Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjala e Ambasadores së BE-së Romana Vlahutin në Forumin e 9-të të Zhvillimit të Medias

Tirana, 12/12/2017 - 17:00, UNIQUE ID: 171212_18
Speeches of the Ambassador

I dashur Ambasador Borschardt, të nderuar pjesëmarrës dhe të dashur miq,

Pikërisht një muaj më parë, u mblodhëm për të njëjtat tema në Konferencën e Ditës së Medias të Komisionit Europian. Konferenca nisi një diskutim shumë të rëndësishëm mbi lirinë e shprehjes dhe gjendjen e medieve në Ballkan dhe kjo është një mundësi e madhe për të vazhduar në kontekstin specifik të Shqipërisë.

Konkluzionet e nxjerra nga Komisioneri Hahn ishin shumë të qarta. Roli i medias nuk është një çështje anësore në procesin e zgjerimit të BE-së; ai qëndron në zemër të saj. Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis ndryshimit në shoqëri dhe ndryshimit të rolit shoqëror të medias. Transformimi i medias ka nevojë për mbështetjen tonë të plotë, po aq sa dhe media duhet të mbështesë tranzicionin demokratik dhe qeverisjen e mirë.

Prioriteti i parë që duhet të trajtohet - dhe do të thosha që për fat të keq ende duhet të trajtohet janë kushtet e punës të gazetarëve, si:

  • Respektim i dobët i Kodit të Etikës dhe Kodit të Punës,
  • Vonesat në dhënien e pagave,
  • Mospagesa e sigurimeve shoqërore,
  • Dhe gazetarët që punojnë pa kontrata ose me kontrata që mund të ndërpriten në mënyrë arbitrare.

Këto kushte punësimi dhe pune, të përkeqësuara nga presioni i tregut, janë të papranueshme dhe në rastet më të këqija krijojnë një situatë ku pavarësia dhe etika vijnë pothuajse si luks.

Ata që marrin nismën për të ngritur zërin për pagat dhe kontratat shpesh përballen me trysni dhe reagime të ashpra. Situata aktuale ku gazetarët nuk i mbrojnë dhe nuk i avancojnë kolektivisht të drejtat e tyre nuk është e kënaqshme. Vetërregullimi nga shoqatat e gazetarëve duhet të forcohet dhe BE-ja do ta mbështesë këtë punë në vitin 2018.

Autoritetet shqiptare duhet gjithashtu të forcojnë zbatimin e qasjes në informacion, veçanërisht në lidhje me kontratat e prokurimit, rezultatet e auditimeve, gjithçka që lidhet me financimin publik.

Ne gjithashtu duhet të pranojmë se është arritur një progres i caktuar që nga Forumi i fundit për Zhvillimin e Medieve të OSBE-së një vit më parë. AMA ende mbetet për t’u bërë një rregullator i pavarur dhe i fortë, por Plani i ri Strategjik i Veprimit dhe struktura e re organizative janë shenja drejt drejtimit të duhur.

RTSH-ja, që ju do ta diskutoni sot, ka miratuar gjithashtu një statut, strukturë dhe parime të reja redaktuese kundër ndërhyrjes politike. Raporti i ODIHR-it mbi zgjedhjet e qershorit theksoi qasjen e balancuar të RTSH-së në raportimin e fushatës. Këto janë zhvillime të vogla, por pozitive, ku BE-ja kishte bërë rekomandime të forta. OSBE-ja është angazhuar plotësisht në këtë drejtim dhe BE-ja gjithashtu do ta mbështesë financiarisht këtë punë në vitin 2018.

Megjithatë, nuk varet gjithçka vetëm nga gazetarët dhe kuadri ligjor. Institucioni i medias mban përgjegjësi për integritetin dhe profesionalizmin e gazetarisë shqiptare. Pronësia private e medias në asnjë mënyrë nuk duhet të jetë arsye për të parandaluar llogaridhënien e tyre. Media nuk është një biznes si çdo biznes tjetër dhe në demokraci të shëndetshme duhet të vijë me standarde dhe detyra ndaj shoqërisë në tërësi. Liria e shprehjes nuk duhet të ngatërrohet me mungesën totale të rregullave. Për të mbështetur këtë parim, pavarësia e autoriteteve rregullatore është thelbësore.

Transparenca e pronësisë dhe financimit të medias është kyçe për të përmirësuar lirinë e shprehjes në vend. Sqarim se kush zotëron çfarë është një prioritet - veçanërisht me sfidat e reja, si shumëfishimi i portaleve në internet, lajmet e rreme dhe ndikimi i palëve të treta.

Nga ana jonë, në vitin 2018 dhe për dy vitet e ardhshme, Delegacioni i BE-së do të paraqesë një program mbështetjeje për gazetari të pavarur investigative. Përmes granteve, ne do të ofrojmë mundësinë për t’i ndihmuar gazetarët të krijojnë një kulturë më të fortë të produksioneve të pavarura dhe të bazuara në fakte.

Duhen vetëm disa gazetarë që përpiqen për pavarësi dhe hetime për të bërë një ndryshim të madh dhe ka disa shembuj të shkëlqyer këtu në Shqipëri.

Muajin e kaluar, në një artikull mbi situatën mediatike në Ballkan, një nga gazetarët më të mirë në rajon theksoi se "ato që vuajnë janë mediet me të vërtetë profesionale që janë të gatshme t’i ruajnë standardet etike të gazetarisë". Mbështetja e BE-së ka për qëllim pikërisht që të sigurojë një hapësirë q​ë këta gazetarë të lulëzojnë.

Ne kemi një interes të përbashkët: një shoqëri që është e mirëinformuar nga mediet që janë të lira dhe të përgjegjshme.

Citimi i famshëm i Daniel Patrick Moynihan-it është më shumë se kurrë i vërtetë: "Gjithkush ka të drejtën për mendimin e vet, por nuk ka të drejtën për faktet e veta".

Është me rëndësi shumë të madhe që të mbështetet liria e shprehjes dhe dialogu kritik në një shoqëri në mënyrë që qytetarët të marrin vendime të informuara dhe të jenë pjesë e një procesi demokratik vendimmarrës. Detyra jonë është të punojmë për këtë qëllim.

Faleminderit për partneritetin tuaj.

Languages:
Seksionet editoriale: