Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Ballkani Perëndimor dhe Turqia bien dakord të thellojnë reformat ekonomike dhe sociale

25/05/2018 - 14:39
News stories

Në Dialogun Ekonomik dhe Financiar vjetor me BE-në të mbajtur sot, Ballkani Perëndimor dhe Turqia ranë dakord të thellojnë reformat ekonomike dhe sociale në mënyrë që të përmirësojnë ekonominë dhe të nxisin konkurrencën dhe zhvillimin gjithëpërfshirës.

Bruksel, 25 maj 2018: Sot Ballkani Perëndimor dhe Turqia miratuan bashkërisht konkluzione me udhëzues politik të bazuara në Programet e Reformave Ekonomike të vendeve. Qëllimi i dialogut është që t’i ndihmojë vendet në fjalë të përmirësojnë stabilitetin e tyre makroekonomik, menaxhimin e financave publike dhe të nxisin konkurrencën dhe zhvillimin afatgjatë në rajon.

"Programet e Reformave Ekonomike dhe dialogu i sotëm i nivelit të lartë janë këtu për t’i ndihmuar vendet tona partnere që të nxisin reforma më ambicioze. Ndërkohë që progresi i arritur është i mirëpritur, nevojiten më shumë përpjekje për të përmirësuar kornizat fiskale dhe financat publike, për të thelluar stabilitetin makroekonomik dhe për të mbështetur zhvendosjen drejt shpenzimeve publike më miqësore ndaj zhvillimit”, tha Valdis Dombrovskis, Zëvendës President i Komisionit Evropian për Euron dhe Dialogun Social.

"Sot të shtatë partnerët u angazhuan për t’i thelluar reformat ekonomike dhe sociale me synimin e përgjithshëm të nxitjes së konkurrencës dhe zhvillimit. Tani fokusi duhet të jetë te zbatimi i vrullshëm i këtyre reformave në mënyrë që njerëzit në rajon të mund të shohin rezultate të prekshme: vende pune më të shumta dhe më të mira dhe më shumë zhvillim gjithëpërfshirës", tha Johannes Hahn, Komisioner për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit.

Udhëzuesi i politikave i miratuar bashkërisht bazohet në Programet e Reformave Ekonomike (ERP), të cilat autoritetet i përgatisin çdo vit dhe ia dorëzojnë Komisionit Evropian; e ngjashme me atë çka bëjnë vendet anëtare të BE-së në Semestrin Evropian. ERP-të luajnë një rol kyç në përmirësimin e planifikimit të politikave ekonomike dhe drejtimin e reformave për të nxitur konkurrencën dhe për të përmirësuar kushtet për zhvillim gjithëpërfshirës,si dhe për krijimin e vendeve të punës. Këto reforma strukturore shtrihen që nga rritja e cilësisë së arsimit dhe kapërcimi i hendekut të aftësive që kontribuon në nivelet shumë të larta të papunësisë deri te përmirësimi i mjedisit të biznesit dhe klimës së investimeve duke luftuar korrupsionin dhe ekonominë gri, duke shkurtuar burokracinë dhe duke forcuar gjyqësorin.

Ushtrimi ka për qëllim t’i mbështesë partnerët e zgjerimit të BE-së që të përmbushin gradualisht kriteret ekonomike për anëtarësim në BE dhe në këtë mënyrë të sigurojnë ekonomi më konkurruese, më të begata dhe gjithëpërfshirëse që plotësojnë nevojat e qytetarëve.

 

Languages: