Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Nënkomisioni i 13-të BE-Shqipëri për Çështjet Ekonomike, Financiare dhe Statistikat

Tirana, Albania, 15/11/2021 - 15:42, UNIQUE ID: 211116_23
Press releases

Takimi i 13-të i Nënkomisionit për Çështjet Ekonomike, Financiare dhe Statistikat, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë, u zhvillua në datat 11 dhe 12 nëntor 2021, nëpërmjet një video-konference. Përfaqësues nga Komisioni Evropian (Komisioni) diskutuan me autoritetet përkatëse shqiptare mbi zhvillimet më të fundit në këto fusha. Ky nënkomision është një platformë për të shkëmbyer rregullisht pikëpamje mbi zhvillimet e fundit në çështjet ekonomike, monetare dhe financiare, si dhe sfidat aktuale. Diskutimi ndoqi gjithashtu edhe harmonizimin me legjislacionin e BE-së (acquis) për disa tema. 

Autoritetet shqiptare dhanë informacion mbi mbështetjen e tyre për ekonominë në lidhje me krizën COVID-19 dhe rindërtimin pas tërmetit të vitit 2019, si dhe paraqitën parashikimin e tyre për përmirësimin e fortë të ekonomisë së vendit në vitin 2021 dhe 2022. Komisioni njohu mbështetjen efektive që i është ofruar ekonomisë shqiptare deri tani dhe përshëndeti zhvillime të tjera pozitive të ekonomisë dhe tregut të punës në vitin 2021, por gjithashtu vuri në dukje rritjen e normës së borxhit publik. Komisioni sugjeroi se në të ardhmen ekziston nevoja për ta riorientuar vëmendjen drejt reformave afatmesme që mbështesin rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Ai vuri në dukje se objektivat e rinj fiskalë afatmesëm nënkuptojnë një ambicie më të ulët për reduktim të deficitit dhe borxhit nga sa ishte parashikuar më parë në kontekstin e dobësive të konsiderueshme lidhur me borxhin, si dhe përshëndeti angazhimin e Shqipërisë për të rritur të ardhurat publike, duke plotësuar dhe zbatuar Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave. Komisioni sinjalizoi se ndryshimet e shpeshta të buxhetit, katër në vitin 2021, ngrenë shqetësime mbi besueshmërinë e planeve fillestare të buxhetit. Autoritetet shqiptare prezantuan politikat e tyre më të fundit të sektorit financiar dhe Komisioni përshëndeti ruajtjen e stabilitetit të sektorit financiar dhe përparimin në zhvillimin e sistemeve të pagesave. 

Komisioni përshëndeti angazhimin e Shqipërisë për rritje dhe vuri në dukje përpjekjet e saj në lidhje me borxhin publik. Komisioni e nxiti Shqipërinë të përfundojë punën e nevojshme për përgatitjen e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave. Shkurtimisht u diskutuan edhe zhvillimet në fushat e sistemeve të pagesave dhe lëvizjes së lirë të kapitalit. 

Lidhur me kontrollin e brendshëm financiar publik, Komisioni vuri në dukje zhvillimet e vazhdueshme për përgjegjshmërinë menaxheriale dhe potencialin e strategjisë së re të KBFP-së për të siguruar sisteme efektive të kontrollit të brendshëm. U vunë në dukje përpjekjet e Institucionit të Kontrollit të Shtetit dhe strategjia e tij e zhvillimit; rekomandimet e tij kanë një shkallë të lartë pranimi, por nevojiten më shumë përpjekje për zbatimin e tyre. Komisioni përshëndeti përpjekjet e ndërmarra në fushën e mbrojtjes së interesave financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëpunimin e Shqipërisë me OLAF. 

Në fushën e statistikave, Komisioni përshëndeti progresin e bërë nga INSTAT-i dhe inkurajoi rritjen e prodhimit dhe transmetimit të të dhënave në kohën e duhur dhe me cilësi të lartë në Eurostat. Komisioni sugjeroi që INSTAT-i duhet të rrisë efikasitetin, duke modernizuar prodhimin statistikor, duke përdorur më shumë burime administrative dhe duke eksperimentuar me burime të reja të dhënash. U ra dakord që Shqipëria do ta përdorë vitin 2021 si datë referimi për regjistrimin e popullsisë që do të kryhet në vitin 2022. Është bërë përparim, por nevojiten ende përmirësime për të arritur pajtueshmëri të plotë për kontabilitetin kombëtar dhe statistikat e bujqësisë. 

Languages:
Seksionet editoriale: