Njoftim për median nga Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë Štefan Füle "Shqipëria: Konsesusi për Bashkimin Evropian duhet të përkthehet në veprime" (04/02/2013)


Tiranë (4 shkurt) – Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë Štefan Füle vizitoi sot Shqipërinë për të diskutuar veprimet pas Konkluzioneve të Këshillit Evropian të dhjetorit të kaluar.

Gjatë qëndrimit në Tiranë ai pati takime me Presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Sali Berisha dhe Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. 

Komisioneri pati shkëmbime të hapura dhe të sinqerta me politikanët shqiptarë rreth prioriteteve të tyre përsa i përket aspiratave të vendit për integrim në Bashkimin Evropian dhe u nënvizoi partnerëve të tij që statusi i vendit kandidat për Shqipërinë është i arritshëm. Iu takon politikanëve shqiptarë ta bëjnë këtë realitet. Komisioneri Füle përsëriti që Komisioni është i vendosur të forcojë më tej procesin e integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. "I tërë procesi i reformave që kanë të bëjnë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian duhet të jetë i qëndrueshëm, përfshirës dhe i udhëhequr nga konsensusi – në të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë," tha Kommisioneri Füle pas takimeve të tij.

Komisioneri nënvizoi gjatë bisedimeve të tij në Tiranë që zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare të 2013 do të jetë një test kyç për funksionimin e mirë të institucioneve demokratike të vendit. Ai u bëri thirrje politikanëve të zhvillojnë zgjedhjet e qershorit në përputhje me standardet ndërkombëtare, të përmirësojnë besueshmërinë dhe reputacionin e institucioneve demokratike dhe të forcojnë përgjegjshmërinë e politikanëve kundrejt qytetarëve shqiptarë. Komisioneri i diskutoi këto çështje edhe me komunitetin ndërkombëtar në Shqipëri, përfshirë edhe përfaqësuesit e OSBE-së.