Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Thirrje për propozime: TURIZËM MBËSHTETUR TEK TRADITAT, Konkurs Kombëtar Arkitekture - 20 tetor – 15 dhjetor 2017

Tirana, 20/10/2017 - 09:05, UNIQUE ID: 171023_11
Public consultations

Në kuadrin e Programit IPA 2017 “Turizmi për Zhvillimin Ekonomik Vendor” Delegacioni i BE-së shpall konkursin për Projekt Propozime për ndërtesa të reja që mund të përdoren për hoteleri (B&B) me veçori arkitekturore tradicionale nga tri treva në Shqipëri: Shkodër, Fier/Berat dhe Korçë.

 

           

Në kuadrin e Programit IPA 2017 “Turizmi për Zhvillimin Ekonomik Vendor” Delegacioni i BE-së shpall konkursin për Projekt Propozime për ndërtesa të reja që mund të përdoren për hoteleri (B&B)  me veçori arkitekturore tradicionale nga tri treva në Shqipëri: Shkodër, Fier/Berat dhe Korçë.

Objektivi i këtij konkursi është nxitja e ndërtimit të strukturave të reja mikpritëse turistike në Shqipëri përmes zbatimit të zgjidhjeve novatore për planifikimin e turizmit, arkitekturën, peizazhin dhe dizajnimin e brendshëm, duke respektuar veçoritë e shtëpive tradicionale shqiptare.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri fton profesionistë të rinj, studentë apo të diplomuar me njohuri mbi arkitekturën apo fusha të tjera që lidhen me të, të marrin pjesë në këtë konkurs dhe të paraqesin projekt idetë e tyre.

Konteksti  

Arkitektura tradicionale shqiptare është një ndër komponentët e identitetit shqiptar. Delegacioni i BE-së nxit zgjidhje novatore për zbatim në ndërtesat tipike tradicionale të secilës prej tri trevave. Këto projektime duhet të përbëjnë modelin e ndërtesave të reja dhe mundësisht rinovimin e atyre ekzistuese në mënyrë të qëndrueshme dhe të tillë që të mund të ruhet karakteri rajonal.

1. Kriteret përzgjedhës dhe pjesëmarrja në konkurs

Pjesëmarrja është e hapur për profesionistë të rinj, studentë apo të diplomuar me njohuri mbi arkitekturën apo fusha të tjera që lidhen me të. Çdo kandidat mund të paraqesë vetëm një propozim për çdo trevë (deri në tre propozime gjithsej).

Të gjithë kandidatët duhet të jenë 20-35 vjeç.

2. Kërkesat për projekt idenë

 

  • Vendndodhja gjeografike - ndërtesat referencë për çdo trevë duhet të jenë përkatësisht:
    • për trevën e Shkodrës, banesa tradicionale qytetare me tumë (solarium-çardak)
    • për trevën Fier/Berat, shtëpitë e veçanta tradicionale të Beratit ose banesa qytetare me tumë
    • për Korçën banesa tradicionale rurale dykatëshe të gjysmëshekullit të 19-të (tipi i banesave të Dardhës, tipi i banesave të Sinicës).
  • Pjesa e jashtme – zgjidhjet e propozuara arkitekturore për fasadat, çatitë dhe  madhësitë e banesave të reja duhet të jenë në përputhje me arkitekturën e ndërtesave historike të trevave të propozuara.
  • Funksionaliteti - zgjidhjet e propozuara arkitekturore për qëllimet e kësaj thirrjeje dhe pjesa e brendshme e banesave të reja me fjetje dhe mëngjes duhet të respektojnë funksionalitetin tradicional të ndërtesave historike të trevave të propozuara.
  • Struktura- struktura e banesave të propozuara duhet të jetë prej muresh mbajtës prej guri dhe elemente strukturorë vertikalë dhe horizontalë prej druri, në përputhje me sistemin përkatës strukturor të banesave.
  • Materialet – materialet e përdorura duhet të jenë tradicionale: gurët, gëlqerja dhe materialet e drurit duhet të vijnë nga guroret, minierat dhe rezervat vendore origjinale.
  • Mjedisi – projekt ideja duhet të përmbushë kërkesat mjedisore, duhet të jetë miqësore me mjedisin, me theks te kursimi i energjisë.
  • Elementet tipikë dhe historikë të rajonit – projektuesit duhet të marrin parasysh elementët tipikë dhe historikë të arkitekturës tradicionale vendase, sidomos të monumenteve të kulturës së trevave ku janë të vendosura banesat, duke i kushtuar gjithashtu vëmendje përdorimit etnografik të ndërtesave.

 

Informacion i mëtejshëm mbi banesat tradicionale të propozuara për çdo trevë dhe mbi elementët e tyre historikë mund të gjenden në aneksin e shtëpive tradicionale.

 

3. Formati i  kërkuar për propozimet dhe mënyrat e paraqitjes

 

Çdo pjesëmarrës mund të paraqesë vetëm një propozim për çdo trevë në PDF format A3, si në formë elektronike ashtu dhe në kopje të shtypur (1 kopje), që do të përfshijë këto faqe:

  • një analizë të shkurtër historike dhe etnografike, si dhe një studim të gjendjes së ndërtesave tradicionale të trevës së propozuar (në format A4);
  • planimetrinë e objektit;
  • planin e çdo kati me dimensione;
  • planin e çdo kati me mobilim;
  • fasadat;
  • pjesë teknike ku të specifikohen materialet e punimeve të brendshme;
  • detajet e skeleteve dekorativë;
  • detajet e fragmenteve kryesore të madhësive dhe hyrjeve;
  • imazhe 3D;
  • specifikime teknike (format A4) që duhet të përmbajnë: specifikimet dhe materialet e nevojshme arkitekturore, konkluzionet, rekomandimet dhe pritshmëritë e projekt idesë.
  • Maksimumi 4 skica (format A0) ku të paraqitet i gjithë propozimi.

 

Gjuha e përdorur për projekt idenë duhet të jetë shqipja/anglishtja. Aplikantët duhet t’i paraqesin projekt idetë jo më vonë se data 15 dhjetor, në fund të ditës së punës.

Afati: 20 tetor – 15 dhjetor 2017

 

Për të aplikuar dërgoni propozimin tuaj (PDF) në info@euin.al, si dhe kopjen e shtypur tek:

 

EU Info Center

Pallati i Kongreseve

Bulevardi Dëshmoret e Kombit

Tiranë

Për më shumë informacion ose nëse keni ndonjë pyetje, lutemi dërgoni një email në: info@euin.al deri në 10 nëntor 2017, ora 17:00.

4. Çmimet  
Paneli i jurisë do të përzgjedhë dy fitues për çdo vendndodhje, për Çmimin e Parë dhe Çmimin e Dytë. Fituesit do të shpërblehen me 350,000 Lekë për Çmimin e Parë dhe 200,000 Lekë për Çmimin e Dytë. Projekt idetë që nuk do të fitojnë, por që do të gjykohen interesante, do të shfaqen në ekspozitat që do të organizohen në Tiranë, si dhe gjatë aktiviteteve të Delegacionit të BE-së nëpër treva të ndryshme.

Ndërsa këtu gjeni dokumentin e Pyetje-Përgjigjeve

Languages:
Seksionet editoriale: