BE-ja mbështet zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe integrimin në BE
Bashkimi Europian ka ndarë 61.2 milionë Euro në mbështetje të zhvillimit ekonomik vendor dhe integrimit në BE në kuadrin e Programit të Veprimit për Shqipërinë 2017, të kundërnënshkruar nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditimir Bushati në fund të marsit.
Bashkimi Evropian do të sigurojë 40 milionë Euro për të nxitur zhvillimin ekonomik vendor dhe për të mbështetur turizmin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm. Ky program do të krijojë dhe testojë një model të zhvillimit ekonomik vendor të udhëhequr nga turizmi në territore pilot si Berat, Fier, Korçë, Shkodër. Ai do të rrisë gjithashtu atraktivitetin kulturor të Shqipërisë dhe do të ngrejë cilësinë e ofertave turistike, infrastrukturës dhe shërbimeve. 6.6 milionë Euro të tjera do të vihen në dispozicion për të përmirësuar ekosistemin inovativ dhe për të mbështetur krijimin e kompanive fillestare.
Përveç kësaj, Programi për Integrimin Evropian do të ndajë 14.6 milionë Euro për të ndihmuar Shqipërinë, institucionet e saj, shoqërinë civile dhe qytetarët drejt anëtarësimit në BE. Programi:
- do të synojë harmonizimin me legjislacionin e BE-së,
- do të sigurojë skemën e bursave për stafin e administratës shtetërore,
- do të mbështesë strukturat e barazisë gjinore dhe organizatat e shoqërisë civile,
- do të rrisë pavarësinë e transmetuesit publik dhe cilësinë e shkollës publike të gazetarisë,
- do të forcojë cilësinë e gazetarisë, pluralizmit të medias dhe do të nxisë lirinë e shprehjes; dhe
- do të sigurojë mbështetje për menaxhimin e ndihmës së BE-së.
Gjeni më shumë informacion këtu: