“Procesi ligjor për të rifituar vajzat e mia”; historia e një babai rom që humbi kujdestarinë e fëmijëve

"Kur vajzat tona na panë në gjykatë, filluan të qajnë. Unë dhe ime shoqe, po ashtu. Kishim muaj të ndarë dhe nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Është e vërtetë, ne jemi të varfër, por kishim harmoni në shtëpi". Ilmi Mejdani, 42 vjeç dhe baba i shtatë fëmijëve, kujton me sytë e mbushur me lot periudhën e vështirë kur humbi kujdestarinë e vajzave të tij, 11 dhe 8 vjeçe.

"Isha i sëmurë dhe u shtrova në spital për gjashtë muaj. Përveç diabetit, bëra një operacion në zemër dhe ekonomikisht ishim të shkatërruar. Asokohe, nuk punoja dot dhe ndihem tmerrësisht keq që gruaja ime detyrohej të dilte për të lypur me fëmijët. Nuk e kishim bërë kurrë më parë këtë. Ishim të varfër, por gjithmonë ishim përpjekur të punonim për të mbajtur familjen", shpjegon ai.

Ilmi Mejdani dhe bashkëshortja e tij Trëndelina, banorë të Tiranës, tregojnë historinë e tyre, duke kujtuar takimet me policinë, shërbimet sociale dhe imazhin e dhimbshëm të një makine që largohej nga komisariati me vajzat e tyre, ndërkohë që ata qëndronin të pafuqishëm për të mbrojtur familjen.

Ndërsa familja Mejdani po përjetonte vështirësi të rënda ekonomike dhe përjashtim social, shërbimet sociale larguan dy nga vajzat e tyre për shkak të shqetësimeve për kushtet e tyre të jetesës. Ato u dërguan në një qendër përkujdesjeje për fëmijë në Sarandë, ndërsa prindërit e tyre mbetën me dhimbjen e papërballueshme dhe pafuqinë e pamundësisë për t’i vizituar ato apo për të plotësuar kërkesat për të rifituar kujdestarinë. Në pamundësi për të përballuar udhëtimin për në Sarandë apo edhe për të bërë një telefonatë – pasi nuk kishin telefon – familja ndihej sikur po i humbiste vajzat për herë të dytë. Kërkimi i tyre i dëshpëruar për ndihmë ligjore ishte kryesisht i pasuksesshëm.

"Nuk dinim më çfarë të bënim. Ishim të pashpresë dhe të dëshpëruar. Më pas na këshilluan të shkonim tek organizata “Drejtësi Sociale” dhe të kërkonim ndihmë", kujton Mejdani. Mbështetur nga projekti i Bashkimit Evropian “The Inclusive EduJobs”, në kuadër të nismës “Shërbime Ligjore Efikase për Anëtarët e Komunitetit: Një Biznes Social”, organizata “Drejtësi Sociale” e ndihmoi familjen rome në procesin ligjor. Ata lehtësuan transferimin e vajzave nga Saranda në Tiranë, mbështetën familjen gjatë proceseve gjyqësore dhe i orientuan për plotësimin e kushteve të kërkuara për të rifituar kujdestarinë.

“Falë këtyre përpjekjeve, vajzat u zhvendosën në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë. Të paktën, pas disa muajsh ndarjeje, mund t'i vizitonim pothuajse çdo ditë. Ndërkohë, gjeta një punë, dhe gruaja ime u mbështet nga “Drejtësia Sociale”. Megjithatë, na u desh të kalonim disa seanca gjyqësore përpara se ta bashkonim më në fund familjen”, thotë Ilmi Mejdani.

Për të, procesi ligjor ishte i gjatë dhe i ndërlikuar. Por gati dy vjet pas humbjes së kujdestarisë, kur gjykata më në fund vendosi në favor të tij, ai ishte shumë i lumtur. "Shkuam në shtëpi dhe festuam. Kishim më shumë se një vit të ndarë dhe më në fund munda t'i shihja sërish vajzat e mia në shtëpi", kujton ai, pothuajse mes lotësh. "Dua thjesht ta harroj këtë", shton ai.

Familja Mejdani ishte një nga rastet ku mbështetja e projektit – duke ndihmuar prindërit të siguronin një punësim të qëndrueshëm dhe të përballeshin me sistemin ligjor – përmirësoi ndjeshëm gjendjen e tyre financiare dhe kushtet e jetesës, duke përmbushur përfundimisht kërkesat për riintegrim. Ky është gjithashtu një shembull i fuqishëm i ndërhyrjes gjithëpërfshirëse të projektit, duke shënuar një sukses të paprecedent: familjet rome janë përpjekur historikisht për të rifituar kujdestarinë e fëmijëve të tyre pasi e kanë humbur.

"Ne nuk flasim më për atë periudhë dhe nuk jemi ndarë më që atëherë. Duam ta lëmë pas. Nuk mund të flisja me to dhe nuk mund t'i shihja. Kur i morën, uleshim në tryezë me dy pjata më pak. Nuk haja dot, thjesht shikoja vendet bosh", thotë Ilmi Mejdani, një baba që rifitoi të drejtën për të jetuar me vajzat e tij.

 

Informacion plotësues

Objektivi i përgjithshëm i projektit të financuar nga BE-ja, “Inclusive EduJobs”, është të përmirësojë përfshirjen e grave dhe burrave, djemve dhe vajzave nga komunitetet rome dhe egjiptiane në Shqipëri duke forcuar kapacitetet bashkiake për të krijuar dhe ofruar shërbime gjithëpërfshirëse për qytetarët romë dhe egjiptianë në fushën e punësimit dhe arsimit gjithëpërfshirës. Kjo synohet të arrihet përmes promovimit të skemave të vetëpunësimit/punësimit, ndërmarrjeve sociale dhe qasjes në arsimin digjital dhe të përzier për nxënësit romë dhe egjiptianë në nivel vendor nëpërmjet mbështetjes financiare për palët e treta apo dhënies së nëngranteve për çdo skemë ndërhyrjeje në fushën e punësimit apo arsimit. “Inclusive EduJobs” ka tri shtylla kryesore: Rritjen e qasjes në tregun e punës, përmirësimin e arritjeve shkollore të nxënësve romë dhe egjiptianë dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe organizatave.