€71.7 milion nga BE-ja, Gjermania dhe Zvicra për sistemet e ujit të pijshëm dhe ujërave të zeza në Fier, Sarandë, Lushnjë, Lezhë, Berat, Kuçovë, Kamzë dhe Korçë (21/03/2012)

Tiranë, 20 mars 2012


NJOFTIM PËR MEDIAN

€71.7 milion nga BE-ja, Gjermania dhe Zvicra për sistemet e ujit të pijshëm dhe ujërave të zeza në Fier, Sarandë, Lushnjë, Lezhë, Berat, Kuçovë, Kamzë dhe Korçë
Pesë marrëveshje financimi dhe kredie u nënshkruan sot me Ministrinë shqiptare të Financave, Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, si dhe me autoritetet e Ujësjellës-Kanalizimeve Fier, Sarandë, Lushnjë, Berat, Kuçovë, Kamzë dhe Korçë për të përmirësuar jetët e qytetarëve të këtyre qyteteve duke sjellë rregullsi dhe cilësi në furnizimin me ujë të pijshëm, dhe duke siguruar mbledhjen e ujërave të zeza. Marrëveshjet, të financuara bashkërisht nga BE, qeveria gjermane dhe Zvicra do të zbatohen nga Grupit gjerman KfË Bankës. Shuma e përgjithshme e marrëveshjeve është €71.700.000, dhe përfshin një grant prej € 25.5 milion nga BE.

Menaxhimi i ujit është i një rëndësie themelore për cilësinë e jetës së qytetarëve pasi ndikon drejtpërdrejtë në shëndetin publik, bujqësinë dhe aktivitetin ekonomik. Sistemet e ujërave dhe kanalizimeve në Shqipëri nuk e kanë mbajtur ritmin e modernizimit dhe ndryshimeve demografike. Aktualisht, rrjeti i furnizimit me ujë të pijshëm mbetet kryesisht i vjetëruar dhe nuk mirëmbahet siç duhet, ndërsa trajtimi i ujërave të zeza është i kufizuar me vetëm dy impiantet operative të trajtimit të ujërave të zeza në vend, në Pogradec dhe Kavajë. Katër impiante të reja kanë përfunduar, por ende nuk janë funksionalë (Vlorë, Sarandë, Durrës dhe Lezhë). Gjithashtu, siç vuri në dukje dhe Raporti i Progresit 2011, ende nuk ka një plan për të identifikuar zonat e ndjeshme dhe për të vlerësuar cilësinë e ujit në këto zona, duke përfshirë cilësinë e ujërave të zeza që shkarkohen nga ndërmarrjet industriale, Ligji i Ujit ende nuk është miratuar dhe kuadri ligjor për sektorin e ujit ende nuk përmbush standardet e BE-së. Nëpërmjet këtyre marrëveshjeve, BE dhe qeveritë gjermane dhe zvicerane janë duke ndihmuar Shqipërinë për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me ujë dhe ujë të pijshëm për qytetet e mesme në Shqipëri, dhe për të mundësuar vendosjen e tarifave për këtë shërbim që jo vetëm mbulojnë kostot operative por që janë edhe të përballueshme nga qytetarët. Marrëveshjet i hapin rrugën ndërtimit të rrjetit të shpërndarjes dhe të një impiant të ri të trajtimit të ujit në Kamzë, rehabilitimit dhe zgjerimit të rrjeteve të furnizimit me ujë, ndërtimit dhe rehabilitimit të rezervuareve, instalimit të matësave të ujit; dhe rehabilitimit dhe pakësimit të ujërave të zeza.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Shefi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi vuri në dukje rëndësinë e këtyre marrëveshjeve për standarde më të mira jetese në Shqipëri dhe turizëm më të mirë. Ai theksoi se "punët që do të kryhen në bazë të këtyre marrëveshjeve janë të mëdha dhe përfundimi i tyre do të zgjasë deri në 2015. Këto vepra nuk do të përbëjnë përparim të mjaftueshëm për këtë periudhë. Ne kemi besim se ndërkohë që kryhen këto punime, Shqipëria do t’i japë më shumë rëndësi përmirësimit të menaxhimit të ujërave në axhendën e politikave publike, si në nivel qendror dhe lokal. Mosdhënia e rëndësisë së duhur çështjes së menaxhimit të ujërave vetëm rrit kostot e rehabilitimit në të ardhmen”.

Ambasadorja gjermane në Shqipëri Carola Müller –Holtkemper theksoi se “projekti për të cilin po nënshkruajmë këto marrëveshje jo vetëm që do të përmirësojë furnizimin me ujë dhe sistemin e rrjetit të kanalizimeve në shuë bashki të Shqipërisë; por edhe do të mbështesë shërbimet lokale duke përmirësuar performancën e tyre financiare dhe teknike”.


Bashkimi Evropian ka ndihmuar zhvillimin e Shqipërisë dhe procesin e integrimit në BE që nga viti 1991 përmes granteve me një vlerë totale prej € 1.4 miliardë, që i janë dhënë Shqipërisë për mbulimin e nevojave të ndryshme si infrastruktura, uji, bujqësia, drejtësia, rendi dhe policia, sundimi i ligjit dhe administrata publike dhe shumë të tjera. Sektori i ujit është i një rëndësie të veçantë për mbrojtjen e mjedisit, shëndetit të qytetarëve, dhe për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të të gjithë sektorëve ekonomikë, përfshirë edhe turizmin. Gjatë 5 viteve të fundit, grantet e BE-së për sektorin e ujit kapin shifrën 82,4 milion euro.

Sektori i furnizimit me ujë dhe i kanalizimeve është në fokus të Bashkëpunimit Financiar gjerman me Shqipërinë dhe Gjermania ka alokuar më shumë se €271 milionë për këtë sektor që nga viti 1988, kur edhe filloi bashkëpunimi gjerman me Shqipërinë.

For further information, please contact:

Ms Artes BUTKA
Press & Information Officer
Tel: + 355 4 2228 320, + 355 42 228 479
Fax: + 355 4 230 752
E-mail: artes.butka@eeas.europa.eu
Delegation's website: www.delalb.ec.europa.eu