“Supershkollat” si një urë kulturore në rajon që ndërton paqen dhe të ardhmen
“Projekti i parë i përbashkët që pata me bashkëmoshataren time nga Maqedonia e Veriut ishte një biznes. Eva projektoi arkitekturën e objektit, ndërsa unë dhe bashkëmoshatarët e mi shqiptarë punuam për dizajnin e brendshëm dhe marketingun”, thotë Ania Burnazi, një 17-vjeçare që mori pjesë në “Supershkollat”, një program rajonal i shkëmbimit të shkollave që i dha përvojën e punës në projektin e saj të parë ndërkombëtar, si dhe një mike nga një vend tjetër.
Dymbëdhjetë nxënës dhe dy mësues nga shkolla “Zdravko Cvetkovski” në Maqedoninë e Veriut, vizituan Shqipërinë për një program shkëmbimi njëjavor. Nëpërmjet kësaj nisme, studentët patën mundësinë të ndjekin mësimet së bashku, të prezantojnë veten dhe shkollat e tyre, të përfshihen në diskutime, të udhëtojnë, të eksplorojnë historinë dhe kulturën e qytetit dhe të jetojnë me familjet pritëse.
Ania studion për multimedia dhe dizajn grafik në Shkollën Profesionale Teknike Elektrike “Gjergji Canco”, një nga 16 shkollat në Shqipëri të vlerësuara me titullin “Supershkolla”. Projektet e shkollave të përzgjedhura synojnë të kontribuojnë për ndërtimin e paqes, pajtimin, të mësuarit ndërkulturor dhe dialogun brenda kornizës së Programit të Shkëmbimit të Shkollave në Ballkan.
“Eva, bashkëmoshatarja ime nga Maqedonia e Veriut, qëndroi në shtëpinë time, gjë që na dha mundësinë të njihemi më mirë. Ajo studion arkitekturë dhe e do muzikën. Krahas aktiviteteve shkollore, shëtitëm nëpër qytet, eksploruam Dajtin, dhe mbrëmjeve grupi ynë mblidhej, luanim në kitarë dhe këndonim këngë nga të dy vendet. Ishte një përvojë e mrekullueshme, sepse mundëm të ndajmë pikëpamjet, njohuritë dhe kulturën tonë. Mezi pres vizitën tonë në Shkup, ku do të qëndroj në shtëpinë e Evës”, thotë Ania.
Shkëmbimin e koordinoi mësuesja e saj, Eni Xhogu. Gjetja e një shkolle partnere, krijimi i miqësive përmes rrjetit të “Supershkollave”, aplikimi me një temë projekti dhe zbatimi i nismës ka qenë një përvojë pasuruese për të dyja shkollat.
“Programi përfshin bashkëpunimin mes shkollave, shkëmbimet e studentëve, aktivitete të projektit dhe ngritjes së ekipit, integrimin social, ngritjen e kapaciteteve, vizitat e trashëgimisë kulturore dhe miqësitë, pasi studentët presin njëri-tjetrin. Do të inkurajoja çdo shkollë të aplikonte për këtë program, pasi luan një rol kyç për ndërtimin e paqes mes brezave të rinj”, thotë Eni Xhogu.
Ky është një nga projektet e shumta përmes të cilave Delegacioni Evropian në Shqipëri mbështet arsimin. Nisma të tjera fokusohen te përmirësimi i mjediseve, përmirësimi i metodave të mësimdhënies, mbështetja e të rinjve dhe inovacionit, si dhe rritja e mundësive për studentët.
“Dua që të gjithë të kenë përvojën që pata unë”, thotë Ania Burnazi, ndërsa përgatitet të vizitojë një vend tjetër dhe të zhytet në një kulturë tjetër – pikërisht përtej kufirit.
Informacion
“Supershkollat” është një program i RYCO-së për shkëmbimet e shkollave në rajon me objektiva për të mbështetur procesin e ndërtimit të paqes dhe pajtimit, si dhe të mësuarit ndërkulturor dhe dialogun midis shkollave, studentëve dhe komuniteteve të tyre. Programi është pjesë e një projekti me shumë donatorë "Skema e Shkëmbimit të Shkollave të Ballkanit Perëndimor", bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) dhe zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) së bashku me Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO). Programet e RYCO-së fokusohen në krijimin e mundësive për të rinjtë që të përfshihen në aktivitete që ndërtojnë mirëkuptim dhe pajtim të ndërsjellë në fushat e qytetarisë, ato sociale, arsimore, kulturore dhe sportive. RYCO inicion dhe merr pjesë në politikëbërje dhe advokon për reforma. Ai mbështet zhvillimin e një mjedisi politik dhe social që fuqizon dhe lehtëson shkëmbimin mes të rinjve.