Delegation of the European Union to Albania

Nënkomisioni BE-Shqipëri për Tregun e Brendshëm dhe Konkurrencën u mbajt në Bruksel

Bruxelles, 17/10/2017 - 18:03, UNIQUE ID: 171020_3
Press releases

Takimi i nëntë i Nënkomisionit për Tregun e Brendshëm dhe Konkurrencën në kuadrin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim mes BE-së dhe Shqipërisë u zhvillua më 17 tetor në Bruksel.

Takimi i nëntë i Nënkomisionit për Tregun e Brendshëm dhe Konkurrencën në kuadrin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim mes BE-së dhe Shqipërisë u zhvillua më 17 tetor në Bruksel. Takimi u drejtua bashkërisht, për BE-në nga zoti Georg Ziegler, Zëvendës Shef i Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit dhe për Shqipërinë nga zonja Kleopatra Maliqi, Zëvendës Ministre, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Komisioni nënvizoi rëndësinë ndërsektorale të çështjeve të diskutuara në atë takim, që janë gjithashtu me rëndësi për Programin e Reformës Ekonomike në Shqipëri dhe për krijimin e një zone ekonomike rajonale në Ballkanin Perëndimor, që u miratua në Samitin e Triestes më 12 korrik 2017.

Në fushën e konkurrencës, BE-ja theksoi nevojën që Autoriteti i Konkurrencës dhe Komisioni i Ndihmës Shtetërore të zhvillojnë një dëshmi më të fuqishme zbatimi. Pavarësia operative e Komisionit të Ndihmës Shtetërore mbetet për t’u demonstruar.   

Shqipëria u nxit të vazhdojë të bëjë progres në zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale, veçanërisht në luftën kundër mallrave të falsifikuara.

BE-ja vuri në dukje se Shqipëria duhet të rrisë përpjekjet për ta afruar legjislacionin e saj me rregullat e BE-së në pjesën më të madhe të sektorëve në fushën e shëndetit publik, ku niveli i përgatitjes është ende në një stad të hershëm.

BE-ja vuri në dukje se Shqipëria po vazhdon të bëjë përpjekje për afrimin e mbikëqyrjes bankare me standardet ndërkombëtare dhe ato të BE-së, si dhe për trajtimin e çështjes së huave me probleme. BE-ja njohu gjithashtu progresin e bërë në sigurimin e pavarësisë së Komisionit për Prokurimet Publike, ndërsa nënvizoi nevojën që Shqipëria të bëjë progres të mëtejshëm për afrimin e legjislacionit të saj me acquis në fushën e prokurimit publik.

BE-ja përshëndeti progresin në liberalizimin e shërbimeve postare. Përpjekje të mëdha nevojiten ende për t’u përgatitur për sistemin e BE-së të njohjes së ndërsjellë të kualifikimeve profesionale. Së fundi, BE-ja përshëndeti zhvillimet në përafrimin me rregullat e BE-së në fushën e ligjit të kompanive, kontabilitetit dhe auditimit.

 

 


 
Languages:
Editorial Sections: