Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalim nga Ambasadorja e Delacionit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin: Përmes urtësisë së pashtershme. Kremtimi i Evropës në Shqipëri: Unicum dhe Diversitet

Tirana, Albania, 04/05/2018 - 19:35, UNIQUE ID: 180504_15
Speeches of the Ambassador

Prezantimi i dorëshkrimeve dhe botimeve më të vjetra dhe më të rralla që kanë të bëjnë me traditat e ndryshme shpirtërore dhe filozofike në Shqipëri (shekujt 6-19) nga Arkivat Qendrore të Shtetit .

Jam gjithnjë mirënjohëse për çaste si këto, që na kujtojnë shumë qartë se kush jemi ne si evropianë dhe cilat janë vlerat e vërteta evropiane.

Dhe është inkurajuese që na kujtohet bashkimi ynë në një vend që ka mbijetuar dhe i ka rezistuar vështirësive të tilla si ato të Shqipërisë dhe ka arritur të ruajë, mbrojë dhe kremtojë thelbin e identitetit të saj evropian.

Ekspozimi i sotëm i dorëshkrimeve të rralla është një tjetër dëshmi e harmonisë historike të ekzistencës së bashkësive të ndryshme fetare dhe të shkollave filozofike të mendimeve në këtë vend. Ai konfirmon, nëse ka pasur ndonjëherë nevojë për konfirmim, se sa shumë ndajnë shqiptarët me familjen evropiane në rrënjët tona të përbashkëta.

Unë nuk e përdor fjalën bashkekzistencë mes komuniteteve fetare, sepse do të sugjeronte që të jetonim pranë njëri-tjetrit dhe jo me njëri-tjetrin - dhe për këtë arsye nuk do të reflektonte realitetin e këtij thesari shqiptar.

Kjo harmoni dhe ky respekt për njëri-tjetrin duhet të shërbejnë gjithashtu për t’i treguar drejtimin e duhur atyre që janë zgjedhur për të përfaqësuar popullin dhe për të provuar se integrimi evropian si një qëllim kombëtar nuk duhet të vuajë nga asnjë ndarje midis shqiptarëve.

Më lejoni ta përdor këtë moment dhe të falënderoj të gjithë liderët e komuniteteve fetare në Shqipëri për deklaratën e tyre përgëzuese dhe mbështetëse pasi Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe po citoj:

"Ne e shfrytëzojmë këtë mundësi për t’i bërë thirrje me forcë ndërgjegjes së të gjithëve, veçanërisht atyre në politikë në përgjithësi dhe në qeverisje në veçanti, që të vazhdojmë të punojmë pa pushim për të përmbushur standardet e nevojshme për t'u bërë pjesë e Bashkimit Evropian".

"Ne shqiptarët jemi pjesë e Evropës dhe pa dyshim që pa njëri-tjetrin ne nuk jemi të plotë, ne pa Evropën dhe Evropa pa ne. Ne jemi të bashkuar nga një histori që është shumë më e gjatë se ajo e këtyre dekadave të fundit. Është një histori që shkon me mijëra vite pas dhe janë rrënjët tona të përbashkëta kulturore dhe shoqërore që na lidhin së bashku".

Fakti që kjo ekspozitë zhvillohet në vilën e një ish-diktatori, i cili bëri aq shumë për të fshirë historinë dhe vlerat shpirtërore të vendit, është një provë e gjallë që në fund, e mira gjithmonë triumfon. Sot kjo vilë është vetëm një kuti e zbrazët, por shumë shërim pret ende të ndodhë.

Teksa po nisim të festojmë Javën e Evropës me temën e trashëgimisë kulturore - dhe rrjedhimisht shpirtërore - të Shqipërisë, nuk shoh ngjarje më të përshtatshme për të riafirmuar se fati evropian i këtij vendi është i rrënjosur në të kaluarën e tij, në traditën  e tij, por më e rëndësishme se gjithçka, në vlerat e tij.

Languages:
Seksionet editoriale: