NJOFTIM I PËRBASHKËT PËR SHTYP I DELEGACIONIT TE BASHKIMIT EVROPIAN NE SHQIPERI DHE MINISTRISE SE INTEGRIMIT (17/01/2013)

 

Seminari për lirinë e medias dhe lirinë e fjalës në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë mblodhi së bashku mbi 180 profesionistë të medias shqiptare, institucione që kanë të bëjnë me lirinë e medias, ligjvënës dhe ekspertë ndërkombëtarë për të analizuar gjendjen aktuale të medias në Shqipëri dhe dhanë pikëpamjet e tyre për çështjet që përbëjnë shqetësim, sfidat si  edhe rrugën për të ecur përpara. Ky aktivitet që u zhvillua sot në Tiranë u organizua bashkërisht nga Komisioni Evropian dhe Ministria e Integrimit. 

Panelistët dhe pjesëmarrësit diskutuan një numër çështjesh, duke përshirë ato që nënvizohen në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, si shpifja, transparenca dhe hapja e tregut, pavarësia e transmetuesit publik, kushtet e punësimit të gazetarëve dhe etika e medias.  

Seminari u organizua në kontekstin e përqasjes së re të çëshjeve të lirisë së shprehjes dhe medias të theksuara në Strategjinë e Zgjerimit 2011-2012 të Bashkimit Evropian dhe në vijim të Raportit të Progresit 2012. Komisioni Evropian është angazhuar për të rritur vëmendjen ndaj këtyre çëshjeve në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe të monitorojë nga afër zhvillimet në këtë fushë në vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, përfshirë Shqipërinë. Komisioni Evropian gjithashtu është i gatshëm të forcojë bashkëpunimin e tij me autoritetet shqiptare dhe të mbështesë përpjekjet për të arritur standardet evropiane në këtë fushë.

"Në kontekstin e integrimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria ka gjithë potencialin për të pasur një bilanc pozitiv në fushën e lirisë së medias dhe në trajtimin e këtyre e këtyre çështjeve", tha zoti Andris Kesteris, Këshilltar Kryesor i ngarkuar për Shoqërinë Civile dhe Median i Drejtorit të Përgjithshëm për Komisionin Evropian.

Ministrja e Integrimit zonja Majlinda Bregu theksoi progresin e bërë nga Shqipëria në forcimin e lirisë së medias kohët e fundit nëpërmjet ndryshimeve të bëra kuadrit ligjor lidhur me shpifjen dhe moratoriumit për procedimet kundër gazetarëve, dhe ajo shprehu angazhimin e e qeverisë shqiptare për të ndërmarrë veprime të mëtejshme për të arritur standardet më të larta  evropiane për lirinë e medias. 
Në vijim të këtij eventi, autoritetet shqiptare dhe Komisioni Evropian do të hartojnë konkluzionet operative, që do të përfshijnë masa konkrete që duhen ndërmarrë dhe rezultate që duhen arritur për të garantuar dhe përmirësuar më tej lirinë e medias në Shqipëri.