I dashur Kryeministër,
Më duhet t’ju tërheq vëmendjen për çështje që lidhen me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), veçanërisht pas pyetjeve të dy anëtarëve të qeverisë suaj. Këto pyetje janë bërë përkatësisht nga Ministria Gjosha, më 15 shkurt, drejtpërdrejt për mua dhe nga Ministri Vasili, më 13 shkurt, Kreut të Delegacionit të BE-së në Tiranë, mes marrësve të tjerë. Të dyja këto letra kërkonin sqarime mbi punën e ONM-së.
Duke qenë se procesi që çoi në krijimin e ONM-së ishte i koordinuar ngushtë me Qeverinë e Shqipërisë, u habita nga pyetjet. Prandaj dëshiroj të rikujtoj elementet kyçe të shkëmbimeve të mëparshme mes shërbimeve të Komisionit Evropian dhe zyrave tuaja. Përveç se parashikohet shprehimisht në Kushtetutë dhe në legjislacionin përkatës, ngritja e ONM-së filloi pas ftesës së Qeverisë së Shqipërisë.
Më 18 janar 2017, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, z. Engjëll Agaçi, i paraqiti një kërkesë zyrtare z. Christian Danielsson, si Drejtori i Përgjithshëm kompetent në shërbimet e Komisionit Evropian, që ONM-ja të niste veprimtaritë.
Më 26 janar 2017, z. Danielsson u përgjigj duke konfirmuar se Komisioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin arritur një marrëveshje administrative për bashkëpunim për ngritjen e ONM-së. Teksti i marrëveshjes iu bashkëngjit letrës. Z. Danielsson shpjegoi se, që ONM-ja të kryente detyrat e saj të përcaktuara me ligj, do të ngrihej një Bord Menaxhimi i përbërë nga përfaqësues të Komisionit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke kërkuar që gjithë institucionet dhe autoritetet përkatëse në Shqipëri të siguronin asistencën dhe bashkëpunimin e nevojshëm që ONM-ja të kryente detyrat dhe rolin e saj gjatë procesit të rivlerësimit, z. Danielsson njoftoi gjithashtu se aktivitetet do të koordinoheshin nën Kryesinë e Drejtores për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, znj. Genoveva Ruiz Calavera.
Më 7 shkurt 2017, para prezantimit të aktivitetit zyrtar monitorues nga ONM-ja në terren, znj. Calavera i dërgoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë me informacion të hollësishëm mbi ardhjen e vëzhguesve ndërkombëtarë që do të monitoronin krijimin e organeve të rivlerësimit. Në të njëjtën korrespondencë, znj. Calavera dha gjithashtu informacion të hollësishëm mbi aspektet kyçe të organizimit të brendshëm administrativ të ONM-së, siç u vendos mes shërbimeve të Komisionit Evropian, Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Departamentit të Drejtësisë.
Pas këtij shkëmbimi letrash, ONM-ja nisi në kohën e duhur, sapo filloi zbatimi i ligjit të rivlerësimit. U emëruan dhe u sollën në terren vëzhguesit ndërkombëtarë, sipas planit të njoftuar me mbledhjen e seancës konstitutive të bordit të menaxhimit të ONM-së. Ky nuk është një organ mbi ONM-në, por është pjesë thelbësore e ONM-së, që garanton vazhdimësinë administrative, koordinimin e aktorëve ndërkombëtarë të përfshirë në ONM, lidhjen me autoritetet përkatëse dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve monitoruese për të cilat janë emëruar specialistë të lartë nga Bordi i Menaxhimit.
Kushtetuta dhe legjislacioni parashikojnë si ONM-në ashtu dhe vëzhgues ndërkombëtarë individualë. Meqë pyetjet nga anëtarët e qeverisë suaj përfshinin vënien në pikëpyetje të legjitimitetit të strukturave të ONM-së, ndihem i detyruar të kujtoj se:
Siç ju është bërë me dije, ekspertë të lartë nga gjyqësorët e shteteve anëtarë të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me rekorde profesionale të shquara, u emëruan sipas rregullave për të kryer drejtpërdrejt veprimtaritë e monitorimit në terren në kuadrin e ONM-së. Për momentin, ka ardhur një ekip vëzhguesish afatshkurtër. Në këtë fazë, vëzhguesve ndërkombëtarë u është besuar në mënyrë të veçantë monitorimi i krijimit të organeve të rivlerësimit.
Pasi të jenë krijuar organet e rivlerësimit dhe të nisë procesi i vërtetë i rivlerësimit, do të emërohet një ekip vëzhguesish ndërkombëtarë afatgjatë dhe do të sillet për të monitoruar aktivitetet e strukturave vendore kompetente. BE-ja ka caktuar 10 milionë € për këtë objektiv, në kuadrin e Instrumentit për Asistencë para Anëtarësimit.
Komisioni Evropian ka marrë drejtimin e ONM-së me angazhimin më të madh për të mbështetur procesin dhe për të lehtësuar arritjen e objektivave për të cilat është parashikuar ky proces në Kushtetutë. Të jini i sigurt, z. Kryeministër, se ky angazhim i madh dhe përqasja rigoroze do të jenë baza e ONM-së përgjatë ushtrimit të rivlerësimit.
Siç e dini, shtetet anëtare të BE-së dhjetorin e kaluar e morën pozitivisht parasysh rekomandimin e Komisionit për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, në varësi të progresit të besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e reformës së drejtësisë, në veçanti për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në këtë aspekt ONM-ja luan një rol vendimtar për besueshmërinë e të gjithë procesit dhe unë kam besim se Qeveria e Shqipërisë, në tërësinë e saj, e kupton njësoj procesin e mësipërm dhe vazhdon t’i mbështesë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar.
Sinqerisht Juaji,
Johannes Hahn