Delegation of the European Union to Albania

Fjalimi i Ambasadores së BE-së Romana Vlahutin në prezantimin e Sondazhit për Mjedisin e Biznesit 2016 nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri

Tirana, 15/02/2017 - 17:00, UNIQUE ID: 170220_11
Remarks

Ashtu si çdo segment tjetër i madh i shoqërisë, komuniteti i biznesit ka nevojë të ketë besim tek institucionet, ka nevojë për stabilitet dhe parashikueshmëri. Dhe në njëfarë mënyre procesi i vetingut që ka nisur simbolikisht shkon përtej sistemit të drejtësisë. Kjo është reformë e shoqërisë. Kjo është reformë ekonomike. Një sistem drejtësie i drejtë, i pavarur dhe i përgjegjshëm jo vetëm që është themelor për funksionimin e demokracisë, por është parakushti për një ekonomi tregu funksionuese.

E dashur ministre Ekonomi, i dashur zoti Pedrazzi, President i Shoqatës së Investitorëve të Huaj, të dashur panelistë dhe miq,

Para një jave mora pjesë në një veprimtari për diskutimin e gjetjeve të sondazhit mbi besimin e shqiptarëve tek institucionet e tyre. Një konferencë e ndryshme sot, por të njëjtat rezultate. 79% e shqiptarëve nuk kanë besim te sistemi i tyre i drejtësisë, ndërsa gjetjet tuaja tregojnë se 78% e investitorëve të huaj i shohin korrupsionin dhe reformën në drejtësi si shqetësimet e tyre kryesore të biznesit.

Më shqetësues: numri i investitorëve të huaj që i shohin gjykatat shqiptare si një pengesë e madhe është rritur me 12 pikë përqindjeje në vit. Ky mund të jetë edhe rezultat i diskutimeve të shumta publike mbi reformën dhe pse ajo nevojitet aq shumë.

Shqipëria po humbet për sa i takon tërheqjes së investimeve aq të nevojshme, sepse është ende me risk për shumë investitorë të matur që të fusin para këtu.

Është shumë e qartë për këdo se kjo situatë duhet ndryshuar.

Dhe po ndryshon. Këto ditë, me fillimin e procesit të vetingut, po shohim hapat e parë konkrete të reformës në drejtësi.

Ashtu si çdo segment tjetër i madh i shoqërisë, komuniteti i biznesit ka nevojë të ketë besim tek institucionet, ka nevojë për stabilitet dhe parashikueshmëri.  Dhe në njëfarë mënyre procesi i vetingut që ka nisur simbolikisht shkon përtej sistemit të drejtësisë.

Kjo është reformë e shoqërisë. Kjo është reformë ekonomike. Një sistem drejtësie i drejtë, i pavarur dhe i përgjegjshëm jo vetëm që është themelor për funksionimin e demokracisë, por është parakushti për një ekonomi tregu funksionuese.

Komuniteti ndërkombëtar është përfshirë ngushtësisht në nxitjen e kësaj reforme. Por ne besojmë se ju, komuniteti ndërkombëtar i biznesit, duhet gjithashtu ta shtoni më fort zërin tuaj të fuqishëm mbështetës. Çdo ditë do të përballemi me rezistencë ndaj ndryshimit dhe fushata e frikësimit veçse do të shtohet.

Në muajt e ardhshëm, është thelbësore që ne t’ju dëgjojmë të flisni në favor të reformës për shtetin ligjor, të mbështesni investimet dhe zhvillimin. Investimet e Huaja të Drejtpërdrejta përfaqësonin 8.7% të PBB-së në vitin 2015!  Janë shumë para. Janë paratë tuaja që ju kërkoni t’i hidhni në këtë vend. Dhe për të përmbysur një thënie të famshme, duhet ta çoni gojën aty ku janë paratë! Ndikimi juaj mund të jetë i konsiderueshëm.

Jam shumë e lumtur që kompanitë e intervistuara kanë shënuar rezultate pozitive financiare. Jam shumë e lumtur të konfirmoj se rreth 67% e aksioneve të Investimeve të Huaja të Drejtpërdrejta në Shqipëri e kanë burimin nga shtetet anëtare të BE-së. Greqia është investitori më i madh me 24% të aksioneve totale, ndjekur nga Holanda me 14%, Italia me 11% dhe Austria me 8% të aksioneve totale të IHD. [Burimi: Banka e Shqipërisë]

Kjo konfirmon se Shqipëria ka potenciale serioze për të tërhequr investimet e huaja dhe është detyra jonë ta ndihmojmë më tej shtetin për të krijuar kushtet më të favorshme për stabilitetin që nevojitet për një biznes të qëndrueshëm

Programi i Reformës Ekonomike 2017-2019 që Shqipëria sapo ia ka paraqitur Komisionit Evropian përfshin masa konkrete që shkojnë në drejtimin e duhur: forcimi i mjedisit të biznesit, përmirësimi i kushteve të tregut të punës dhe zhvillimi i sektorëve si bujqësia, turizmi, energjia apo transporti.

Kjo është me rëndësi, por Shqipëria duhet gjithashtu të bëjë më shumë për të tërhequr investitorë jashtë sektorëve tradicionalë, si Ekonomia Digjitale dhe Industritë Kreative, duke stimuluar sipërmarrjen dhe bizneset e reja, përmes grupimeve apo inkubatorëve. Delegacioni i BE-së po punon së bashku me partnerët për të siguruar seanca trajnimi për bizneset e reja dhe sipërmarrësit e rinj gjatë vitit. Ne do të prezantojmë gjithashtu një garë kombëtare për bizneset e reja që do ta arrijë kulmin gjatë javës evropiane në maj.

Ne do ta lehtësojmë dhe shpjegojmë më tej përdorimin e fondeve të BE-së. Ne do të bëjmë pjesën tonë të punës për të mbështetur tranzicionin drejt një ekonomie tregu të bazuar te rregullat. Por komuniteti i biznesit, investitorët e huaj dhe ndërmarrjet vendore duhet t’i japin formë të ardhmes ekonomike të Shqipërisë.

Languages:
Ritstjórnargreinar:

Höfundur