Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

PARAQITJE E GJETJEVE PARAPRAKE NGA MONITORIMI I ASPEKTEVE LIGJORE DHE PRAKTIKËS GJYQËSORE TË MARTESAVE TË TË MITURVE NË 7 GJYKATA RRETHI TË VENDIT

Tirana, 28/02/2018 - 15:13, UNIQUE ID: 180228_13
Speeches of the Ambassador

Tiranë, 27 shkurt 2018

FJALA E HAPJES,  AMBASADORE ROMANA VLAHUTIN

 

E dashur Ministre, i dashur Zëvendës Ministër,

Kolegë nga Kanadaja dhe Australia,

Profesoresha Mandro, Observatori,

Dëshiroj t'ju falënderoj për kohën dhe përpjekjet që e keni kushtuar këtij studimi dhe që na dhatë mundësinë të ngremë çështjen e fenomenit shumë të trishtuar të martesës së fëmijëve.

Ka një sërë faktorësh që kontribuojnë në këtë fenomen të trishtuar, siç janë varfëria, izolimi gjeografik dhe mungesa e vlerës shoqërore që i jepet arsimimit të vajzave.

Të dhënat e disponueshme sugjerojnë se është më e zakonshme mes grupeve etnike Rome, dhe gjithashtu veçanërisht të prekura janë komunitetet që jetojnë në zona rurale shumë të izoluara dhe të varfra.

Studimi merr në shqyrtim çështjet nga 7 gjykata rrethesh, përgjatë periudhës 2011-2017 dhe shumica e kërkesave vijnë nga zonat rurale, 48 nga 68.

Sipas Kodit shqiptar të Familjes, mosha minimale ligjore për martesë është 18 vjeç, por sipas të njëjtit ligj një gjykatë mund ta miratojë martesën në moshë më të hershme, nga 14 deri 18 vjeç për "arsye të rëndësishme".

Kjo, për fat të keq, krijon një hapsirë ligjore që e lejon të vazhdojë këtë fenomen. 56 nga 68 kërkesa janë miratuar. 6 nga këto vajza ishin nën 16 vjeç.

Ekziston edhe një dispozitë tjetër ligjore që duhet përdorur dhe hulumtuar shumë më tepër dhe kjo është në interesin më të mirë të fëmijës.

Duke qenë fëmijë, bashkëshortet fëmijë janë ligjërisht të paafta për të dhënë pëlqimin e plotë, që do të thotë se martesat e fëmijëve duhen konsideruar si shkelje e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të fëmijës.

Martesa e hershme i privon vajzat nga arsimimi, shëndeti dhe perspektivat afatgjata. Bashkëshortet fëmijë janë të cenueshme nga dhuna në familje dhe abuzimi seksual në kuadrin e marrëdhënieve që janë të pabarabarta.

Shëndeti i tyre gjithashtu vuan, sepse trupat e tyre nuk janë të gatshëm për lindur fëmijë dhe shpesh ka komplikime gjatë shtatzënisë dhe lindjes.

Ky është një rreth vicioz dhe vajzat e prekura nga martesa e hershme ngecin në një spirale varfërie, shfrytëzimi dhe margjinalizimi.

Ndaj ka ende shumë punë për të bërë, kryesisht për parandalimin dhe zbutjen e arsyeve që çojnë në martesën e fëmijëve.

Institucionet dhe shoqëria duhet të bëjnë më shumë për të siguruar që ka ndërgjegjësim për pasojat e martesës së hershme. Ne duhet të shkojmë nëpër komunitetet ku kjo ndodh dhe t’ua shpjegojmë.

Ekziston gjithashtu nevoja për të punuar drejtpërdrejt me situatat e fëmijëve.

Ne duhet të gjejmë mënyra për t’i stimuluar familjet që t'i mbajnë vajzat në shkollë.

Martesa e hershme nuk i zgjidh problemet ekonomike, ndërsa arsimimi i mirë dhe puna, po.

Në gjykata, elementi thelbësor që duhet vlerësuar dhe reflektuar kur jepet vendimi, duhet të jetë interesi më i mirë i fëmijës, jo ato "arsyet e rëndësishme".

Është inkurajuese të shohim sot këtu bashkëpunim midis shoqërisë civile, ekspertëve nga bota akademike dhe institucioneve qeveritare.

Pikërisht kështu duhet t’i bashkojmë forcat dhe të luftojmë diçka që po i dëmton fëmijët tanë dhe shoqërinë tonë, dhe që i përket kohërave të shkuara.

 

Languages:
Seksionet editoriale: