Delegacioni i Bashkimit Evropian ne Shqiperi

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca gjatë Komitetit të 7-të Drejtues të Palëve të Interesit të EURALIUS V

Tirana, Albania, 14/07/2021 - 15:58, UNIQUE ID: 210714_32
Speeches of the Ambassador

Të dashur pjesëmarrës, pata kënaqësinë të takoj shumicën prej jush kohët e fundit dhe të diskutoj me ju mbi gjendjen, arritjet dhe shqetësimet tuaja kryesore lidhur me zbatimin e reformës në drejtësi. Sot do të flas shumë shkurt për të respektuar natyrën teknike të këtij komiteti të grupeve të interesit.

Unë jam këtu sot si përjashtim, duke qenë i vetëdijshëm se ky është një nga takimet e fundit të palëve të interesuara të EURALIUS V. Një projekt i financuar nga BE-ja që meriton falënderimet e mia të veçanta për mbështetjen që i ka dhënë deri më tani të gjitha institucioneve të drejtësisë në Shqipëri, për qëndrueshmërinë e treguar në kohë trysnie dhe veçanërisht për këmbënguljen vitin e fundit për të mos ndaluar kurrë së punuari gjatë periudhës pandemike.

Unë do të doja të bëja 3 vërejtje themelore sot:

Së pari, EURALIUS - së bashku me PAMECA-n - ka qenë një nga projektet më të rëndësishme të bashkëpunimit në fushën e sundimit të ligjit në Shqipëri. Për BE-në, ka qenë projekti më i madh - për sa i përket buxhetit dhe fushëveprimit - në fushën e drejtësisë. Është kështu për një arsye të fortë.

Projekti nisi në të njëjtën kohë me zbatimin e reformës në drejtësi dhe kishte për qëllim të mbështeste të gjitha nevojat e të gjitha institucioneve të reja të krijuara nga reforma. Një sfidë e madhe, të cilën ekipi e ka ndërmarrë me guxim dhe profesionalizëm. Projekti ka bashkuar ekspertizën më të mirë të BE-së dhe ekspertizën më të lartë vendore dhe ndërsa flasim, modeli Euralius po përsëritet në Bosnjë & Hercegovinë, në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë.

Euralius tani po hyn në muajt e fundit të zbatimit të tij (duke përfunduar në dhjetor 2021), por mbetet një mbështetës kryesor në një numër përparësish kryesore të reformës në drejtësi.

Së pari, puna për efikasitetin e gjyqësorit, duke mbështetur drejtpërdrejt Gjykatën e Lartë dhe gjykatat e tjera, është për mendimin tim përparësia e përparësive. Përqendrimi në përmbushjen e pritjes kryesore të qytetarëve: dhënia në mënyrë efikase e drejtësisë.

Së dyti, mbështetja e vazhdueshme e kolegëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Kjo mbështetje vazhdon çdo ditë, përfshirë punën për aktet nënligjore, rregulloret dhe materialet e punës. Mbështetje e cila është thelbësisht e rëndësishme për të siguruar disa nga fitimet më të mëdha të reformës në drejtësi - pavarësinë dhe integritetin e sistemit të drejtësisë.

Së treti, mbështetja për SPAK. Megjithëse nuk ishte fokusi kryesor i EURALIUS-it (për shkak të ekspertizës së siguruar nga PAMECA, komisioni ndërkombëtar BKH dhe projekti i ri i BE-së i përqendruar në hetimin financiar, 5.5 milionë Euro), EURALIUS ka qëndruar pranë SPAK-ut për ndërtimin e kapacitetit për të ofruar atë që është ndoshta arritja më e dukshme - sigurisht së fundmi –reforma: duke treguar se askush nuk është mbi ligjin, duke sjellë zyrtarë dhe magjistratë të korruptuar para drejtësisë dhe duke konfiskuar pasuritë e grupeve të krimit të organizuar. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se duhet më shumë, por po shohim frytet e reformës dhe të mbështetjes së BE-së.

Vërejtja ime e dytë ka të bëjë me konfirmimin se Reforma në Drejtësi mbetet një nga përparësitë kryesore për BE-në Shqipëri. Investimet e BE-së në këtë sektor flasin më shumë se fjalët në këtë drejtim. Mbi 50 milionë euro, në formën e mbështetjes së drejtpërdrejtë buxhetore, granteve dhe formave të tjera të ndihmës deri më tani. Dhe ndërsa Euralius V do të përfundojë në dhjetor, ne tashmë po sigurohemi që të mos lëmë asnjë boshllëk në mbështetjen e BE-së.

Euralius - një projekt me spektër të gjerë dhe mandat të gjerë - ka bërë punën e vet duke ju ndihmuar të ndiqni reformën në drejtësi. Tani - kur të gjithë ju tashmë jeni ngulur fort rreth kësaj tryeze, me mandatet dhe sfidat tuaja të larmishme - është koha për një brez të ardhshëm të projekteve të mbështetjes të financuara nga BE-ja, duke iu përgjigjur në mënyrë të personalizuar nevojave tuaja të veçanta. Nga tani deri në fund të vitit të ardhshëm, do të shohim një projekt të ri kushtuar mbështetjes së Ministrisë së Drejtësisë në rolin e saj koordinues dhe raportues, vazhdimin e mbështetjes për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, një ekip i ri të përkushtuar që ndihmon Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorinë e Përgjithshëm dhe SPAK, si dhe një program të dedikuar kolegësh për Shkollën e Magjistraturës. (Buxheti total i projekteve të reja në proces është 9 milionë euro).

BE-ja nuk do ta ndalë mbështetjen për sistemin e drejtësisë dhe institucionet e drejtësisë.

Vërejtja ime e tretë ka të bëjë me rolin tuaj: Pikërisht në këtë moment kërkohen dy aftësi kryesore nga institucionet gjyqësore dhe Ministria: udhëheqje dhe kompetencë. Me udhëheqje nënkuptoj koordinimin, bashkëpunimin dhe aftësinë për të arritur një marrëveshje. Kompetenca nga këndvështrimi im është aftësia dhe vullneti për të zbatuar standardet më të larta të mundshme të BE-së.

EURALIUS - dhe çdo projekt i ardhshëm i bashkëpunimit - janë vetëm mjete në duart tuaja. Ato janë aty për t'ju ndihmuar, ato nuk janë zgjidhje për problemet tuaja.

Ajo që ka vërtet rëndësi është që ju të tregoni udhëheqje dhe kompetencë për të zgjedhur këshillat e duhura në kohën e duhur. Prandaj, me të vërtetë shpresoj, në çdo moment në kohë, ta shfrytëzoni në mënyrë konstruktive, me një qëndrim të bazuar te zgjidhjet dhe bashkëpunimi, për suksesin e reformës në drejtësi.

Faleminderit të gjithëve për bashkëpunimin dhe punën e bërë deri më tani. Faleminderit gjithë kësaj skuadre!

Për pjesën tjetër të diskutimit të sotëm, po ua lë ekspertëve të Euralius-it dhe të gjithë juve, përfituesve të ndihmës sonë dhe kolegëve të mi të Delegacionit, për të pasur diskutime më të hollësishme mbi aktivitetet konkrete që do të prezantohen sot.

Punë të mbarë dhe faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: