Delegation of the European Union to Albania

Lidhur me ndërtimin e hidrocentralit në Luginën e Valbonës

Tirana, 03/05/2017 - 12:37, UNIQUE ID: 170517_7
Joint Statements

Tirana,

AA/aa Ares (2017)

 

Në vëmendje të:

 

Shkëlqesisë së Tij Z. Edi Rama

Kryeministër

Këshilli i Ministrave

Blvd. “Dëshmorët e Kombit”

Tirana, Albania

 

Subjekti:         Lidhur me ndërtimin e hidrocentralit në Luginën e Valbonës

 

I dashur Kryeministër,

 

Shqipëria ka ndërmarrë hapa të shumtë mjedisorë pozitivë gjatë viteve të fundit, përfshirë përmes zgjerimit të madh të territorit të mbrojtur dhe krijimit të një Agjencie Kombëtare. Por ky progres po minohet nga zhvillimi i infrastrukturës në zonat e mbrojtura. Ndërsa vlerësojmë deklaratat tuaja në fillim të vitit, që tregojnë synimin për të anuluar shumë nga ndërtimet e planifikuara, ka shumë shqetësim lidhur me ndërtimin në vazhdim të hidrocentraleve, veçanërisht në Luginën e Valbonës.

 

Një studim i financuar nga Fondi Botëror i Kafshëve të Egra (bazuar në Udhëzimin e Komisionit  Evropian për Rishqyrtimin e Deklaratave me Ndikim Mjedisor), zbulon se ka të meta serioze në Vlerësimet me Ndikim Mjedisor që janë kryer për hidrocentralet. Standardet profesionale nuk janë plotësuar; fusha e vlerësimit nuk ka përfshirë gjithë zonën e ndikimit; përshkrimi i habitateve, faunës dhe florës ka qenë i pamjaftueshëm; efektet mbi hidrologjinë dhe cilësinë/sasinë e ujërave nuk janë përshkruar dhe kuantifikuar, si dhe nuk ka një studim të mjedisit bazë, pra ndikimi në vazhdim nuk mund të monitorohet. Bazuar në këto vlerësime me ndikim mjedisor, lejet e ndërtimit nuk duhej të ishin dhënë.

 

Lidhur me dimensionin ligjor, kundërshtimet ligjore për ndërtimin në Luginën e Valbonës  vazhdojnë. OJQ shqiptare dhe ndërkombëtare kanë argumentuar se kushtet për dhënien e lejeve përkatëse nuk janë plotësuar. Për shembull, Vlerësimet me Ndikim Mjedisor nuk sigurojnë të dhënat e duhura për konsultime me gjithë palët e interesuara përkatëse, përfshirë komunitetet vendore.

 

Është vërtetuar se hidrocentralet janë një burim i çmuar i energjisë së rinovueshme për Shqipërinë, por ndërtimi i tyre duhet të ndjekë procedurat e duhura (shqiptare dhe evropiane) administrative dhe ligjore, si dhe t’i përmbahet Direktivës Kuadër të BE-së për Ujërat, tashmë të transpozuar dhe në fuqi në legjislacionin shqiptar. Rasti i Valbonës është një ndër të shumtët që jep shkas për shqetësim lidhur me efektivitetin e shqyrtimit të duhur institucional dhe qeverisjes së projekteve ekonomike private me ndikim potencial në mjedis.

 

Ne mendojmë, gjithashtu, se potenciali për zhvillimin e burimeve alternative të energjisë së rinovueshme në Shqipëri mund të shterohet më mirë, duke reduktuar në këtë mënyrë shfrytëzimin e lumenjve në dëm të mjedisit, mbrojtjes së natyrës dhe menaxhimit gjithëpërfshirës të ujërave.

 

Ju inkurajojmë të garantoni që ndërtimet e hidrocentraleve të respektojnë jo vetëm legjislacionin përkatës shqiptar, por edhe normat e standardet e BE-së. Prandaj, rekomandojmë të pezulloni gjithë ndërtimet në pritje të vlerësimit të duhur dhe shqyrtimit ligjor të proceseve përmes sistemit administrativ dhe gjyqësor shqiptar.

 

Sinqerisht tuajt,

 

Romana Vlahutin        Brian Williams            Bernd Borchardt         Donald Lu

Delegacioni i BE-së    OKB, Shqipëri            Prezenca e OSBE-së   Ambasada e SHBA-ve

 

(në emër të

Shefave të Misionit

të Shteteve Anëtare

të BE-së)

 

 

cc:Shkëlqesisë së Tij Z. Damian Gjiknuri, Ministër i Energjisë dhe Industrisë

Shkëlqesisë së Tij Z. Lefter Koka, Ministër i Mjedisit

Shkëlqesisë së Tij Z. Edmond Pananti, Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave

Shkëlqesisë së Saj Znj. Klajda Gjosha, Ministre e Integrimit Evropian

 

 

 

Ritstjórnargreinar: