Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Projekt: Shtrirja e ViP DinaricA në Rajonin e bashkëpunimit ndërkufitar (CBC) Shqipëri – Kosovë

Tropojë, Albania, 24/05/2018 - 16:06, UNIQUE ID: 180524_12
Press releases

Më 24 maj 2018, në orën 12:30 u lançua zyrtarisht Projekti "Shtrirja e ViP DinaricA në Rajonin CBC Shqipëri-Kosovë", Kontrata e Grantit Nr. 2018/395-022. Vlera e përgjithshme e projektit "Shtrirja e ViP DinaricA në Rajonin CBC Shqipëri - Kosovë" arrin në 444,684.38 Euro, nga kjo shumë 377,981.73 Euro janë financuar nga Bashkimi Evropian, që është 85% e vlerës së përgjithshme të projektit në Rajonin CBC Shqipëri - Kosovë. Zbatimi i projektit ka filluar më 15 mars 2018 dhe do të zgjasë 24 muaj. Projekti zbatohet nga Fondi për Zhvillimin e Komunitetit (CDF) nga Kosova në njërën anë të kufirit në partneritet me Fondin Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) nga Shqipëria në anën tjetër të kufirit.

Zbatimi i projektit do të kontribuojë për shtimin e aktiviteteve ekonomike ndërkufitare (CB) përmes modeleve unike të turizmit të qëndrueshëm bazuar në vlera natyrore, tradicionale dhe kulturore, duke nxjerrë gjithashtu në pah karakteristikat e përbashkëta të rajonit. Më konkretisht, projekti do të ndërtojë dy (2) shtigje të reja ecjeje dhe biçikletash në distanca të gjata që do të lidhin Kosovën, Bjeshkët e Nëmuna, Bashkitë e Gjakovës, Deçanit, Junikut dhe Pejës dhe Shqipërinë, Bashkitë e Qarkut të Kukësit, Qarkut të Lezhës.

Zhvillimi i këtyre shtigjeve do të kontribuonte për pasurimin e ofertës turistike që lidh komunitetet malore dhe aktorët e turizmit në rajonin e synuar për valorizimin e pasurisë unike natyrore dhe trashëgimisë kulturore-historike. Për më tepër, projekti do të rriste aftësinë tërheqëse të zonës për vizitorët përmes ndërhyrjeve në shkallë të vogël, si dhe promovimin efektiv dhe marketingun e destinacionit. Përveç këtyre, projekti është një vazhdim i koncepteve të mëparshme të Rrugës Dinarike (Via Dinarica) dhe shtegut “Majat e Ballkanit” që ndërlidhin Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën dhe Shqipërinë përmes më shumë se 1000 km shtigje të pandërprera në distanca të gjata.

Projekti do të ketë një numër aktivitetesh që përfshijnë: përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës së turizmit në shkallë të vogël, zhvillimin e ofertave turistike brenda ViP DinaricA; hartëzimin dhe ndjekjen GPS të rrugëve në rajonin ndërkufitar (CB), programin e qasjes në tregun e përbashkët, ngritjen e kapaciteteve të klubeve alpiniste shqiptare e kosovare, si dhe promovimin, rritjen e vetëdijes dhe marketingun e destinacionit. Zbatimi i projektit gjithashtu do të rrisë ndërgjegjësimin mbi përfitimet ekonomike, mjedisore dhe sociale të shtigjeve të distancave të gjata, do të rrisë aftësitë tërheqëse dhe konkurrencën e ofertës turistike në zonën ndërkufitare të projektit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. 

Languages:
Seksionet editoriale: