FJALA E KOMISIONERIT PER ZGJERIMIN DHE POLITIKAT EVROPIANE TE FQINJESISE ŠTEFAN FÜLE DREJTUAR PARLAMENTIT SHQIPTAR (03/05/2012)

Zonja Kryetare, Zoti Kryeministër, të nderuar anëtarë të Parlamentit, zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi e madhe për mua të ndodhem sot në Tiranë.  Dëshiroj t’ju falënderoj për mundësinë për t’iu drejtuar Kuvendit dhe përmes jush edhe qytetarëve të Shqipërisë.

Dua ta shfrytëzoj këtë rast për të përsëritur mesazhin se e shoh të ardhmen e Shqipërisë si një anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Evropian.

E di se shumica e qytetarëve të vendit e shohin të ardhmen e tyre në Bashkimin Evropian.  Kjo është themelore për suksesin e reformave që duhen kryer për futjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kjo do të kërkojë një përpjekje të vërtetë kombëtare. Të gjithë mund dhe duhet të kontribuojnë për këtë synim kombëtar:
• Qeveria
• opozita
• institucionet ligjore
• gjyqësori
• qytetarët
• organizatat e shoqërisë civile

Duke punuar së bashku për vendin dhe qytetarët tuaj mund të arrini standarde të larta në jetën politike, ekonomike dhe sociale. Standarde që përputhen me atë çka ka arritur Bashkimi Evropian gjatë dekadave të kaluara në një klimë paqeje, pajtimi dhe prosperiteti.

Me gjithë krizën aktuale financiare, madje për shkak të saj, jam i bindur se integrimi evropian është përgjigja e duhur e evropianëve  ndaj këtyre sfidave. Kështu ka ndodhur edhe në fillim të viteve 90, menjëherë pas rënies së murit të Berlinit, kur vendi im përfitoi nga politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Pas zbatimit të disa reformave sfiduese por të frytshme, u bë anëtar i Bashkimit Evropian në vitin 2004.

Ne në Bashkimin Evropian ndonjëherë i nënvlerësojmë arritjet tona, sidomos kur shohim përmes lenteve të treguesve të zymtë ekonomikë të krizës aktuale financiare. Në fakt, kjo krizë nuk ka lidhje me zgjerimin e Bashkimit Evropian. Përkundrazi, në kohën kur ekonomia është e ekspozuar ndaj sfidave të globalizimit politika jonë e zgjerimit vjen si një zgjidhje për t’u përballur me këto sfida, përmes mundësive më të mëdha për tregti e biznes që përkthehen në zhvillim më të madh dhe në më shumë vende pune. 

Reformat që synojnë zgjerimin po kontribuojnë për stabilitetin politik dhe ekonomik të vendeve fqinjë të Bashkimit Evropian, veçanërisht këtu në Ballkanin Perëndimor. Prandaj nxitja e demokracisë dhe lirive themelore, si dhe konsolidimi i të drejtës ligjore në vendet aspirante është një pjesë kyçe e politikës sonë. Përfitimet strukturore ekonomike të arritur në këtë mënyrë, do ta ndihmojnë Evropën të përtërihet sërish.

Një Evropë më e madhe, e bazuar në këto vlera, mund të bëhet një Evropë ekonomikisht më e fortë, një Evropë me një cilësi më të mirë jetese për të gjithë. Shikoni rezultatet e politikës së zgjerimit:

• Kroacia do të hyjë së shpejti;
• Në qershor do të fillojnë negociatat me Malin e Zi;
• Serbisë iu dha statusi i vendit kandidat në mars;
• Të tjera vende në rajon, përfshirë Shqipërinë, por bëjnë përparime të dukshme.

Shikoni sa ka ecur Shqipëria në udhën drejt integrimit evropian. Në vitin 2009 hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asocimit mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Po atë vit Shqipëria aplikoi për anëtarësinë në Bashkimin Evropian, duke dërguar kështu një sinjal të rëndësishëm për angazhimin e saj ndaj reformave dhe vlerave të përbashkëta evropiane.

Që në fund të vitit 2010 Shqipëria ka hyrë në regjimin pa viza me Bashkimin Evropian. Tani qytetarët shqiptarë mund të bëjnë udhëtime afatshkurtra në zonën Shengen pa pasur nevojë për viza – një arritje që jam i bindur se të gjithë qytetarët shqiptarë e vlerësojnë shumë kur udhëtojnë në Bashkimin Evropian. Kjo u bë e mundur vetëm në sajë të zbatimit të suksesshëm të një numri reformash kërkuese në fushën e të drejtës ligjore dhe lëvizjes së njerëzve.

Po ashtu, përmes procesit të liberalizimit të vizave, Bashkimi Evropian ka treguar angazhimin e tij të fortë për t’ia sjellë të mirat e integrimit evropian qytetarëve të Shqipërisë. Lëvizja pa viza është në të mirë si të qytetarëve shqiptarë ashtu edhe të Bashkimit Evropian, sepse i afron më shumë qytetarët tanë dhe heq barrierat – një element kyç ky i integrimit evropian.

Më lejoni t’u kthehem zhvillimeve të fundit. Që pas marrëveshjes politike mes qeverisë dhe opozitës të arritur në nëntor 2011, shoh se të dyja krahët politike po bëjnë përpjekje për t’i çuar reformat përpara. Ka pasur arritje të mëdha si:
• zgjedhja e Avokatit të Popullit në mënyrë konsensuale dhe transparente;
• miratimi i mëtejshëm i disa ligjeve që kërkonin një shumicë prej 3/5;
• si dhe progres serioz në reformat zgjedhore dhe reformën e rregullave  procedurale parlamentare.

Për në tepër, rezultatet e para konkrete që burojnë nga zbatimi i Planit të Veprimit mars 2012 për trajtimin e Përparësive Kyçe sipas Opinionit të Komisionit janë inkurajuese, përfshirë fushën e të drejtës ligjore dhe të drejtave themelore. E vlerësoj faktin që Plani i Veprimit u konsultua gjerësisht me palët e interesuara.

Por që të materializohet synimi ynë i përbashkët për statusin e kandidatit dhe më pas anëtarësinë në Bashkimin Evropian, nevojiten më shumë përpjekje. Nuk ka vend për vetëkënaqësi. Progresi i mëtejshëm do të varet nga Ju:
• Së pari, do të varet nga stabiliteti dhe qëndrueshmëria e dialogut mes  forcave politike;
• Së dyti, do të varet nga aftësia juaj për të gjetur konsensus në parlament; e di që arritja e konsensusit është mjaft e vështirë, sepse ndonjëherë kërkon kompromise të vështira. Por përvoja jonë me zgjerimin tregon se anëtarësimi mund të arrihet vetëm kur ka konsensus për çështjet kyçe gjatë një periudhe afatgjatë; 
• Së treti, do të varet nga arritja e rezultateve konkrete dhe të prekshme nga ana e Shqipërisë në trajtimin me efikasitet të reformave të rëndësishme që lidhen me Bashkimin Evropian të identifikuara në Opinionin e Komisionit.

Këto reforma vendimtare njihen si 12 përparësitë kyçe. Plani i Veprimit mbetet baza për zbatimin e këtyre përparësive gjatë muajve në vijim. Është vendimtare që Shqipëria ta përdorë mirë periudhën deri në  raportin e  progresit të Komisionit në tetor për të demonstruar vullnetin e duhur politik për integrimin e mëtejshëm evropian. Lidhur me këtë, dëshiroj të theksoj katër pika me rëndësi të jashtëzakonshme:

1) reforma elektorale
2) roli që Parlamenti mund dhe duhet të luajë
3) e drejta ligjore
4) të drejtat e njeriut

Pika e parë: Mbajtja si duhet e zgjedhjeve sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare mbetet një përparësi qendrore për Shqipërinë  lidhur me aspiratat e saj për në Bashkimin Evropian. Është themelore të përfundohet puna e mirë e bërë nga komisioni parlamentar ad-hoc për reformën zgjedhore. Shqipëria duhet t’i përmbahet reformës së Kodit Zgjedhor duke u përqendruar në plotësimin e rekomandimeve të Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut. Kjo duhet të vihet në jetë para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Së dyti, Parlamenti është një institucion kyç në të gjitha vendet evropiane. Puna e tij, bazuar në dialogun konstruktiv dhe respektin ndaj institucioneve, është themeli i funksionimit të demokracive. Jam shumë i lumtur që jam sot dëshmitar se parlamenti shqiptar është bërë sërish vendi ku qeveria dhe opozita kontribuojnë në mënyrë të barabartë në hartimin e ligjeve dhe në debatin politik. Ky qëndrim konstruktiv është themelor për:
a) arritjen e marrëveshjes për reformat e duhura;
b) mbikëqyrjen e duhur të legjislacionit në fusha të tjera kyçe;
c) verifikimin që reformat zbatohen siç është vendosur dhe pa vonesë.

Shpresoj sinqerisht se do të arrini ta ruani këtë atmosferë konstruktive për zhvillimin e qetë të zgjedhjeve presidenciale. Zgjedhjet duhet të përputhen me përmbajtjen dhe frymën e Kushtetutës, përfshirë zgjedhjen e një kandidati që përfaqëson unitetin kombëtar. Kjo do të krijojë mundësinë për të demonstruar funksionimin e mirë të institucioneve demokratike në Shqipëri.

Së treti, e drejta ligjore e forte, përfshirë një sistem gjyqësor të pavarur, efikas dhe të përgjegjshëm, është identifikuar si sfida kryesore për vendet që shkojnë drejt anëtarësisë në Bashkimin Evropian. Nuk ka kohë për të humbur dhe Shqipëria duhet të fokusohet në dhënien e  rezultateve konkrete veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe  krimit të organizuar.

Vetëm në këtë mënyrë mund të largojë perceptimet negative mbi funksionimin e sistemit gjyqësor dhe respektin për të drejtën ligjore. Në këtë kontekst, është gjithashtu themelore të hidhet dritë mbi ngjarjet e 21 janarit 2011 përmes një procesi gjyqësor të besueshëm dhe të lirë nga ndërhyrjet politike.

Lufta kundër korrupsionit është gjithashtu një sfidë kyçe për të drejtën ligjore. Korrupsioni është një problem serioz që prek:
- jetën e përditshme të qytetarëve,
- ka ndikim negativ mbi mjedisin e biznesit,
- shkurajon investimet, dhe
- mund t’i shkaktojë dëme serioze buxhetit kombëtar.

Një element me rëndësi në luftën kundër korrupsionit është kufizimi apo heqja e imuniteteve për anëtarët e Parlamentit, zyrtarët e nivelit të lartë dhe gjykatësit në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Vë re me kënaqësi se i jeni afruar një konsensusi politik për trajtimin e kësaj çështjeje dhe dëshiroj t’ju nxis të bëni përpara më shpejt me qëllim që të arrini rezultate në këtë fushë me rëndësi.

Por heqja e imuniteteve nuk mjafton. Nxitja e bashkëpunimit ndërinstitucional, përfshirë atë mes Prokurorisë dhe policisë, do të jetë themelore për zhvillimin e klimës së nevojshme të zerotolerancës kundër korrupsionit, ku askush nuk është mbi ligjin.

Kjo nuk ka rëndësi vetëm për integrimin evropian, por edhe për forcimin e besimit të qytetarëve shqiptarë në sistemin politik dhe gjyqësor.

Së fundi, respekti për të drejtat e njeriut është një vlerë themelore e Bashkimit Evropian. Vendet që aspirojnë për anëtarësi në Bashkimin Evropian duhet të demonstrojnë një standard të lartë në këtë fushë, përfshirë të drejtat e njerëzve vulnerabël (romët, lesbiket, gejtë, transgjinorët dhe biseksualët, njerëzit me aftësi të kufizuara, etj.). Që kjo të arrihet, duhet që autoritetet të sigurojnë kuadrin e duhur ligjor. Gjithashtu duhet ndryshuar qëndrimi dhe mendësia e shoqërisë drejt një klime të një respekti më të madh për qeniet njerëzore, pavarësisht  origjinës së tyre etnike, besimeve fetare apo orientimit seksual.


Duke pasur parasysh gjithë këto sfida, futja në Bashkimin Evropian nuk do të jetë një punë e lehtë. Vendeve aspirante u duhet të punojnë shumë për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Pikë së pari atyre u duhet të sigurojnë respektin për demokracinë, të drejtat themelore dhe të drejtën ligjore. Por atyre u duhet gjithashtu të kenë edhe një administratë publike që funksionon mirë, të aftë të merret me legjislacionin e shumtë të Bashkimit Evropian, që përfshin rregulla që nga bujqësia, peshkimi, mjedisi e energjia deri te politikat konkurruese.

Dhe le të mos harrojmë nevojën për një ekonomi tregu funksionale, të mbështetur nga e drejta ligjore e fortë dhe e aftë t’i bëjë ballë presionit të konkurrencës.

Por gjithashtu, le të mos harrojmë përfitimet që vijnë me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Eksperiencat e kaluara na tregojnë se zgjerimi ka kontribuar për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e vendeve anëtare. Dhe reformat që duhet të ndërmarrë një vend në procesin e  integrimit në Bashkimin Evropian janë investime për përmirësimin e jetës së qytetarëve të tij. Për shembull:
- konsolidimi i së drejtës ligjore dhe respekti për të drejtat e njeriut;
- arritja e progresit drejt një  sistemi gjyqësor më efikas, të pavarur dhe të përgjegjshëm,
- rritja e standardeve të sigurisë së ushqimit,
- përmirësimi i mjedisit,
të gjitha këto do të sjellin përfitime të prekshme për shoqërinë shqiptare.

Si përfundim: ne jemi të vendosur të vazhdojmë angazhimin tonë me Shqipërinë. Zgjerimi duhet parë si një përpjekje e përbashkët për të përparuar së bashku dhe si një proces me përfitim për vendin, por edhe për Bashkimin Evropian.  Kandidatët nuk janë vetëm në këtë përpjekje, Komisioni qëndron përkrah tyre për t’i ndihmuar.

Dëshiroj të përsëris se kam besim të madh në aftësinë e Shqipërisë për arritjen e progresit të duhur për të bërë përpara drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit përmes marrjes së statusit të vendit kandidat.

Viti 2012 shënjon 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Por mund të jetë edhe viti kur Shqipëria të bëjë një hap të rëndësishëm drejt integrimit të saj evropian – në përputhje me dëshirat e shumicës së popullit shqiptar.
Ju lutem bëjeni realitet këtë mundësi. Në të mirë të Shqipërisë, në të mirë të rajonit tuaj, dhe në të mirë të vetë Bashkimit Evropian. Ju lutem konsiderojeni këtë deklaratë si rikonfirmim të angazhimit tim personal dhe të pasionuar ndaj qytetarëve të Shqipërisë.

Faleminderit.