Delegation of the European Union to Albania

Fjalimi i hapjes i Johannes Hahn në Konferencën e Beogradit “Drejt një klime më të mirë investimesh në Ballkanin Perëndimor”

Bruxelles, 08/06/2017 - 10:00, UNIQUE ID: 170608_4
Remarks

Kontrolloni tekstin pas mbajtjes së fjalimit! Forumi i sotëm sjell së bashku sektorin publik dhe privat, bizneset vendore dhe Investitorë të Huaj Direktë, botën akademike dhe shoqërinë civile, si dhe përfaqësues nga Evropa dhe rajoni. Të gjithë ne ndajmë një synim të përbashkët: nxitjen e zhvillimit të Ballkanit Perëndimor duke eksploruar mundësitë për investime në rajon.

Kontrolloni tekstin pas mbajtjes së fjalimit!

Shkëlqesi, kolegë të shquar, zonja dhe zotërinj, 

Kam kënaqësinë e madhe t’ju mirëpres sot në Beograd në Forumin për Klimën e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor.

Forumi i sotëm sjell së bashku sektorin publik dhe privat, bizneset vendore dhe Investitorë të Huaj Direktë, botën akademike dhe shoqërinë civile, si dhe përfaqësues nga Evropa dhe rajoni. Të gjithë ne ndajmë një synim të përbashkët: nxitjen e zhvillimit të Ballkanit Perëndimor duke eksploruar mundësitë për investime në rajon.

Ky forum vjen në kohën e duhur: mbetet vetëm një muaj nga Samiti i 4-t  vjetor i Ballkanit Perëndimor në Trieste, ku do të promovojmë integrimin e mëtejshëm ekonomik rajonal. Dhe vetëm dy javë më parë, BE-ja dhe Ministrat e  Financave të vendeve të zgjerimit ranë dakord për një numër rekomandimesh konkrete të politikave ekonomike.

Fokusi ynë në Ballkanin Perëndimor dërgon një mesazh politik të qartë: BE-ja është e përkushtuar ndaj procesit të zgjerimit dhe ne po punojmë nga afër në fusha kyçe për zhvillimin. Dëshira për të qenë pjesë e familjes evropiane është e përbashkët. Dhe këtë rrugë do ta bëjmë bashkë.

E kemi organizuar Forumin e sotëm mbi Klimën e Investimeve në Ballkanin Perëndimor sepse të gjitha vendet e rajonit kanë nevojë për investime më të mëdha për t’u bërë shtete të begata anëtare të BE-së.

Si biznesmen i dikurshëm, jam i bindur se kjo është mënyra më e mirë për të nxitur një ekonomi dhe për të mbështetur zhvillimin.

Zonja dhe zotërinj, perspektiva e anëtarësisë në BE vazhdon të nxisë transformime dhe ka sjellë tashmë një numër përfitimesh për rajonin, veçanërisht lidhur me tregtinë dhe investimet.

Gjatë dhjetë viteve të fundit, tregtia mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së është më shumë se dyfishuar, duke arritur 44 miliardë Euro në vitin 2016 (eksportet nga Ballkani janë më shumë se dyfishuar nga 7 miliardë Euro në 18).

Investitorët e dinë se tregtia mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është tanimë shumë e liberalizuar dhe se harmonizimi progresiv i rregullave dhe standardeve do të krijojë kushte të barabarta për të gjithë investitorët.

Investimet e Huaja Direkte nga BE-ja përbëjnë aktualisht rreth 50% të stokut total në vitin 2015 dhe ato po rriten. Për Serbinë kjo shifër është mbi 60%.

Gjithnjë e më shumë kompani evropiane po e përfshijnë Ballkanin Perëndimor në zinxhirët e tyre të vlerave; ky është lloji i integrimit të biznesit që ka ndihmuar për krijimin e pasurive dhe vendeve të punës kur vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore po bëheshin gati t’i bashkoheshin BE-së, në veçanti në Poloni dhe Sllovaki.

Një investim i rëndësishëm që po ndjekim përfshin lidhjen fizike të rajonit me pjesën tjetër të Evropës, ajo që ne e quajmë 'Agjenda e Ndërlidhjes'. Kemi përcaktuar 1.3 miliardë euro grante dhe synojmë të përdorim deri në 13.5 miliardë euro investime nga sektori publik dhe privat në investime kyçe në energji, mjedis dhe transport deri në vitin 2020.

Sigurisht, investimet publike janë vetëm një komponent i investimeve totale; ajo që ka vërtet rëndësi janë investimet private.

Dhe investimet private ende kanë mbetur shumë prapa në Ballkanin Perëndimor; sidomos investimet ndërkufitare janë 4 herë më pak se në BE.

Zonja dhe zotërinj,

Ndërtimi i urave dhe lidhja e territoreve do të sjellë një kontribut të madh në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe do të nxisë më tej paqen dhe pajtimin, përveç se do të sjellë përfitime ekonomike.

Shteti ligjor dhe zhvillimi ekonomik janë dy anë të së njëjtës monedhë. Ishte falë vlerave demokratike, të drejtave themelore dhe parimeve mbi të cilat mbështetet që BE-ja u mëkëmb aq shpejt nga kriza financiare,  me papunësinë aktualisht më të ulët në 8 vjet; ne krijojmë stabilitet politik, një parakusht themelor për zhvillimin ekonomik.

Në mbarë Ballkanin Perëndimor nxitja e shtetit ligjor është ndoshta një ndër levat më të fuqishme për përmirësimin e mjedisit të biznesit.

Ekonomia informale në veçanti është një shqetësim në mbarë rajonin; ajo redukton të ardhurat nga taksat, çon në konkurrencë të pandershme dhe ndikon negativisht në aftësitë e punëtorëve, si dhe në cilësinë e vendeve të punës. Investitorët e huaj nuk do të vijnë në rajon nëse e dinë se mund të ndeshen me konkurrencë të pandershme nga bizneset gjysmë të ligjshme.

Forcimi i shtetit ligjor është vendimtar për përmirësimin e biznesit dhe klimës së investimeve në rajon. Kjo do të thotë institucione të forta dhe të pavarura, zbatimin e legjislacionit dhe modernizimin e administratave publike, që u ofrojnë shërbime dhe  jo fatura bizneseve. Ky është përfitimi që procesi i zgjerimit sjell tashmë për ekonomitë tuaja: shumë më parë anëtarësimit të vërtetë.

Zonja dhe zotërinj,

Faktori kyç i suksesit të BE-së si një nga aktorët më të fuqishëm ekonomikë në planet buron nga një kuptim i vetëm: në një botë në  globalizim jemi të gjithë në fund të ditës lojtarë të vegjël. Shtetet janë bashkuar dhe hap pas hapi kanë krijuar tregun më të madh unik ,që u lejon investitorëve të arrijnë maksimumin e konsumatorëve/tregjeve. Shumë kohë më parë tregut unik të BE-së, organizata Benelux kreu një detyrë të ngjashme, në një shkallë më të vogël. Përmasat kanë rëndësi për investitorët. Kjo qëndron edhe për këtë rajon me tregun prej rreth 20 milionë konsumatorësh me potencial të madh të pashfrytëzuar.

Ja pse kemi në plan të autorizojmë në samitin e Triestes konceptin e një zone ekonomike rajonale të Ballkanit Perëndimor, që do ta përforcojë marrëveshjen aktuale CEFTA për tregtinë e lirë. Ne e shohim këtë zonë si një etapë me rëndësi për përgatitjen e anëtarësimit në BE, jo si një alternativë të anëtarësimit.

Potenciali më i madh i pashfrytëzuar që konferenca e sotme na ofron gjithë ne politikëbërësve është të dëgjojmë drejtpërdrejt nga përvoja e komunitetit të investitorëve. Ndaj pres me padurim që të dëgjoj veçanërisht profesionistët, siç diskutuam.

Një mjedis i ngrohtë biznesi, sipërmarrja kreative, një shoqëri e bazuar te dijet, vende pune me cilësi të mirë, tregje konkurruese – të gjitha këto arritje kërkojnë kohë, këmbëngulje dhe reforma.

Vetë BE-ja ofron shumë shembuj se ia vlen përpjekja për stabilitetin e përbashkët dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Faleminderit.

Languages:
Editorial Sections: