Delegation of the European Union to Albania

Fjalimi i Ambasadores së BE-së Romana Vlahutin në 20-vjetorin e Shkollës së Magjistraturës

TIrana, 02/10/2017 - 11:55, UNIQUE ID: 171002_4
Speeches of the Ambassador

Zonja Ministre, Ministra, Anëtarë të Parlamentit, President Moisiu, i dashur Drejtor, profesorë, magjistratë, kolegë ambasadorë, të dashur studentë,

Është një kënaqësi e vërtetë që ndodhem sot këtu për të festuar 20-vjetorin e Shkollës së Magjistraturës, dy dekada të një epoke të re arsimimi ligjor, krijuar për t’u mësuar brezave të rinj të kapërcejnë dekadat e sundimit të një ideologjie brutale dhe jo të ligjit, si dhe një ide po aq të dëmshme se një gjyqtar mund të bëhet me një kurs gjashtëmujor.

Kjo nuk ka qenë një detyrë e lehtë dhe ka ende shumë sfida. Megjithatë, shkolla ka ofruar mundësi të reja të shkëlqyera për arsimim ligjor. Ajo ka arritur të ngrejë një rrjet rajonal efikas. Dhe ka siguruar trajnim të vazhdueshëm bazuar në modelet më të mira evropiane. E gjithë kjo, shumë shpesh, me staf të kufizuar dhe burime të kufizuara.

Shqipëria është tani në fillim të një sistemi të ri gjyqësor. Në muajt dhe vitet e ardhshme komisioni shqiptar i vetingut do të ketë një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe për kryerjen e rivlerësimit të paanshëm të 800 gjyqtarëve e prokurorëve dhe puna e tyre do të shoqërohet me një vëzhgim nga afër nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë të nivelit të lartë.

Kjo është shumë e rëndësishme për njerëzit në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Do të jenë të shumtë ata që do ta ndjekin nga afër. Dhe këtu dëshiroj të falënderoj personalisht ata gjyqtarë dhe prokurorë modestë dhe punëtorë që ishin të parët që e mbështetën vetingun, duke e kuptuar plotësisht se ai do ta shtojë fuqinë e respektit ndaj gjithë atyre që e bëjnë punën e vet me pavarësi dhe dinjitet.

Nuk mund ta nënvizoj sa duhet sesa vendimtar do të jetë roli i Shkollës së Magjistraturës në mbështetje të zbatimit të reformës së drejtësisë. Ajo do të jetë motori që do të mbështesë gjyqësorin e ri, duke edukuar brezat e rinj që do të marrin në dorë, do të forcojnë dhe do ta çojnë drejtësinë në Shqipëri drejt standardeve më të larta evropiane.

Institucioneve të reja të gjyqësorit, dhe veçanërisht SPAK-ut, do t’u duhet të përballojnë me forcë të plotë sfidat që hasin ende në Shqipëri zbatimi i ligjit dhe shteti ligjor.

Prandaj, dua ta them qartë dhe me zë të lartë, se ne si Bashkim Evropian do t’i japim mbështetjen dhe asistencën tonë të plotë dhe pa ekuivok, sa herë që të jetë nevoja, policisë, Ministrisë së Brendshme, prokurorëve dhe gjyqtarëve, në luftën e tyre kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në kërkim të një Shqipërie të lirë nga ata që duke mos e respektuar ligjin, nuk respektojnë vendin dhe njerëzit e tij.

Shqipëria është bekuar me një tokë e det të bukur, me një popullsi të re e të talentuar, me shumë mundësi që duhen kapur. Përdoreni përvojën e vuajtjeve tuaja të dikurshme dhe mos lejoni askënd, absolutisht askënd, t’ju marrë atë çka është juaja: të drejtën për të jetuar në një shoqëri ku suksesi matet me njohuritë dhe punën tuaj, jo me mizorinë e ndokujt.

Në një demokraci ligjet duhen zbatuar dhe jetët njerëzore e dinjiteti duhen mbrojtur në çdo kohë.

Sot, këtu, dua që të kujtojmë një nënë, një vajzë, një motër, një kolege dhe mike tuajën, gjyqtaren Fildes Hafizi, që humbi jetën në rrethana mjaft tragjike, duke vërtetuar se fatkeqësisht sistemi ende i lë në baltë viktimat e dhunës në familje. Jeta e saj, mes shumë të tjerash, duhet nderuar me përkushtimin dhe punën tuaj të madhe, për të garantuar që tragjedi të tilla të mos ndodhin më.  

Siç e tha gjyqtari Zaganjori: “Të jesh gjyqtar nuk është punë, është mision”.

Nuk ka demokraci të vërtetë pa një sistem drejtësie që mbron të drejtat individuale, që ruan vlerat themelore, që bën të mundur që e vërteta të ekspozohet dhe viktimat të mbrohen.

Ju uroj të gjithëve të keni forcën, vullnetin dhe motivimin për rolin vendimtar që do të luani në këtë ndryshim të madh që do të ndodhë në shoqërinë shqiptare.

Do të ketë shumë sfida, por ju nuk jeni vetëm. Qytetarët tuaj janë me ju, miqtë tuaj ndërkombëtarë janë me ju, Bashkimi Evropian është sigurisht me ju. Jini të fortë, jini të zgjuar dhe të lirë nga çdo ndikim. Ju jeni e ardhmja e këtij vendi dhe unë ju uroj të jeni më të mirët, ta bëni Shqipërinë krenare dhe të na bëni të gjithëve ne krenarë.

Languages:
Editorial Sections: