Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjala e Ambasadorit Soreca në prezantimin e fushatës “Evropa është këtu 2.0”

Tirana, Albania, 27/10/2021 - 15:16, UNIQUE ID: 211027_4
Speeches of the Ambassador

 

I dashur Rektor Maliqari, 

E dashur Ministre Kushi, 

Të dashur Profesorë 

Të dashur studentë, 

Jam shumë i kënaqur që jam këtu me ju sot, pasi viti i ri akademik sapo ka nisur pas një periudhe të vështirë për të gjithë ne dhe veçanërisht për ju. Tashmë jeni rikthyer në universitet pas një periudhe të gjatë pa pasur mundësi të mblidheni në auditorë për shkak të pandemisë Covid-19. Ky është një lajm shumë i mirë. 

Siç e dini, fuqimizimi i rinisë ka qenë një ndër përparësitë e mia që kur kam ardhur në Shqipëri tre vjet më parë. Angazhimi me të rinjtë gjatë këtyre viteve dhe së fundmi, këtë pranverë, gjatë Javëve të Evropës, më ka dhënë mundësinë mua dhe Ambasadorëve nga vendet anëtare të BE-së të takohemi me të rinj të mrekullueshëm në mbarë Shqipërinë. Takimi me ta ka konfirmuar një gjë të rëndësishme: investimi te të rinjtë është çelësi për të çuar Shqipërinë përpara në rrugën e saj drejt BE-së. 

Kjo është arsyeja pse unë jam këtu sot. Për të vazhduar bisedat tona me ju mbi atë se si BE-ja po e ndihmon Shqipërinë për t'iu afruar Bashkimit Evropian, duke përmirësuar jetën e shqiptarëve çdo ditë, ndërsa i ofron mundësi të mëdha rinisë shqiptare që të angazhohet, të lidhet, të fuqizohet. 

Vitin e kaluar nisëm fushatën tonë “Evropa është këtu” për të informuar publikun shqiptar se Bashkimin Evropian është donatori më të madh për Shqipërinë. Bashkimi Evropian i jep çdo vit Shqipërisë mesatarisht 100 milionë euro, duke kontribuar në transformimin e gjithë sektorëve të mundshëm: nga arsimi te bujqësia, drejtësia, infrastruktura, antikorrupsioni, transporti, siguria ushqimore, mbrojtja mjedisore dhe shumë të tjera. 

Ky investim, i cili gjatë 15 viteve të fundit ka arritur në 1.5 miliardë euro grante, ka ndërtuar infrastrukturën kryesore të Shqipërisë, duke përmirësuar ndjeshëm transportin dhe ndërlidhjen brenda vendit, i ka dhënë një shtysë bujqësisë dhe zhvillimit rural, si dhe e ka mbështetur vendin për të rritur standardet e tij mjedisore. Ky është “mekanizmi” i transformimit të krijuar nga procesi i anëtarësimit në BE.  

Por çka është po aq e rëndësishme është transformimi që BE-ja po sjell në jetën e përditshme të shqiptarëve të thjeshtë: te studentët në këtë vend, te fermerët, te novatorët, te profesionistët e shëndetësisë. Ky do të jetë fokusi i fushatës “Evropa është këtu” që po nisim sot. Më pëlqen ta quaj “Evropa është këtu 2.0” (dy pikë zero). 

Kjo është një fushatë për historitë e mbi 500.000 shqiptarëve që kanë përfituar personalisht nga ndihma e BE-së gjatë dekadave të fundit. Ne i takojmë ata çdo ditë, këtu në Tiranë, por edhe në mbarë vendin, siç bëmë gjatë turneut tonë trijavor në gjithë vendin duke festuar Javët e Evropës majin e kaluar.  

Ju ftoj të shikoni një video të shkurtër që paraqet njerëz që kanë përfituar nga ndihma jonë në Shqipëri. 

Ne zgjodhëm ta nisim fushatën tonë ndërgjegjësuese me Arsimin, për shkak të rëndësisë që BE-ja i kushton këtij sektori kyç. Erasmus+ është programi kryesor i BE-së për arsimin dhe rininë. Nëpërmjet këtij programi, BE-ja përpiqet: 

  • të ofrojë më shumë mundësi për të rinjtë, 

  • të rrisë lëvizshmërinë, 

  • të mbështesë zhvillimin arsimor, social, personal dhe profesional, 

  • të rrisë njohuritë dhe aftësitë, 

  • të përmirësojë punësueshmërinë, 

  • të nxisë novacionin, dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, 

  • të nxisë mirëkuptimin e ndërsjellë dhe të ndërtojë ndjenjën e përkatësisë evropiane. 

Erasmus+ i ka lidhur të rinjtë evropianë përtej kufijve për më shumë se 30 vjet, duke u mundësuar njerëzve që të kenë një përvojë të vërtetë evropiane. Ai gjithashtu ndërton ura mes Shteteve Anëtare të BE-së dhe Shqipërisë. Ai ndihmon për ta kthyer Evropën në diçka që të rinjtë mund ta përjetojnë, të lidhen me të dhe të marrin pjesë në të. Ai u mundëson institucioneve akademike në BE, po aq sa edhe në Shqipëri, të krijojnë partneritete të ngushta për lëvizshmërinë e studentëve dhe ekselencën në arsim, kërkim dhe novacion. 

Jemi krenarë që numërojmë 8.000 shqiptarë në mesin e përfituesve të programit Erasmus+ nëpërmjet skemës individuale të lëvizshmërisë, e cila përbëhet nga bursa dhe shkëmbime me universitete partnere në Shtetet Anëtare të BE-së, duke rritur qartazi kapacitetet e studentëve dhe profesorëve shqiptarë, si dhe të punonjësve të universiteteve. Nëpërmjet programeve tuaja arsimore në BE, ju bëheni ambasadorë shqiptarë në të gjithë Evropën, si dhe katalizatorë për ndryshimin në atdhe, duke kontribuar për integrimin e Shqipërisë në familjen e BE-së. 

Muajin e kaluar u prezantua programi i ri Erasmus+ për periudhën 2021-2027, me një buxhet të shtuar që arrin në 26 miliardë euro në nivel global, duke sjellë shumë më tepër mundësi për të studiuar jashtë vendit, për t'u trajnuar, për t’u praktikuar. 

Në përputhje me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor si një zbatim rajonal i Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së, synimi ynë është ta ndihmojmë Shqipërinë të përparojë drejt një arsimi më gjithëpërfshirës dhe të mbështesim tranzicionin e gjelbër dhe digjital në arsim dhe trajnim. Ndërsa BE-ja përpiqet të ofrojë arsim cilësor për qëndrueshmërinë mjedisore brenda kufijve të vet, ne do të punojmë ngushtësisht me shqiptarët drejt një Shqipërie më të gjelbër dhe më të qëndrueshme këtu, madje para se të bëhet anëtare e BE-së. [Universiteti Politeknik i Tiranës po tregon rrugën – pasi universiteti juaj është udhëheqës apo partner në disa projekte Erasmus+ që synojnë mbështetjen e kërkimit dhe novacionit mbi energjitë e rinovueshme dhe zhvillimin e një ekonomie me karbon të ulët.] 

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i asistencës së BE-së për Shqipërinë është mbështetja që po i japim Arsimit dhe Formimit Profesional, i njohur ndryshe edhe si AFP. Gjatë dekadës së fundit, rreth 30 milionë euro janë investuar nga BE-ja në Shqipëri për ta transformuar sistemin e AFP-së në vend. Rehabilitimi i qendrave të AFP-së dhe përmirësimi i kompetencave të mësuesve të AFP-së, shtrirja e arsimit dhe formimit profesional në zonat rurale dhe grupet e margjinalizuara, si dhe përshtatja e ofertës së AFP-së me mundësitë e punësimit janë ndër pikat kryesore të ndihmës sonë. 

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, dua të përmend atë çka po bën BE-ja për ta ndihmuar Shqipërinë të përmirësojë infrastrukturën e saj shkollore pas tërmetit shkatërrimtar që goditi Shqipërinë në vitin 2019, përmes programit tonë “BE për shkollat”. Me një grant të BE-së prej 75 milionë eurosh, 63 institucione arsimore po rindërtohen apo riparohen në dobi të 40.000 nxënësve, fëmijëve dhe mësuesve. Programi “BE për shkollat” është investimi më i madh i BE-së në edukimin e fëmijëve në Shqipëri. Ai hedh themelet për të mësuarit e mëtejshëm në dobi të brezave të rinj të vendit. 

Të dashur miq, 

Gjatë vizitës së saj në Shqipëri muajin e kaluar, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen përsëriti se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian dhe se ne i qëndrojmë fort këtij angazhimi. BE-ja ka riafirmuar mbështetjen e vet të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, sepse, siç tha Presidentja Von der Leyen, “ashtu si në Bashkimin Evropian, qytetarët shqiptarë dhe veçanërisht të rinjtë shqiptarë, meritojnë një të ardhme më të gjelbër, më të qëndrueshme dhe më digjitale, për të cilën ne po punojmë”. 

Siç e kam thënë edhe herë të tjera, për ta bërë si duhet integrimin e Shqipërisë në BE, na duhet ndihma dhe zëri i atyre që janë qytetarët e ardhshëm të Bashkimit Evropian. 90% e të rinjve të Shqipërisë – që ju përfaqësoni këtu sot – duan ta shohin Shqipërinë në BE dhe ju ftoj të gjithëve ta bëni të qartë, ta bëni të dëgjueshme dhe të kontribuoni përmes studimit, angazhimit, përkushtimit dhe pjesëmarrjes tuaj aktive në shoqëri.  

“Evropa është këtu” si 61 yjet në hartën shqiptare. “Evropa është këtu” çdo ditë, sepse ne e ndihmojmë Shqipërinë çdo ditë në rrugëtimin e saj drejt BE-së. 

Evropa është këtu sepse këtu është Evropë! 

Ju faleminderit! 

Languages:
Seksionet editoriale: