Delegation of the European Union to Albania

Fjalimi i Ambasadores së BE-së Romana Vlahutin në Shkollën Verore Evropiane

Tirana, 04/09/2017 - 13:13, UNIQUE ID: 170904_11
Speeches of the Ambassador

Integrimi evropian nuk mund të arrihet pa të gjithë vendin, jini bashkë për ndryshimin. Shqipëria nuk e ka luksin ta çojë dëm talentin dhe potencialet. I gjithë vendi duhet të lëvizë së bashku. Përfaqësuesit e zgjedhur, nëpunësit publikë, gazetarët, pjesët zyrtare dhe jozyrtare të shoqërisë civile, të gjithë kanë një rol për të luajtur.

E dashur Kryetare e Këshillit,

I dashur Zëvendëskryetar,

Kolegë dhe miq,

Kjo Shkollë e dytë Verore për Integrimin Evropian po zhvillohet në një kontekst  që duket shumë më optimist sesa kur Shkolla u hap.

Gjatë dy javëve të fundit kanë ardhur shumë mesazhe të mira në drejtim të Shqipërisë. Gjatë samitit jozyrtar të Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në Durrës, javën e kaluar, Komisioneri Hahn riafirmoi se Komisioni Evropian është gati për të marrë në konsideratë hapin tjetër lidhur me integrimin në BE, sapo vetingu të japë rezultatet e tij të para të prekshme dhe të ketë një progres të qartë të të pesë përparësive.

Unë sapo u ktheva nga Brukseli, nga konferenca vjetore e gjithë Ambasadorëve të BE-së, gjatë së cilës Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini e përcaktoi qartë Ballkanin Perëndimor si një ndër prioritetet e pakta kryesore të politikës së jashtme të BE-së

Është  e rëndësishme të dëgjohet edhe një herë se Bashkimi Evropian i është përkushtuar përfundimit të përfshirjes së rajonit në qendër të tij, sapo këto vende të jenë gati.

Por, po aq i rëndësishëm, madje unë do të thosha edhe më i rëndësishëm, është përkushtimi i plotë i Shqipërisë për ta mbaruar procesin e reformave, jo kryesisht sepse kjo do ta çojë vendin drejt Bashkimit Evropian, por sepse reformat do ta sjellin cilësinë e jetës së popullit shqiptar më pranë nivelit evropian.

Ky proces nuk ka të bëjë me deklarata, fjalë dhe dëshira. Ai varet nga vendosmëria për të ndryshuar, për të modernizuar, në mënyrë që të ketë shtet të vërtetë ligjor, siguri sociale dhe përkujdesje për të gjithë në shoqëri, që ekonomia të krijojë mundësi për të gjithë ata që duan të punojnë dhe që njerëzit ta jetojnë jetën në paqe dhe dinjitet.

Ajo çka pashë në Bruksel javën e kaluar është Evropa me vetëbesim të përtërirë dhe e gatshme të përballet me sfidat e ardhshme, qoftë migrimi, Brexit apo realiteti i ri në politikat ndërkombëtare.

Shqipëria gjithashtu ndodhet në një moment shumë të mirë me shumë potenciale. Reforma e drejtësisë, reforma më e vështirë dhe më komplekse ndër të gjitha, tashmë do  të zbatohet më në fund, me vetingun që do të nisë në më pak se dy javë, krijimin e institucioneve të reja, përfshirë Prokurorinë Speciale për korrupsionin dhe krimin e organizuar, shpresojmë në fund të këtij viti. Zgjedhjet parlamentare kanë mbetur pas, qeveria e re së shpejti do të bëjë betimin dhe do të ketë përgjegjësi të qarta për zhvillimet gjatë katër viteve të ardhshme.

Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për hapjen e negociatave. Është e qartë se çfarë duhet të ndodhë kur vjen puna te pesë përparësitë kyçe, por në veçanti te gjithë aspektet e shtetit ligjor, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë shfarosjen e kultivimit dhe tregtisë së kanabisit.

Aktualisht Shqipëria po kalon një periudhë tranzicioni institucional. Ne presim me padurim që të mblidhet Kuvendi i ri dhe të nisë punën me qeverinë e re. Ka ende disa paqartësi mbi ndryshimet që janë bërë lidhur me mekanizmat koordinues për integrimin evropian dhe unë do të zhvilloj takime të shumta gjatë ditëve të ardhshme në mënyrë që të kuptojmë dhe të vendosim se si do të organizohet dhe koordinohet puna për agjendën evropiane. Jam e sigurt se të gjithë ne do të bashkëpunojmë për të siguruar që tranzicioni aktual të ketë jo vetëm vazhdimësi, por edhe të forcojë gjithëpërfshirjen dhe ekspertizën që duhet t’i përshtaten intensitetit të punës në të ardhmen.

Procesi i anëtarësimit dhe qeverisja e mirë në mbështetje të tij do të kërkojnë nivele gjithnjë e më të larta të kapacitetit teknik dhe dialogut brenda shoqërisë.

Për ta përkthyer me gjuhë të thjeshtë: njerëzit duhet të kuptojnë se pse disa reforma janë të nevojshme, si do të kryhen ato, sa do të kushtojnë, por edhe çfarë do të përfitojnë ata prej tyre. Duhet të ketë një ndikim shumë më të madh në jetët e tyre të përditshme kur flasim për gjyqësorin, mjedisin, bujqësinë, sigurinë ushqimore, investimet ekonomike, shërbimet sociale, arsimin, infrastrukturën, financat publike dhe mënyrat se si shpenzohen taksat e qytetarëve.

Që të gjitha këto të arrihen, dy gjëra janë vendimtare:

  1. Vullnet i qartë politik i atyre që qeverisin dhe që janë më së shumti përgjegjës për rezultatet e ardhshme, por edhe i gjithë atyre që janë zgjedhur për të përfaqësuar popullin shqiptar në spektrin politik. Ata janë zgjedhur për t’u shërbyer interesave të popullit dhe për interesin e këtij kombi ata të gjithë duhet të investojnë në një dialog politik mbi përparësitë më të rëndësishme kombëtare.  Politikë e mirë nënkupton konkurrencë idesh, linja më të mira veprimi dhe zgjidhje të shëndosha. Asnjë interes privat apo grupi nuk mund të jetë më i rëndësishëm sesa interesi i vendit tuaj. Unë mendoj se shqiptarët janë mërzitur me grindje dhe sherre të pafundme. Ata duan rezultate. Ata duan të jetojnë si gjithë Evropa.
  2. Gjëja e dytë janë njohuritë. Asnjë ndryshim nuk mund të bëhet nëse nuk kuptoni se cili është problemi dhe si ta trajtoni atë. Ndryshimi i vërtetë nuk mund të vijë me improvizime dhe zgjidhje gjysmake. Ja pse jemi mbledhur këtu: t’ju ndihmojmë të fitoni më shumë njohuri mbi proceset që do të jenë me rëndësi të madhe për të ardhmen e vendit tuaj.

Integrimi evropian nuk mund të arrihet pa të gjithë vendin, jini bashkë për ndryshimin. Shqipëria nuk e ka luksin ta çojë dëm talentin dhe potencialet. I gjithë vendi duhet të lëvizë së bashku. Përfaqësuesit e zgjedhur, nëpunësit publikë, gazetarët, pjesët zyrtare dhe jozyrtare  të shoqërisë civile, të gjithë kanë një rol për të luajtur.

Ja pse Shkolla Verore Evropiane është një instrument i shkëlqyer për forcimin e ekspertizës dhe ndërtimin e rrjeteve që lidhen me BE-në. Ju që jeni sot këtu – që vini nga administrata publike në nivel qendror dhe vendor, nga OJQ-të, bota akademike, media dhe komuniteti i biznesit – jeni të ndryshëm, por pjesë njësoj vendimtare të procesit të integrimit në BE. 

Jam shumë e lumtur që Delegacioni i BE-së po e mbështet Shkollën Verore për një vit të dytë. Dua të falënderoj gjithashtu Këshillin për vendosmërinë e tij për hartimin e një programi të një cilësie shumë të lartë, si dhe që e ktheu këtë shkollë verore në një investim institucional afatgjatë.

Gjatë 5 ditëve të ardhshme do t’ju jepen shumë terma teknikë, por nuk duhet të harroni kurrë se pas "kapitujve të acquis", "përafrimit" dhe “standardeve” qëndron mundësia për ta ndryshuar për më mirë dhe përgjithnjë jetën e shqiptarëve.

Është njëkohësisht shumë komplekse dhe shumë e thjeshtë. Është komplekse sepse nënkupton rishikimin e gjithë sistemit në kuptimin e plotë të fjalës dhe kjo është shumë e vështirë. Është e thjeshtë sepse kjo është zgjedhja që Shqipëria bëri tre dekada më parë dhe ka vetëm një drejtim, ecja përpara. Punë, mësim dhe ndryshim.

Shqipëria ia vlen gjithë energjinë dhe përkushtimin tuaj. Kjo është detyrë e brezit tuaj dhe ne do të bëjmë gjithçka për t’ju ndihmuar.

Ju uroj një javë të shkëlqyer!

Languages:
Խմբագրական բաժիններ: