Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Deklarata për shtyp e Kreut të ONM pas takimit themelues të Bordit Menaxhues

Tirana, 08/02/2017 - 16:06, UNIQUE ID: 170208_11
Remarks

Jam e gëzuar që po kthehem në Tiranë me rastin e prezantimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) për vetingun e anëtarëve të gjyqësorit shqiptar.

Sot themeluam Bordin e Menaxhimit që do të koordinojë punën e ONM-së.

Përgjatë procesit, Bordi i Menaxhimit i ONM-së  do të ruajë një rol mbikëqyrës dhe koordinues për këto përpjekje monitorimi të komunitetit ndërkombëtar.

Është shumë e rëndësishme të përsëritet se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të kryejë një monitorim të fuqishëm të procesit të vetingut, por nuk do të marrë vendime ekzekutive.

Të gjitha vendimet përfundimtare në këtë proces do t’u takojnë autoriteteve shqiptare.

Që nesër, një ekip ekspertësh të lartë shumë të kualifikuar nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe Shtetet e Bashkuara, që veprojnë si vëzhgues ndërkombëtarë afatshkurtër, do të dërgohen për të monitoruar fazën e parë të procesit që ka të bëjë me përzgjedhjen e anëtarëve shqiptarë të organeve të vetingut.

ONM-ja do të hartojë një rekomandim për Kuvendin, nëpërmjet Zyrës së Avokatit të Popullit, lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve për organet e vetingut. 

Por, do t’u takojë përfaqësuesve të Kuvendit të Shqipërisë që ta përfundojnë procedurën dhe të emërojnë anëtarët e organeve të vetingut.

Pasi të jenë krijuar organet e vetingut, do të fillojë faza e dytë dhe Komisioni Evropian në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të sjellin një ekip afatgjatë vëzhguesish ndërkombëtarë, sërish ekspertë të lartë dhe jashtëzakonisht të kualifikuar, që do të monitorojnë gjithë procesin e vetingut.

Unë mund t'ju siguroj se OMN-ja do t’i kryejë detyrat e saj me profesionalizëm, paanshmëri dhe në përputhje me ligjin.

Në përfundim, dëshiroj të përgëzoj autoritetet e Shqipërisë për krijimin e një kornize mjaft të plotë dhe të gjerë për reformën e drejtësisë, që përfshiu një qasje mjaft të strukturuar dhe rigoroze për trajtimin e çështjeve që lidhen me profesionalizmin e të gjithë gjyqësorit. 

Kam besim në bashkëpunimin dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme në të gjitha fazat e ardhshme të procesit.

Dëshiroj të rikujtoj rekomandimin kushtëzues të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Ky rekomandim ishte një pranim i qartë që Shqipëria ka bërë progres të qëndrueshëm në Pesë Përparësitë Kyçe, si dhe në fusha të tjera të politikave me rëndësi. 

Rekomandimi i Komisionit nënvizoi gjithashtu nevojën për t’i vazhduar me përgjegjësi këto procese reformash nëpërmjet - dhe po citoj - “një progresi të besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e reformës së drejtësisë, në veçanti rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingu)”.

Unë besoj se mesazhi ynë është i qartë. Ky është një proces jetik për t’i hapur derën negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në.

Më lejoni tani ta përmbyll me një fjalë mirënjohjeje për të gjithë ata që kontribuan për reformën, në veçanti për popullin shqiptar që ka qenë jashtëzakonisht i zëshëm në kërkimin e një gjyqësori të pavarur, të paanshëm, të përgjegjshëm dhe profesional në mbarë vendin.

Ne do të bëjmë çmos për ta përmbushur ambicien e tyre.

Languages:
Seksionet editoriale: