Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjala e Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca gjatë konferencës për shtyp me Kryeministrin Edi Rama pas dorëzimit të Raportit të KE-së për Shqipërinë për vitin 2021

Tirana, Albania, 20/10/2021 - 16:39, UNIQUE ID: 211020_12
Speeches of the Ambassador

I dashur Kryeministër, Zonja dhe Zotërinj, 

Dje Komisioni Evropian miratoi paketën e zgjerimit për vitin 2021, përfshirë raportin vjetor për Shqipërinë. 

Sot në mëngjes kam kënaqësinë t'ia dorëzoj raportin Kryeministrit. 

Menjëherë pas kësaj konference për shtyp, do të paraqes gjetjet kryesore të raportit vjetor në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian. 

Pata rastin t’ia dorëzoj raportin Kryetares së Kuvendit Nikolla, dhe të njëjtën gjë do të bëj edhe me Presidentin Meta. 

Javët e fundit kanë treguar edhe një herë se Ballkani Perëndimor mbetet një prioritet i lartë për BE-në. Tri javë më parë, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen vizitoi rajonin, duke filluar me Tiranën, ku përsëriti me vendosmëri angazhimin e Komisionit për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ajo konfirmoi vendosmërinë e Komisionit për të ecur përpara me negociatat e pranimit, duke mbajtur Konferencat e para Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur nën presidencën sllovene, para fundit të vitit. 

Më 6 tetor, në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Brdo, udhëheqësit rikonfirmuan përkushtimin e tyre ndaj procesit të zgjerimit dhe angazhimin e tyre të përbashkët për të çuar përpara transformimin e rajonit, si dhe për të mbështetur rimëkëmbjen e tij ekonomike pas krizës së COVID-it, në veçanti përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve. 

Bazuar në metodologjinë e re, raporti vjetor i miratuar dje jep një vlerësim të drejtë se ku qëndron vendi në rrugën e tij të integrimit në BE që nga viti i kaluar 2020. Ai jep merita aty ku duhet dhe nënvizon fushat ku përparimi ka qenë i pamjaftueshëm dhe që kërkojnë më shumë vëmendje. 

Në përgjithësi, raporti pranon se pavarësisht sfidave të vazhdueshme, në një kontekst të shënuar nga pandemia, Shqipëria ka vazhduar të bëjë përparim me reformat e orientuara drejt BE-së, si dhe të japë rezultate të prekshme. 

Raporti konfirmon se Shqipëria i ka përmbushur kushtet e përcaktuara nga Këshilli. Prandaj Komisioni përsërit mendimin e tij se Konferenca e parë Ndërqeveritare duhet të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur dhe para fundit të këtij viti. Puna intensive vazhdon nga ana e gjithë udhëheqësve të BE-së për të punuar me Shtetet Anëtare për kapërcimin e çështjeve dypalëshe në pritje, në mënyrë që kjo të ndodhë. Vonesat në nisjen zyrtare të negociatave të pranimit të vendosura nga Këshilli në mars 2020 kanë një ndikim negativ në besueshmërinë e BE-së. 

Më lejoni tani të them disa fjalë për çështjet më të rëndësishme të trajtuara në Raportin Vjetor. 

Në fushën e sundimit të ligjit, raporti pranon se rezultatet konkrete kanë vazhduar me përparim në reformën gjyqësore dhe vetingun e gjyqtarëve. 

Shqipëria gjithashtu ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ajo ka krijuar organe të reja të specializuara të zbatimit të ligjit. Shqipëria ka marrë pjesë aktive në një numër operacionesh ndërkombëtare të zbatimit të ligjit kundër krimit të organizuar, duke çuar në arrestime të profilit të lartë. 

Vrulli i reformës në çështjet e sundimit të ligjit duhet të vazhdojë. Në veçanti, ne presim përparim të vazhdueshëm në krijimin e një historiku të zbatimit të ligjit. 

Raporti pranon qartë se Shqipëria është edhe një herë 100%  në përputhje me Politikën e Përbashkët dhe të Sigurisë së Jashtme të BE-së. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se kjo përfshin ndonjëherë vendime të vështira nga autoritetet shqiptare. Një arsye pse e përgëzojmë Shqipërinë për këtë arritje të vazhdueshme. 

Më lejoni të nënvizoj një fushë ku raporti ngre shqetësime, lirinë e shprehjes. Atmosfera e sulmeve verbale, fushatave shpifëse dhe akteve të frikësimit ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar. Duhet bërë më shumë për të siguruar pavarësinë dhe legjitimitetin e rregullatorit të medias, si dhe për të forcuar pavarësinë, standardet profesionale dhe qëndrueshmërinë financiare të transmetuesit të shërbimit publik. Duhet siguruar vetë-rregullimi në mediet online. Parlamenti dhe qeveria që dolën nga zgjedhjet e 25 prillit duhet të respektojnë angazhimin për të siguruar që çdo ndryshim i mundshëm në ligjin për median të jetë në përputhje me Opinionin e Komisionit të Venecias dhe t'i nënshtrohet konsultimeve të duhura. 

Ne do të vazhdojmë t’i ndjekim nga afër zhvillimet në këtë fushë të rëndësishme. 

Është gjithashtu e rëndësishme të shohim më shumë përparim në çështjet që lidhen me pakicat. Duhen miratuar aktet e mbetura nënligjore mbi të drejtat e personave që u përkasin pakicave, ndërsa procesi për regjistrimin e pronave, shpronësimin dhe kompensimin duhet çuar përpara. 

Sa i përket kritereve ekonomike, raporti gjykon se qeveria dhe banka qendrore ndërmorën veprime të shpejta dhe të përshtatshme për të mbështetur biznesin, familjet dhe sektorin e shëndetësisë pas krizës së COVID-it. Kjo zbuti ndikimin në tregun e punës dhe ruajti stabilitetin e sektorit makroekonomik dhe financiar. 

Kryeministër, Zonja dhe Zotërinj, 

Në paketën e zgjerimit të miratuar dje, Komisioni përsëriti rekomandimin e tij të qartë që Konferenca Ndërqeveritare të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur dhe para fundit të vitit. 

Ndërsa ne të gjithë presim me padurim që kjo të ndodhë, është thelbësore që Shqipëria të vazhdojë të përmbushë të gjitha kushtet që lidhen me të, si dhe të vazhdojë të japë rezultate në reformat që lidhen me BE-në në të gjitha fushat. 

Fushat kryesore ku pritet progres i vazhdueshëm janë vetingu i gjyqësorit dhe zgjatja e tij, një historik kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe liria e medias. 

Reformat që lidhen me BE-në janë para së gjithash në interesin strategjik të Shqipërisë dhe ofrojnë përfitime konkrete për qytetarët. 

Integrimi në BE funksionon tashmë në terren, ai po ndodh ndërkaq çdo ditë duke përmirësuar jetët e shumë shqiptarëve. 

Prandaj, shpresoj që qeveria, parlamenti në tërësi, si dhe aktorët e tjerë të shoqërisë të jenë të gjithë gati për të ecur më tej, të vetëdijshëm se vetëm duke vepruar kështu ata mund të sigurojnë që përparësia kombëtare dhe ndërpartiake e integrimit të Shqipërisë në BE mund të arrihet. 

Faleminderit!  

Languages:
Seksionet editoriale: