Delegation of the European Union to Albania

Fjala e Ambasadores s BE-së Romana Vlahutin në prezantimin e planit të veprimit kundër luftës së krimit të organizuar – operacioni "Fuqia e ligjit"

Tirana, 07/11/2017 - 12:17, UNIQUE ID: 171107_4
Speeches of the Ambassador

Gjatë tre viteve të fundit mendoj se e kemi përdorur frazën “shtet ligjor” më shumë se gjithçka tjetër. Për shumë arsye, përfshirë përparësitë e Bashkimit Evropian, por më e rëndësishmja është që shqiptarëve u kishte ardhur në majë të hundës. U kishin ardhur në majë të hundës dekada arrogance të grupeve të interesit të korruptuara dhe të kriminalizuara që besojnë se Shqipëria ekziston për t’i bërë ata të pasur dhe se ata nuk i detyrohen për asgjë shtetit dhe popullit që i quajnë të vetët.

I dashur Ministër, të dashur Zëvendës Ministra, të dashur kolegë,

Të dashur oficerë të forcave policore shqiptare,

Gjatë tre viteve të fundit mendoj se e kemi përdorur frazën “shtet ligjor” më shumë se gjithçka tjetër. Për shumë arsye, përfshirë përparësitë e Bashkimit Evropian, por më e rëndësishmja është që shqiptarëve u kishte ardhur në majë të hundës. U kishin ardhur në majë të hundës dekada arrogance të grupeve të interesit të korruptuara dhe të kriminalizuara që besojnë se Shqipëria ekziston për t’i bërë ata të pasur dhe se ata nuk i detyrohen për asgjë shtetit dhe popullit që i quajnë të vetët.

Një mik shumë i mirë shqiptar më ka thënë se si vëllai i gjyshit nga babai, që kishte studiuar fizikë në Francë dhe ishte studiues  i madh, thoshte: “Bir, në të kaluarën njerëzit i shisnin shtëpitë për atdheun, tani shesin atdheun për shtëpinë e tyre”.

Por këta janë të paktët që nuk kanë turp, moral dhe respekt për vendin që u dha atyre jetë. Shumica dërrmuese e shqiptarëve sot, me po atë qartësi si gati tri dekada më parë, kanë të njëjtin synim: ta jetojnë jetën me dinjitet dhe siguri, si popujt e tjerë në Evropë.

Kemi kaluar tre vjet mjaft të vështirë për të bërë të mundur që një reformë e thellë e drejtësisë të shtrojë udhën për institucionet e reja që do të njohin vetëm një pushtet dhe vetëm një sundues – ligjin që është i barabartë për të gjithë. Jo të paprekshëm, jo nga ata që e blejnë drejtësinë apo abuzojnë me të me një telefonatë.

Tani duhet të lëvizni në mënyrë po aq të vendosur drejt betejës tjetër, asaj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Krimi i organizuar ekziston në shumë vende dhe nuk i bëhet vonë për pothuaj asgjë: për jetët njerëzore, kufijtë, komunitetin. Por në shumicën e vendeve ai ndeshet me një reagim të fortë dhe të ashpër nga ligjzbatuesit dhe gjyqësori.

Kjo është ajo që bën dallimin – aftësia e institucioneve për t’iu përgjigjur sulmit, për të marrë kontrollin dhe për të ndëshkuar.

Nuk duhen shumë mend apo ndonjë guxim i veçantë për të qenë kriminel. Një personi thjesht duhet t’i mungojnë vlerat morale bazë dhe të jetë egoist i pamëshirshëm. Nuk besoj për asnjë çast që një njeri i tillë mund të jetë më i fortë dhe më i zgjuar se institucionet funksionuese në një demokraci.

Ky vend nuk meriton të lidhet me individë të tillë. Shqiptarët janë njerëz punëtorë, që e njohin sakrificën. Shqiptarët janë të talentuar dhe të zgjuar. Shqipëria ka shumë burime dhe mund të zhvillohet me shpejtësi.

Krimi, përkundrazi, vjen me një kosto shumë të madhe për shoqërinë, për ekonominë, për vlerat e asaj çka jeni dhe ku besoni.

Jam këtu sepse dua të besoj se operacioni “Fuqia e ligjit” do të jetë vërtet një hap vendimtar drejt një shteti që është shumë më i fortë se çdo lloj krimi. Shpresoj me gjithë zemër se do të vërtetohet që kam të drejtë. Përgëzoj ministrin dhe zëvendësit e tij, si dhe gjithë anëtarët e ndershëm të forcave policore që duan të bëjnë gjënë e duhur. Që duan të vërtetojnë se kanë vullnetin, forcën dhe kapacitetin për të mbrojtur ligjin, rendin dhe sigurinë e gjithë qytetarëve.

Ne të komunitetit ndërkombëtar nuk jemi policë, nuk jemi prokurorë apo gjyqtarë. Ne nuk mund të bëjmë punën tuaj. Por ne jemi aleatët tuaj dhe partnerët tuaj në këtë luftë dhe do të bëjmë sa mundemi për t’ju ndihmuar ta bëni si duhet punën tuaj.

Ne do t’ju ndihmojmë, do t’ju monitorojmë, do të punojmë me ju sa më shumë për të arritur suksesin.

Jo ngase mendojmë se dimë më shumë, por sepse e dimë se kjo është një betejë shumë e vështirë dhe se ju keni nevojë për ndihmë.

Ju duhet të tregoni rezultate konkrete, të prekshme dhe të pakthyeshme.

Institucionet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet Anëtare e kanë ndihmuar Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe kanë investuar në zbatimin e ligjit për dekada. Ka masa të shumta konkrete të ndërmarra nga BE-ja për të ndihmuar, që nga blerja e pajisjeve të nevojshme deri tek asistentët teknikë dhe ekspertët e Pameca-s dhe shumë misioneve që kanë ardhur me njohuri, përvojë dhe vullnetin e mirë për t’i ndarë ato.

Vetëm dhjetë vitet e fundit ka pasur më shumë se 100 milion Euro investime që ende duhet provuar se janë plotësisht të dobishme.

Por paratë nuk mund ta garantojnë atë çka vetëm ju mund ta bëni – të merrni një vendim të prerë për të pasur institucione më të fuqishme se çdo sfidë që mund t’u dalë përpara. Institucione që nuk i përkulen interesave të caktuara të çfarëdo grupi, por i shërbejnë interesave të kombit.

Ju uroj të jeni të vendosur, të jeni të fortë dhe shumë të suksesshëm.

Languages:
Editorial Sections: