Bashkimi Evropian qëndron përkrah grave në Evropë dhe në mbarë globin sot, ashtu siç ka qëndruar në kohën kur u krijua.
Gjashtëdhjetë vjet më parë barazia mes grave dhe burrave u fut në Traktatin e Romës si një nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian. Në atë kohë, angazhimi i Evropës ndaj parimit të pagës së barabartë ishte unik në botë. Që atëherë, BE-ja ka vazhduar të udhëheqë dhe ka bërë progres të dukshëm në të gjitha frontet. Ne punojmë pa u lodhur për të mbrojtur të drejtat e grave dhe për t’i fuqizuar ato në luftën kundër diskriminimit dhe dhunës me bazë gjinore.
Në vitin 2017, ka më shumë gra në punë, më shumë gra që diplomohen në universitete, si dhe më shumë gra aktive në politikë apo në pozitrone drejtuese në kompani evropiane se kurrë më parë. Në Komisionin Evropian gratë përfaqësojnë 55% të fuqisë punëtore totale. Megjithatë, shumë gra, sidomos nëna të vetme, ende luftojnë për të arritur pavarësinë ekonomike në Bashkimin Evropian. Përqindja e punësimit të grave në Bashkimin Evropian arriti nivelin më të lartë prej 65.5% në vitin 2016, por megjithatë ka ende një diferencë të madhe me nivelin 77% të burrave.
Duhet bërë shumë më tepër si brenda ashtu dhe jashtë Evropës. Gratë janë shpesh ndër më të cenueshmet në konflikte, në situata migrimi dhe zhvendosjeje, si dhe aty ku varfëria dhe ndryshimi i klimës godasin më fort. Veç kësaj, ka një rritje eksponenciale të numrit të femrave viktima të trafikimit që mbërrijnë në BE në kontekstin aktual të migrimit.
Intoleranca kundër grave dhe mizogjinia manifestohen si në sferën publike, ashtu dhe pas anonimatit burracak të internetit. Sulmet kundër të drejtave të grave po shtohen. Shumë evropianë ende mendojnë se marrëdhëniet seksuale pa pëlqim mund të jenë të justifikueshme. Gratë janë gjithashtu në vijën e parë të diskriminimit dhe dhunës, sidomos në zonat e konfliktit në botë.
Megjithatë, shpesh gratë janë gjithashtu të parat që kërkojnë zgjidhje, që kërkojnë qëndrueshmëri në kohë sfidash dhe ato që kanë vizion për të ardhmen e vendeve të tyre. Ja pse BE-ja vazhdon të angazhohet me grupet e grave në mbarë botën, përfshirë në rrethanat më të vështira, si në Afganistan apo Siri.
Ne do të vazhdojmë të veprojmë si brenda ashtu dhe jashtë. Në veçanti:
Ne nuk duhet dhe nuk do ta ndalim luftën për barazi gjinore, për t’i mbajtur gratë dhe vajzat të sigurta, si dhe për t’i fuqizuar ato për të realizuar plotësisht potencialin e tyre. Bashkimi Evropian është i angazhuar, ashtu siç ishte 60 vjet më parë, që të sigurojë barazi për gratë në botë.
Nënshkrues:
Zëvendës Presidenti i Parë Frans Timmermans
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë /Zëvendës Presidente e Komisionit FedericaMogherini
Komisioneri për Buxhetin dhe Burimet Njerëzore Oettinger
Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë & Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn
Komisioneri për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim Neven Mimica
Komisioneri për Migrimin, Punët e Brendshme dhe Shtetësinë Dimitris Avramopoulos
Komisionerja për Punësimin, Çështjet Sociale, Aftësitë dhe Lëvizjen e Punës Marianne Thyssen
Komisioneri për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave Christos Stylianides
Komisionerja për Drejtësinë, Konsumatorët dhe Barazinë Gjinore Vera Jourová