Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Takimi i 12-të i Nënkomitetit BE-Shqipëri mbi Transportin, Energjinë, Mjedisin dhe Zhvillimin Rajonal

Tirana, Albania, 01/10/2021 - 14:41, UNIQUE ID: 211001_5
Press releases

Takimi i 12-të i Nënkomitetit mbi Transportin, Energjinë, Mjedisin dhe Zhvillimin Rajonal mes BE-së dhe Shqipërisë u zhvillua më 30 shtator 2021 përmes një video-konference. Përfaqësues nga Komisioni Evropian (Komisioni) diskutuan me autoritetet shqiptare për zhvillimet më të fundit në këto fusha. Takimi u bashkëdrejtua, për BE-në nga Detlev Boeing, koordinator i MSA-së dhe Zyrës së Ndërlidhjes për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, dhe nga Z. Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë për Shqipërinë. 

Komisioni mirëpriti përparimin e arritur nga Shqipëria në fushat që lidhen me Agjendën e Gjelbër dhe ndërlidhjen e qëndrueshme, veçanërisht përmes planifikimit të rishikuar të transportit dhe ndërlidhjes së energjisë, si dhe inkurajoi vendin të përshpejtojë reformat e nevojshme, zbatimin e strategjive dhe përafrimin me acquis. Në të gjitha fushat, Komisioni theksoi nevojën për të siguruar koherencë me prioritetet e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, siç përcaktohet nga Agjenda e Gjelbër. 

Plani Ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin Perëndimor parashikon për vitet në vijim investime të konsiderueshme në infrastrukturë në Shqipëri, të tilla si për rrjetet e gazit, hekurudhat dhe rrugët. Në mënyrë që të mund të përfitojë prej tij, Shqipëria duhet të përmirësojë kapacitetin e saj të planifikimit dhe zbatimit të investimeve. 

Sa i përket transportit, Komisioni mirëpriti pjesëmarrjen e Shqipërisë në aktivitetet e Komunitetit të Transportit dhe miratimin e Planeve të Veprimit me hapa të detajuar për të përmirësuar në veçanti sigurinë rrugore, hekurudhat, transportin ujor dhe atë multimodal. Puna për zgjerimin e korsive/korridoreve të gjelbra me Shtetet Anëtare të BE-së ka përparuar. Legjislacioni për krijimin e agjencisë hekurudhore është miratuar. Shqipëria duhet të vazhdojë përafrimin legjislativ dhe të rrisë përpjekjet për të përmirësuar cilësinë e anijeve nën flamurin shqiptar. 

Në sektorin e energjisë, Shqipëria duhet të përshpejtojë liberalizimin e tregut të energjisë elektrike dhe të finalizojë krijimin e shkëmbimit të energjisë për të siguruar integrimin e saj me vendet fqinje. Vendi duhet të vazhdojë me miratimin e legjislacionit për efiçencën e energjisë. 

Në fushën e mjedisit dhe ndryshimit të klimës, KE-ja mirëpriti vendimin e qeverisë shqiptare për ta vendosur mbrojtjen e mjedisit në krye të agjendës politike. Gjithashtu u pranua përparimi i arritur në hartimin e kuadrit të politikave të mbetjeve dhe ndryshimeve klimatike. Sidoqoftë, Shqipëria ende përballet me shumë sfida që lidhen me zbatimin e legjislacionit për ajrin, mbetjet dhe ujërat. Nevojiten burime njerëzore dhe financiare më të mira dhe më të shumta për t’iu përgjigjur kërkesave të zbatimit në sektorët e mbetjeve dhe ujit. Investimet në infrastrukturë në zonat e mbrojtura duhet të kalojnë përmes vlerësimeve të plota mjedisore dhe konsultimeve publike para se të merret vendimi për zbatimin e tyre. Gjithashtu, Shqipëria duhet t'i japë përparësi përafrimit dhe zbatimit të acquis të BE-së për klimën, si dhe zbatimit të Marrëveshjes së Parisit. Tërmetet e vitit 2019, pandemia Covid-19 dhe zjarret e kohëve të fundit në pyje nxorën në pah nevojën e ngutshme për forcimin e strukturave dhe sistemeve të mbrojtjes civile

Komisioni vuri në dukje se Shqipëria po punon për një reformë të zhvillimit rajonal dhe do ta mbështesë atë në këtë proces.    

Languages:
Seksionet editoriale: