Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Deklaratë e përbashkët për shtyp mbi njoftimin për themelimin e Bordit Menaxhues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit

Tirana, 08/02/2017 - 11:54, UNIQUE ID: 170208_8
Joint Statements

Bordi Menaxhues i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) mbajti sot mbledhjen e tij themeluese për fillimin e monitorimit të rivlerësimit të anëtarëve të gjyqësorit shqiptar. Takimi u kryesua nga zonja Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian. Bordi Menaxhues i ONM-së përbëhet nga përfaqësues të Komisionit Evropian dhe të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Bordi Menaxhues i ONM-së angazhon ekipe monitoruese të përbëra nga gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit të lartë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe Shtetet e Bashkuara. Ata do të monitorojnë procesin e krijimit të organeve të vetingut, si dhe rivlerësimin e gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në gjyqësorin shqiptar.

Ndërsa do të kryejë një rol monitorues, Bordi Menaxhues i ONM-së nuk do të marrë asnjë vendim ekzekutiv. Të gjitha vendimet përfundimtare u takojmë autoriteteve kombëtare. ONM-ja është e përkushtuar për monitorimin dhe mbikëqyrjen skrupuloze të procesit të vetingut.

ONM-ja do t’i kryejë detyrat e veta me profesionalizëm, paanësi dhe në përputhje me ligjin.

Përfundimi i lehtë dhe i suksesshëm i procesit të vetingut do ta ndihmojë Shqipërinë që të trajtojë të metat në sektorin e drejtësisë. Gjithashtu, do t’i mundësojë vendit të përparojë në udhën e tij drejt integrimit evropian, në përputhje me rekomandimin kushtëzues të Komisionit Evropian të nëntorit 2016 për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Bordi Menaxhues i ONM-së pret me padurim zbatimin e mëtejshëm të kësaj pakete të reformës së drejtësisë, që ka potencial ta shndërrojë gjyqësorin shqiptar në një sistem plotësisht të pavarur, të paanshëm, të përgjegjshëm dhe profesional.

 

Languages:
Seksionet editoriale: