Marrëdhëniet politiko-ekonomike

Bashkimi Europian ka qenë pjesë integrale e përpjekjeve nderkombëtare për ndërtimin e një të ardhmeje të re për Kosovën që nga viti 1999.

Bashkimi Europian – shtetet anëtare dhe institucionet e tij, veçanërisht Komisioni Europian – luan një rol të rëndësishëm në rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës. Bashkimi Europian është donatori më i madh që ofron ndihmë për Kosovën dhe rajonin e Evropës Juglindore në tërësi dhe udhëheq përpjekjet e rindërtimit.  

Kosova ka marrë mbi €2 miliardë ndihmë nga BE-ja që nga viti 1999. Ndërsa në fillim ishin të përqëndruara në aksione emergjente dhe ri-ndërtim, tani këto ndihma përqëndrohen kryesisht në mbikqyrjen e Kosovës në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe zhvillimit stabël ekonomik për një të ardhme të sigurtë Europiane.

18 shtetet anëtare të BE-s vazhdojnë të kenë përfaqësitë e tyre në Kosovë dhe disa organizata jo-qeveritare nga shtetet e BE-së janë aktive në vend.

BE e ka përsëritur (së fundmi në Këshillin Europian në Dhjetor 2010) që Kosova ka një perspektivë të qartë europiane së bashku me të gjitha shtetet e Ballkanit. BE-ja mbetet e vendosur të luajë rolin udhëheqës në sigurimin e stabilitetit të Kosovës përmes misionit për sundimin e ligjit në kuadër të Politikës së Sigurimit dhe Mbrojtjes Europiane (ESDP), përmes Përfaqësuesit Special dhe gjithashtu kontributit për Zyrën Civile Ndërkombëtare (ICO). Komisioni Europian e përcjell Kosovën në përpjekjen e saj për reforma europiane dhe ofron ndihmë e rekomandime; kjo edhe për të arritur synimet që Këshilli ka caktuar në Partneritetin Europian për Kosovën.

Më 11 korrik 2008, Komisioni mbajti në Bruksel Konferencën e Donatorëve për Kosovën. Në Konferencë, Komisioni kërkoi nga donatorët (shtetet anëtare të BE, donatorët jashtë BE-së, dhe institucionet financiare ndërkombëtare) të kontribuojnë në zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës dhe të ndihmojnë në mbulimin e mungesës të €1.4 miliard për periudhën 2009–2011. Shuma e kërkuar i tejkaloi €1.2 miliard, me kontributin total të BE-së (Komisionit + shteteve anëtare të BE) me mbi €800 millionë. Bashkimi Europian është prezent në Kosovë përmes:

Pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian së bashku me mandatin e PSBE janë bashkuar në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë. Para shkrirjes në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian ka funksionuar që nga shtatori i vitit 2004, dhe PSBE që nga viti 2008.

Zyra e BE-së luan një rol esencial në përmbushjen e agjendës evropiane në Kosovë me qëllim që të promovojë Kosovën drejt përafrimit me Bashkimin Evropian. Duke qenë pjesë integrale e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm si dhe e përfaqësimit të Komisionit Evropian në Prishtinë, Zyra siguron se dialogu i përhershëm politik dhe teknik mbështetet nga institucionet në Bruksel. PSBE ofron këshilla dhe mbështetje për Qeverinë e Kosovës në procesin politik, bënë bashkërendimin e të gjithë prezencës së BE-së në Kosovë; dhe i kontribuon zhvillimit dhe konsolidimit të respektimit të të drejtave njerëzore dhe lirive themelore në Kosovë. PSBE i raporton Këshillit të Bashkimit Evropian, një trup ndër-qeveritarë që i përfaqëson 27 shtetet anëtare të BE-së, përmes Përfaqësuesit të Lartë/Zëvendëspresidentes së Komisionit Evropian, Baroneshës Catherine Ashton.

Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) është misioni më i madh civil i ndërmarrë ndonjëherë nën platformën e Politikës së Sigurisë dhe Mbrojtjes Europiane. Qëllimi kryesor është të ndihmojë dhe përkrahë autoritetet e Kosovës në sundimin e ligjit, veçanërisht në polici, drejtësi dhe dogana. EULEX është një mision teknik i cili monitoron dhe këshillon ndërkohë që mban edhe disa funksione ekzekutive të kufizuara. Baza ligjore e EULEX-it është Aksioni i Përbashkët i Këshillit 2008/124/CFSP i datës 4 shkurt 2008. Kryesuesi i misionit të EULEX-it është Bernd Borchardt.

Për më shumë informacione, vizitoni www.eulex-kosovo.eu.