Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Zhvillohet në Tiranë takimi vjetor BE / Shqipëri për asistencën financiare të BE-së

10/03/2018 - 00:00
News stories

Sot Komiteti i Monitorimit IPA u takua në Tiranë për të diskutuar mbi progresin në zbatimin e financimeve të BE-së për Shqipërinë. Takimi u bashkëkryesua nga Shkëlqesia e Tij Z. Ditmir Bushati, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, dhe Znj. Michela Matuella, Shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Europian.

Diskutimet u fokusuan në programimin e financimeve të ardhshme dhe në efektivitetin e përgjithshëm, në cilësinë dhe koordinimin e zbatimit të programeve në vazhdim.

Autoritetet shqiptare kanë dhënë një përditësim të plotë mbi progresin në sektorët e ndryshëm.

BE-ja, që është donatori më i madh për Shqipërinë, ka rikonfirmuar përkushtimin e saj për ta mbështetur Shqipërinë në zbatimin e reformave, duke u përqendruar te qeverisja, drejtësia dhe shteti ligjor, ndërlidhja, konkurrenca dhe zhvillimi socio-ekonomik. BE-ja nënvizoi nevojën për të siguruar monitorimin dhe koordinimin e reformave, konsistencën mes strategjive dhe ndarjet e buxhetit, si dhe koordinimin e ngushtë me gjithë komunitetin e donatorëve në vend. Rëndësia e programeve rajonale të BE-së u theksua gjithashtu në funksion të gjashtë nismave më të rëndësishme të Komunikimit më të fundit të Komisionit për Ballkanin Perëndimor.

Përfaqësues të Shteteve Anëtare të BE-së dhe të shoqërisë civile, si dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile morën pjesë si vëzhgues.

Languages: