Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Soreca ne tryezën e rrumbullakët “5 vjet nga Reforma në Drejtësi: Konsolidimi i sistemit me Strategjinë e re Ndërsektoriale të Drejtësisë 2021-2025”

Tirana, Albania, 23/07/2021 - 12:34, UNIQUE ID: 210723_5
Speeches of the Ambassador

 

Miratimi i reformës në drejtësi përfaqëson një moment në kohë që nisi një “epokë” të re për shtetin e së drejtës në Shqipëri. Është një nga hapat më të rëndësishëm të ndërmarrë nga vendi në 30 vitet që nga rënia e diktaturës. Ajo shënoi një fillim vendimtar për një Shqipëri moderne dhe evropiane.

Ky moment meriton të kujtohet sot. Miratimi i reformës kërkoi guxim, besim, punë të palodhur dhe angazhim të fortë.

Faza e zbatimit në këta pesë vjet ka sjellë njohjen e kompleksitetit të reformës. Zbatimi i saj nuk ka qenë i lehtë, nuk ka qenë i përsosur. Por këta pesë vjet na kanë sjellë edhe bindjen mbi domosdoshmërinë e kësaj reforme. Është thelbësore që Shqipëria të largohet nga e kaluara e saj, drejt një të ardhmeje evropiane.

Periudha e zbatimit na ka konfirmuar po ashtu të gjithëve se kur Shqipëria dhe shqiptarët punojnë së bashku dhe bashkojnë forcat, gjithçka është e mundur. Kur ka vullnet, ka rrugëdalje.

Vendosja e reformës në praktikë ka qenë e vështirë. Veçanërisht sepse është luftë kundër mosndëshkimit, luftë për të rifituar besimin e publikut dhe më e rëndësishmja, luftë për të rivendosur integritetin si një vlerë thelbësore.

Një zbatim efektiv kërkon ndjekje, përkushtim, angazhim dhe dialog të intensifikuar. Kërkon forcë për të vazhduar kur disa nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë apo të jenë konstruktivë.

Kërkon forcë, ndonjëherë pragmatizëm. Kërkon qëndrueshmëri, kompetencë dhe udhëheqje.

Qëndrueshmëri do të thotë të ngrihesh dhe ta provosh përsëri kur formula nuk përmbush menjëherë pritjet e mëdha.

Kompetenca është aftësia dhe shtysa për të zbatuar standardet më të larta të mundshme të BE-së.

 Udhëheqja nënkupton një koordinim të zgjeruar, bashkëpunim dhe aftësi për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, duke zgjedhur këshillat e duhura në kohën e duhur, me një qëndrim të përqendruar te zgjidhja dhe bashkëpunimi, për suksesin e reformës në drejtësi.

 Prandaj më lejoni të përfitoj nga rasti sot për të kërkuar më shumë qëndrueshmëri, më shumë bashkëpunim dhe konsultim, si dhe më shumë udhëheqje nga të gjitha palët e spektrit politik, nga të gjitha institucionet e drejtësisë, si dhe nga shoqëria civile dhe bota akademike.

 Puna e vazhdueshme për efikasitetin e gjyqësorit është, sipas mendimit tim, përparësia e përparësive. Duke u përqendruar te përmbushja e shpresës themelore të qytetarëve: dhënia e drejtësisë në mënyrë efikase.

Më pas është e rëndësishme të sigurohen disa nga arritjet më të mëdha të reformës në drejtësi - pavarësia dhe integriteti i sistemit të drejtësisë - në muajt e ardhshëm kur disa nga institucionet e reja do të rinovohen.

Ne mendojmë se objektivi kryesor për pesë vitet e ardhshme është të punojmë edhe më shumë për të mbyllur dhe vulosur zbatimin e reformës. Parlamenti i ri në shtator do të ketë përgjegjësi të rëndësishme dhe do të vëzhgohet me kujdes për përmbushjen e tyre.

Pas pesë vjetësh dhe në fund të strategjisë së parë ndërsektoriale të drejtësisë, ne gjendemi në një moment kyç. Baza kushtetuese dhe ligjore është vendosur, kuadri institucional është i plotë, rezultatet e para në drejtim të luftës kundër mosndëshkimit dhe korrupsionit janë arritur. Strategjia e re, e dytë e drejtësisë, duhet ta çojë reformën drejt hapit tjetër: qëllimi i saj i shpallur për përafrimin e sistemit shqiptar të drejtësisë me standardet më të mira evropiane në të gjitha aspektet e saj.

Strategjia është një mjet. Një mjet i rëndësishëm i koordinimit dhe bashkëpunimit për hapat e ardhshëm për reformën në drejtësi. Është inkurajuese të shohësh sot rreth tryezës gjithë lojtarët kryesorë të angazhuar në planifikimin për të ardhmen. Është një mënyrë e mirë për të shënuar përvjetorin e miratimit të reformës në drejtësi.

Reforma në Drejtësi mbetet një nga përparësitë kryesore për BE-në dhe Shtetet e saj Anëtare në Shqipëri. Investimi i BE-së dhe Shteteve Anëtare të saj në këtë sektor flet më shumë se fjalët në këtë drejtim. Ne e kemi mbështetur reformën në drejtësi në të gjitha nivelet, në të gjitha format dhe me një angazhim të konsiderueshëm financiar prej 50 milionë eurosh deri më tani, si dhe 9 milionë euro të tjera që do të vijnë. Ne nuk do të ndalemi së vepruari kështu sepse duam ta shohim Shqipërinë më pranë BE-së.

 Afrimi i Shqipërisë më pranë BE-së ka qenë angazhimi im personal që nga dita e parë dhe do të jetë derisa të largohem. Liberalizimi i vizave në vitin 2010 hapi një derë, reforma në drejtësi ka kontribuar shumë për hapjen e një dere tjetër vitin e kaluar, me vendimin e hapjes së negociatave. Shpresoj që dera kryesore e fillimit të bisedimeve të pranimit do të hapet shumë shpejt.

 Më lejoni ta përmbyll duke falënderuar gjithë autoritetet e pranishme sot, si dhe ata që nuk janë këtu, por që ndihmuan shumë për miratimin e reformës në drejtësi. Faleminderit që keni punuar shumë për Shqipërinë e drejtë evropiane që e duan kaq shumë shqiptarë.

Languages:
Seksionet editoriale: