Delegation of the European Union to Albania

Fjalimi i Ambasadores së BE-së Romana Vlahutin gjatë festimeve të Ditës së Evropës në kalanë e Gjirokastrës

Tirana, 06/05/2017 - 19:04, UNIQUE ID: 170517_8
Speeches of the Ambassador

I nderuar Kryeministër, Ministra, anëtarë të Parlamentit, zonja Kryebashkiake, kolegë Ambasadorë, të dashur qytetarë të Gjirokastrës dhe Shqipërisë,

Jam vërtet e nderuar dhe e lumtur që mund t’ju drejtohem sot, në emër të Bashkimit Evropian, në veprimtarinë që kremton më së miri Evropën.

Është një ndjesi e veçantë ta thuash këtë në një qytet që mbrohet si trashëgimi botërore, një qytet që ka rritur artistë të mëdhenj si Kadare dhe Çabej, ndër të tjerë, të cilët e kanë pasuruar kulturën evropiane dhe botërore.

Është një ndjesi shumë e veçantë t’i thuash këto fjalë në majë të kësaj pike strategjike që bie mbi Luginën e Drinos. Kodra dhe kështjella që për shumë shekuj u kanë shërbyer luftëtarëve nga nevoja, por sot i shërbejnë artit dhe bukurisë nga zgjedhja.

E përfytyroni dot çfarë do të mendonin gjeneralët e dikurshëm po të na shihnin tani? Gra që mbajnë fjalime? Kalaja e tyre e ndërtuar për luftë e kthyer në skenë për muzikë? Jam shumë e sigurt se në rastin më të mirë do të hutoheshin kur të shihnin asetet e luftës të shndërruara në asete krijimtarie.

Kjo është, në thelb, një histori e Bashkimit Evropian e shtatë dekadave të fundit – komuniteti i paqes i krijuar për t’i dhënë fund tragjedisë së vazhdueshme të luftërave.

Ky është thelbi i idesë evropiane, t’i përdorim forcat dhe talentet tona individuale jo për të luftuar me njëri-tjetrin, por për të ndërtuar së bashku një shoqëri që do të jetë më e kujdesshme dhe më e mirë për secilin prej nesh.

Është e lehtë të luftosh dhe të shkatërrosh, kushdo mund ta bëjë.

Por duhet kurajë dhe mençuri e vërtetë për të krijuar dhe për të bërë zgjedhje në dobi të së mirës së përbashkët.

Ndihem shumë e privilegjuar që përfaqësoj Bashkimin Evropian në këtë moment shumë të veçantë për Shqipërinë:  pas një çerek shekulli një cikël i historisë moderne ka mbaruar dhe një cikël i ri po fillon. Një cikël që do ta përfshijë vendin tuaj në bashkimin e demokracive evropiane.

Shqipëria është një vend i guximshëm.

Ju keni ecur shumë gjatë 25 viteve të fundit dhe keni ndërmarrë disa nga reformat më të vështira dhe më të komplikuara që mund të kalojë një shtet. Reforma e drejtësisë ka sjellë jo vetëm shpresë të përtërirë për një shoqëri të re dhe shumë më të drejtë, por ka huazuar në kuptimin e plotë të fjalës 15 deri 20 vjet nga e ardhmja. Nëse reforma nuk do të ishte  e thellë dhe e plotë, do të ishin dashur shumë më tepër vite për të sjellë ndryshime.

Tani është koha për ta vënë atë në punë dhe për ta zbatuar plotësisht, në mënyrë që koha e fituar të përdoret në mënyrë sa më të zgjuar dhe jo të shkohet dëm me grindje të vjetra.

Pjesa më e madhe e ditëve të mia janë të mbushura me fjalë që lidhen me politikë dhe qeverisje, kritere dhe standarde, hapa dhe pika referimi që duhen përmbushur. Por të përkthyera ato kanë vetëm një kuptim: cilësi më të mirë jete për çdo qytetar.

Është fjala për mirësjellje, drejtësi të barabartë për këdo, liri themelore, mirëqenie ekonomike dhe jetë të jetuara me dinjitet.

Nuk ka vend për frikë apo vetëkënaqësi, por vetëm për punë, mençuri dhe bashkim. Ju nuk jeni vetëm dhe kurrë nuk do të jeni më vetëm. Ne në Bashkimin Evropian jemi miqtë dhe partnerët tuaj.

Dhe ashtu siç bëjnë miqtë e vërtetë, do t’ju themi gjithnjë të vërtetën: kur është e mirë, por edhe kur nuk është edhe aq e mirë.

Ka një citat të vjetër dhe të famshëm për strategjinë e lidershipit: “Fitorja më e shkëlqyer është ajo e fituar pa betejë”.

Pozicioni strategjik i kësaj kështjelle në të kaluarën përcaktohej nga nevoja për të mbijetuar.

Sot përcaktohet nga një mundësi për të krijuar dhe zhvilluar. Kjo zgjedhje është juaj dhe përgjegjësia është juaja.

Pas disa minutash do të dëgjoni muzikë polifonike shqiptare, gjithashtu trashëgimi botërore jomateriale e mbrojtur nga UNESCO, që do të luhet në harmoni me një muzikant të shkëlqyer shqiptar, Robert Bishën.

Ka shumë gjëra për të cilat Shqipëria duhet të jetë krenare. Por ka edhe shumë gjëra që Shqipëria duhet t’i ndërtojë dhe t’i përmirësojë.

Jam krenare dhe e lumtur për të gjitha fitoret e zgjuara që do të arrini në të ardhmen, duke krijuar një jetë më të mirë për popullin tuaj dhe duke punuar së bashku për të mirën e përgjithshme.

Ju uroj shumë kurajë dhe forcë, si dhe uroj për të gjithë ne: ”Gëzuar Ditën e Evropës!”

Languages:
Redaksjonens innhold: