Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Forumi Ministror për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme BE – Ballkani Perëndimor

4-5 tetor 2018, Tiranë, Shqipëri, 05/10/2018 - 16:41, UNIQUE ID: 181005_7
Joint Press Releases

DEKLARATË E PËRBASHKËT PËR SHTYP

 

Ministrat e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të Austrisë, që përfaqëson Presidencën e Këshillit të BE-së, së bashku me Komisionin Evropian, i përfaqësuar nga Komisionerja Evropiane për Drejtësinë, Konsumatorët dhe Barazinë Gjinore, si dhe nga Komisioneri Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, u takuan më 4-5 tetor 2018 me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor në Forumin Ministror vjetor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme BE-Ballkani Perëndimor. Në takim morën gjithashtu pjesë përfaqësues të partnerëve të trios së Presidencës, Estonia dhe Bullgaria, si dhe të Presidencës së ardhshme rumune.

Ministrat theksuan rëndësinë kyçe të respektimit të shtetit ligjor, drejtësisë dhe të drejtave themelore në marrëdhëniet e BE-së me rajonin. Ata theksuan nevojën për bashkëpunim praktik për drejtësinë dhe punët e brendshme. Ministrat e Drejtësisë diskutuan mbi temat e forcimit të shtetit ligjor dhe sistemeve efektive të drejtësisë, si dhe u përqendruan në promovimin e standardeve kyçe për gjyqësorin dhe në përcaktimin e treguesve për të matur progresin e reformave të drejtësisë. Në përputhje me Deklaratën e Sofjes të 17 majit 2018, ministrat e partnerëve të Ballkanit Perëndimor ripohuan angazhimin e tyre për të përforcuar përpjekjet për reforma dhe për të arritur progres të prekshëm në fushën e shtetit ligjor.

Lidhur me temën e punëve të brendshme ministrat diskutuan tema të fokusuara te: migracioni dhe menaxhimi i kufijve, kundër-terrorizmi dhe radikalizimi, si dhe lufta e përbashkët kundër kontrabandës së migrantëve dhe krimit të organizuar.

 

Seanca për drejtësinë

Duke theksuar se sistemet efektive të drejtësisë shërbejnë si bazë për shoqëritë paqësore dhe demokratike, duke mbështetur rritjen ekonomike, ministrat ia kushtuan të dyja seancat e punës për Drejtësinë temës së përgjithshme të promovimit të shtetit ligjor dhe sistemeve efektive të drejtësisë, thelbësore si për procesin e zgjerimit të BE-së, ashtu dhe për Procesin e Stabilizim dhe Asociimit, si dhe sjelljes së përfitimeve të drejtpërdrejta për qytetarët.

 

Promovimi i standardeve për gjyqësorin

Ministrat ranë dakord se duhet të përmbushen standardet thelbësore për gjyqësorin – pra, pavarësia, efikasiteti dhe cilësia e drejtësisë - për të garantuar shtetin ligjor, për të ofruar shërbime të drejtësisë me cilësi të lartë për qytetarët, si dhe për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE.

Për këtë qëllim, një pasqyrë e këtyre standardeve - e cila duhet të shërbejë si bazë për përgatitjen e paketave të ardhshme të zgjerimit - duhet përgatitur së bashku me Këshillin e Evropës.

Ministrat gjithashtu përshëndetën përpjekjet për reforma që synojnë nxitjen e efikasitetit dhe cilësisë së sistemeve të drejtësisë, duke nënvizuar se duhet bërë më shumë për zbatimin efektiv të reformave gjyqësore. Ministrat ranë dakord se përmirësimi i qasjes në drejtësi, sigurimi i burimeve të mjaftueshme për gjyqësorin, si dhe disponueshmëria e mjeteve të vlerësimit dhe mundësitë për trajnim për gjyqtarët janë thelbësore.

Komisioni rikonfirmoi gatishmërinë e tij për të mbështetur proceset në vazhdim të reformës së drejtësisë në rajon përmes mbështetjes politike, këshillave të ekspertëve dhe ndihmës financiare nga Instrumenti për Para Anëtarësim.

 

Treguesit për matjen e progresit të reformave të drejtësisë

Në përputhje me Agjendën Prioritare të Deklaratës së Sofjes, ministrat riafirmuan se për të përmirësuar cilësinë dhe për të maksimizuar ndikimin e reformave, puna për matjen më të mirë të rezultateve në reformën e drejtësisë duhet të marrë përparësi.

Ministrat i bënë thirrje Komisionit të punojë me CEPEJ për të identifikuar një numër treguesish kyç, si buxheti i caktuar për një sistem gjyqësor (në veçanti gjykatat dhe prokuroritë), të dhënat mbi raportin e çështjeve të zgjidhura me ato të regjistruara, ngarkesën e çështjeve dhe kohën e kërkuar për zgjidhjen e rasteve, si dhe të dhënat e rasteve disiplinore dhe atyre të korrupsionit në radhët e gjyqësorit, të cilat mund të japin informacion për statusin dhe performancën e sistemeve gjyqësore, si dhe për progresin e reformave të drejtësisë. Ministrat ranë dakord mbi rëndësinë e sondazheve të drejtësisë si një mjet për të matur perceptimet e "përdoruesve fundorë" të sistemeve të drejtësisë dhe përshëndetën propozimin e Komisionit për të mbështetur zhvillimin e këtyre sondazheve në rajon.

Ministrat pranuan se janë të nevojshme përpjekje të mëtejshme për të krijuar sisteme plotësisht funksionale dhe gjithëpërfshirëse të menaxhimit të rasteve (CMS), të cilat mund ta përmirësojnë efikasitetin dhe transparencën e sistemeve të drejtësisë, si dhe të sigurojnë të dhëna për performancën e një sistemi gjyqësor. Ata ranë dakord t’i japin Komisionit, deri në fund të vitit, një pasqyrë të zbatimit aktual të CMS së bashku me një plan veprimi për hartimin e plotë të këtyre sistemeve.

 

Liria e medias

Ministrat gjithashtu pranuan rëndësinë e lirisë së medias dhe rolin thelbësor që luajnë gazetarët e pavarur në shoqërinë demokratike. Nga ana e BE-së u theksua se vendet kanë përgjegjësinë për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe të ndjekin penalisht në mënyrë efektive autorët e krimeve kundër gazetarëve dhe operatorëve të medieve si çështje me përparësi.

 

Marrëveshja e Bashkëpunimit Eurojust-Shqipëri

Ministrat përshëndetën nënshkrimin zyrtar të Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Eurojust dhe Shqipërisë, duke shënuar një moment të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve të BE-së me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

 

Seanca e punëve të brendshme

 

Bashkëpunimi për migracionin dhe menaxhimin e kufijve

Ministrat ishin të një mendjeje që sigurimi i një menaxhimi efektiv të kufirit dhe lufta kundër kontrabandës së migrantëve mbetën përparësi kryesore si për BE-në ashtu edhe për Ballkanin Perëndimor. Sfidat e migracionit dhe sigurisë kërkojnë vigjilencë më të madhe dhe një partneritet efektiv midis partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe Shteteve Anëtare të BE-së.

Ministrat pranuan rëndësinë vendimtare të bashkëpunimit të partnerëve të Ballkanit Perëndimor me Agjencitë e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme dhe me Shtetet Anëtare të BE-së në luftën kundër kërcënimeve migratore dhe atyre të sigurisë. Ata diskutuan mbi veprimet për të rritur bashkëpunimin midis agjencive të zbatimit të ligjit të Ballkanit Perëndimor me Shtetet Anëtare të BE-së, duke përfshirë edhe me Europolin, për të shkatërruar grupet e krimit të organizuar përgjegjëse për lehtësimin e aktiviteteve të kontrabandës së migrantëve, edhe nëpërmjet Grupit të Punës të Ballkanit Perëndimor të krijuar në qershor 2018.

Ministrat përshëndetën nismat rajonale të hartuara për përmirësimin e shkëmbimit të informacionit dhe të dhënave si në nivelin strategjik ashtu edhe në atë të zbatimit të ligjit. Ministrat pranuan rolin thelbësor të Qendrës Evropiane të Kontrabandës së Migrantëve me Europolin dhe Zyrën e Përbashkët Operative kundër Rrjeteve të Kontrabandës së Migrantëve me qendër në Vjenë, për trajtimin e fenomenit të kontrabandës së migrantëve.

Ministrat diskutuan mbi gjendjen e zbatimit të regjimeve pa viza në Ballkanin Perëndimor. Duke marrë parasysh rastet e aplikimeve të pabazuara për azil, ministrat u zotuan të forcojnë përpjekjet e tyre për trajtimin efektiv të këtij fenomeni dhe të përafrojnë politikat e tyre të vizave me BE-në në mënyrë që të parandalojnë rrezikun e nxitjes së mekanizmit të pezullimit të vizave.

Komisioneri për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Presidenca dhe ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë nënshkruan marrëveshjen status të Agjencisë Evropiane të Rojave Kufitare dhe Bregdetare me Shqipërinë.

 

Siguria – Bashkëpunimi me policinë, lufta kundër terrorizmit/ekstremizmit të dhunshëm, ekstremizmit dhe krimit të organizuar

Ministrat pranuan se terrorizmi dhe radikalizimi vazhdojnë të jenë një sfidë e përbashkët për Bashkimin Evropian dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se bashkëpunimi i ngushtë është thelbësor për parandalimin e radikalizimit dhe terrorizmit. Ministrat pranuan se formatet ekzistuese dhe rrjetet e bashkëpunimit, përfshirë përmes Rrjetit të Ndërgjegjësimit për Radikalizimin, duhet të forcohen më tej.

Ministrat dhe Komisioneri Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, që përfaqëson Bashkimin Evropian, nënshkruan Planin e Përbashkët të Veprimit për Luftën kundër Terrorizmit për Ballkanin Perëndimor. Plani u bën thirrje partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian të ndërmarrin veprime ambicioze për të arritur objektivat e tyre kundër terrorizmit.

Ministrat diskutuan për faktin se ata ballafaqoheshin me sfida të ngjashme në përgjigjen ndaj kërcënimit të sigurisë të krijuar nga ekstremizmi i dhunshëm dhe ranë dakord të punojnë së bashku për të trajtuar shkaqet e tij kryesore, si dhe për të ndërtuar shoqëri elastike dhe të bashkuara. Më tej ata pranuan dobinë e shkëmbimeve të rregullta me partnerët e Ballkanit Perëndimor për të identifikuar përparësitë dhe për të hartuar veprimeve konkrete të përbashkëta.

Ministrat u angazhuan për krijimin e mekanizmave të kërkuar për forcimin e partneritetit të tyre operativ, duke përfshirë ndërmjet Shteteve Anëtare të BE-së dhe Europolit me qëllim që të trajtojnë në mënyrë efikase dhe efektive luftën kundër terrorizmit dhe radikalizimit, por edhe krimin e organizuar transnacional dhe sigurinë kufitare, përfshirë përmes forcimit të aftësive të tyre për të përpunuar dhe shkëmbyer Informacion në Avancë mbi Pasagjerët dhe të dhënat e Regjistrit të Emrave të Pasagjerëve.

Ata u zotuan të vazhdojnë me veprime të përbashkëta për të shtuar konfiskimet e armëve të zjarrit, municioneve dhe eksplozivëve, për të përmirësuar sigurinë e armëve të zjarrit dhe kapaciteteve të magazinimit të municioneve, si dhe për eliminimin periodik të armëve dhe municioneve të tepërta, veçanërisht ato të konfiskuara nga aktivitetet ilegale. Ministrat gjithashtu përshëndetën ndihmën e BE-së në ofrimin e trajnimeve mbi armët e zjarrit për oficerët e zbatimit të ligjit.

Ministrat gjithashtu përshëndetën siglimin e marrëveshjeve të punës për bashkëpunimin ndërmjet Qendrës Evropiane të Monitorimit për Drogat dhe Varësinë nga Drogat dhe Shqipërisë.

Ministrat ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin për të gjitha çështjet e diskutuara në Forumin Ministror për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, si dhe për të pasur shkëmbime të mëtejshme në takimin e tyre të ardhshëm.  

Languages:
Seksionet editoriale: