Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Pyetjet më të shpeshta për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM)

Tirana, 08/02/2017 - 12:05, UNIQUE ID: 170208_10
FAQs

Informacion mbi strukturën dhe funksionimin e ONM-së

Çfarë është ONM-ja?

Është një operacion monitorues i ngritur për të mbikëqyrur procesin e vetingut të anëtarëve të gjyqësorit në Shqipëri. ONM-ja nuk ka funksione ekzekutive që prekin rivlerësimin aktual të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri, çka kryhet nga organet vendore të vetingut.

 

Pse ka ardhur ONM-ja në Shqipëri?

Paketa e reformës së drejtësisë e miratuar në vitin 2016 synonte rikthimin e besimit publik te gjyqësori. Si pjesë të reformës, u parashikuan dispozita specifike për rivlerësimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe këshilltarëve /asistentëve ligjorë aktualë (procesi i vetingut) në bazë të integritetit, formimit etik dhe aftësive profesionale. Përfshirja e komunitetit ndërkombëtar në këtë proces parashikohet nga ana kushtetuese – është konsideruar vendimtare për kredibilitetin e procesit nga legjislatori shqiptar.

 

Cilat janë organet vendore të vetingut që vendosin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri?

Organet vendore të vetingut janë:

  • Katër Komisione të Pavarura Kualifikimi (KPK) të përbërë nga tre anëtarë, që do të kryejnë gjithë procesin e rivlerësimit
  • Një Dhomë e Specializuar Kualifikimi (DhSK) e përbërë nga shtatë gjyqtarë, që do të shërbejë si instancë apelimi për vendimet e marra nga KPK-të
  • Dy Komisionerë Publikë 

 

Mbi çfarë bazash ligjore specifike vjen ONM-ja në Shqipëri? E ka vendosur komuniteti ndërkombëtar njëzëri ardhjen e ONM-së në Shqipëri?

Jo, ardhja e ONM-së parashikohet në Nenin B të Aneksit të Kushtetutës së Shqipërisë, që parashikon skemën për të ashtuquajturin "Vlerësim Transitor i Kualifikimit".

Më 18 janar 2017 autoritetet shqiptare i paraqitën një kërkesë zyrtare shërbimeve të Komisionit Evropian për ardhjen e ONM-së, duke e ftuar në mënyrë specifike ONM-në të fillonte operacionet.

 

Pse ONM-ja koordinohet nga Komisioni Evropian? Cili është roli i Shteteve të Bashkuara?

Kushtetuta e Shqipërisë, e ndryshuar në korrik 2016, parashikon që ONM-ja, e udhëhequr nga Komisioni Evropian, krijohet për të mbikëqyrur rivlerësimin e përkohshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve ('vetingun') në vend.

 

Kushtetuta e Shqipërisë parashikon gjithashtu që ONM-ja përfshin partnerë në kuadrin e procesit të integrimit evropian dhe bashkëpunimit Euro-Atlantik. Ja pse Komisionit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë dakord të bashkëpunojnë shumë ngushtësisht në kuadrin e ONM-së.

Ekspertë të lartë nga gjyqësorët e Shteteve Anëtare të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara mbështesin veprimtaritë e ONM-së.

 

Cilat janë detyrat kryesore të ONM-së?

ONM-së i është besuar monitorimi i procesit të vetingut, që nga krijimi i organeve të vetingut deri te përfundimi i gjithë ushtrimit të rivlerësimit. Prandaj, ardhja e ONM-së në Shqipëri është  me rëndësi në dy faza të dallueshme, por të vijueshme.

  • Së pari, ONM-ja mbikëqyr procesin e krijimit të organeve të vetingut. ONM-ja jep një rekomandim mbi kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Komisioneve të Pavarura të Kualifikimit, të Dhomës së Specializuar të Kualifikimit dhe dy posteve të Komisionerëve Publikë. Ky rekomandim do të paraqitet, përmes Zyrës së Avokatit të Popullit, në vëmendje të Kuvendit. Kjo detyrë kryhet me asistencën e katër vëzhguesve afatshkurtër (tre gjyqtarë/prokurorë të lartë nga gjyqësorët e Shteteve Anëtare të BE-së dhe një nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara). Pas rekomandimit të ONM-së, Kuvendi është më së fundi përgjegjës për emërimin e gjithë anëtarëve të organeve të vetingut.
  • Së dyti, pas krijimit të organeve të vetingut, ONM-ja sjell vëzhgues ndërkombëtare për të monitoruar kryerjen aktuale të procesit të vetingut, përmes një operacioni afatgjatë që do të zgjasë derisa gjithë anëtarët përkatës të gjyqësorit në Shqipëri, siç rekomandohet nga ligji, t’i nënshtrohen këtij vlerësimi transitor të kualifikimit.

 

Sa do të zgjasë vetingu? Sa gjatë do të rrijë ONM-ja në Shqipëri?

ONM-ja do ta mbikëqyrë procesin e vetingut gjatë gjithë kohës. Mandati i organeve vendore të vetingut sanksionohet në kushtetutën e ndryshuar të Shqipërisë në nenin 179/b. Një kohëzgjatje e saktë e procesit të vetingut nuk mund të përcaktohet në këtë stad. Afati maksimal përcaktohet nga legjislacioni, por është në interes të të gjithëve, për hir të përmirësimit të sistemit gjyqësor në Shqipëri që procesi të përfundojë brenda një afati të arsyeshëm.

 

Kush është Kryesia e ONM-së?

ONM-ja kryesohet nga Komisioni Evropian. Bordi menaxhues kryesohet nga Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit.

 

Kush është në përbërje të bordit menaxhues të ONM-së?

Bordi menaxhues i ONM-së përbëhet nga përfaqësues të Komisionit Evropian dhe përfaqësues të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara (përfshirë Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Drejtësisë).  Shërbimet e Komisionit Evropian sigurojnë sekretariatin e përhershëm të Bordit të ONM-së.

 

Kur dhe ku mblidhet bordi menaxhues i ONM-së?

Seancat zyrtare organizohen në mënyrë periodike, kur është nevoja në Tiranë.

 

A do të marrë bordi menaxhues i ONM-së vendime ekzekutive lidhur me procesin e vetingut?

Jo, as bordi menaxhues i ONM-së, as vëzhguesit e ardhur në kuadrin e ONM-së nuk do të marrin asnjë vendim ekzekutiv.

Sipas kushtetutës, ONM-ja është mandatuar për të monitoruar gjithë procesin e vetingut.

ONM-ja nuk ka pushtete për marrjen e vendimeve përfundimtare lidhur me vetingun, në interes të ruajtjes së përgjegjësisë dhe sovranitetit vendor.

 

A i duhet ONM-së të ratifikojë vendimet mbi vetingun që do të rezultojnë nga aktivitetet e organeve vendore të vetingut?

Jo, të gjitha vendimet përfundimtare u takojnë autoriteteve vendore kompetente, siç parashikohet nga ligji, si kur këto kanë të bëjnë me emërimin e anëtarëve në përbërje të organeve të vetingut (përmes fazës para vetingut) ashtu dhe me procesin aktual të vetingut. Lidhur me këtë të fundit, si vendimet e shkallës së parë ashtu dhe apelimet e mundshme kryhen të gjitha nga organet e vetingut të Shqipërisë.


A mund të më ndihmoni, ju lutem, me një informacion në lidhje me Komisionerin Publik, Heral Saraçi; pse i kërkuat Gjykatës së Apelit të marrë masa kundër tij?

 

  • Më 9 shkurt, vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së kanë dorëzuar në Dhomën e Apelit të vetingut një mocion që kërkon një hetim disiplinor kundër një Komisioneri Publik, z. Herald Saraçi.
  • Kjo është një prerogativë që Ligji për Vetingun (Ligji nr. 84/2016) ua jep vëzhguesve ndërkombëtarë për të mbrojtur integritetin e procesit.
  • Mocioni u paraqit në bazë të gjetjeve dhe vëzhgimeve të drejtpërdrejta nga vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët janë përgjegjës për të monitoruar procesin në të gjitha fazat dhe në të gjitha nivelet. Këto detyra parashikohen në Kushtetutën e Shqipërisë, Shtojca mbi Vlerësimin e Kualifikimit Tranzitor, neni B, paragrafi 3 (ç).
  • Në përputhje me ligjin, çështja i është referuar për gjykim nga gjyqtari hetues panelit ad hoc në Dhomën e Apelit. Komisioneri Publik ka të drejtat e përcaktuara me ligj për t'u informuar, këshilluar, si dhe për t’u dëgjuar gjatë procedimit, sipas procedurës së parashikuar në Ligjin për Vetingun (Ligji nr. 84/2016).
  • ONM-ja pret që rishikimi i çështjes të kryhet në tërësi dhe do të marrë parasysh rezultatin e procedurave ligjore. 

 

Kush e financon ONM-në?

Ardhja e vëzhguesve afatshkurtër dhe afatgjatë nga Shtetet Anëtare të BE-së financohet plotësisht nga Instrumenti i BE-së për Asistencë para Anëtarësimit (IPA). Ekspertiza e ardhur nga Shtetet e Bashkuara financohet nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara.

 

Si mund ta kontaktoj ONM-në për pyetje?

Lutemi kontaktoni NEAR-IMO-INFO@ec.europa.eu

 

Si mund të jepet informacion në vëmendje të ONM-së?

Lutemi referohuni NEAR-IMO-INFO@ec.europa.eu

 

Languages:
Seksionet editoriale: