierën tuaj. Puna e vështirë në procesin e anëtarësimit do të ketë nevojë për angazhimin e njerëzve si ju dhe BE-ja do të mbështetet në bashkëpunimin tuaj. Prandaj, unë shpresoj që shkolla gjatë javës së kaluar ju ka sfiduar dhe frymëzuar njëkohësisht për atë që do të vijë.

Reformat afatgjata dhe nganjëherë të vështira që sjell procesi i anëtarësimit në BE nuk kanë të bëjnë me politikat ditore apo me mekanizmat teknike. Ato janë për të mirën afatgjatë të popullit shqiptar. Nuk ka dyshim, për ne dhe për ju, se shqiptarët meritojnë të njëjtat mbrojtje, mundësi dhe cilësi të jetës si bashkëqytetarët e tyre brenda BE-së.

Mbështetem te të gjithë ju për të qenë pjesë e këtij ndryshimi historik.

Languages:
Seksionet editoriale: