THIS CONTENT HAS BEEN ARCHIVED

TAKIMI I 11-të I MINISTRAVE TË BUJQËSISË TË SHTETEVE ANËTARE TË CIHEAM, fjalim nga Ambasadorja e BE-së, znj Romana Vlahutin

23.09.2016
Text

Shkëlqesi,

Të dashur ministra, të dashur kolegë,

Dëshiroj t’ju falënderoj me gjithë zemër në emër të znj. Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë për Çështjet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, për ftesën tuaj në takimin e 11-të të Ministrave të Bujqësisë së Shteteve Anëtare të CIHEAM.

Jam shumë e lumtur që kam mundësinë t’ju drejtohem këtu në Tiranë. Shpresoj sinqerisht se përveç takimit, do të keni edhe një mundësi të kaloni pak kohë në qytet dhe në Shqipëri, të gëzoni bukurinë e vendit dhe të shijoni produktet e shijshme bujqësore vendore.

Në këtë fjalim të shkurtër hyrës do të desha të flisja shkurtimisht për migrimin ekonomik dhe për lidhjen e tij me sektorin bujqësor.

Për fat të keq, në shumë vende pothuaj të gjitha zonat rurale janë ende më të varfrat, me më pak vende pune të disponueshme, me pagat më të ulëta dhe me mungesë asetesh, përfshirë tokë bujqësore të mjaftueshme. Veç kësaj, infrastruktura, strehimi, mundësitë për arsim dhe kujdes shëndetësor janë në një nivel të ndryshëm krahasuar me ato në qytete. Njerëzit kërkojnë mundësi më të mira dhe largohen. 

Vetëm nga janari deri në fillim të shtatorit të këtij viti më shumë 120 000 njerëz kanë mbërritur në Itali përmes asaj që është tashmë rruga kryesore transite e migrimit të parregullt drejt Evropës – rruga qendrore mesdhetare. Po t’i shohim më nga afër shifrat, do të vërejmë se mes dhjetë kombësive kryesore të atyre që kanë zbarkuar në brigjet italiane ka pasur 7000 veta nga Bregu i Fildishtë dhe 4800 nga Senegali. Shumica e këtyre migrantëve nuk i largohen një konflikti, por kërkojnë mundësi ekonomike.

Një numër shumë i konsiderueshëm i këtyre njerëzve vjen nga vende ku pjesa më e madhe e popullsisë jeton në zona rurale dhe jetesa e të cilëve varet shumë nga bujqësia. Nëse sektori bujqësor në rajonet e tyre nuk arrin t’u sigurojë nevojat bazë apo t’u ofrojë atyre një punë dhe jetë të mirë, probabiliteti që ata të largohen do të rritet në mënyrë eksponenciale.    

Migrim tjetër është ai nga fshatrat në qytete. Qytetet mund t’i duken më tërheqëse brezit të ri me mundësitë e tyre më të mira për punë, me universitete, si dhe me veprimtari kulturore dhe sociale.

Rrjedhimisht, procesi i shpopullimit të zonave rural po çon në një përkeqësim të mëtejshëm të kushteve të jetesës në to.

Ja pse bujqësia, dhe veçanërisht politika e zhvillimit rural, nuk duhet të synojë thjesht mbajtjen e popullsisë, por nxitjen e zhvillimit ekonomik, si dhe të punësimit dhe të të ardhurave të qëndrueshme, ndërsa ruan pasuritë natyrore dhe shoqërore të zonave rurale.

Jam e lumtur që sot kemi përfaqësues nga disa prej shteteve të Bashkimit Evropian me traditat më të fuqishme në sektorin bujqësor, si dhe vende kandidate të pranishme për të ndarë njohuritë dhe zgjedhjet e politikes së përbashkët bujqësore të BE-së. Unë besoj se ju do të analizoni në diskutime edhe sesi mund të përdoret zhvillimi rural për të:

  • promovuar konkurrencën vendore,
  • mbrojtur dhe përmirësuar burimet natyrore,
  • futur stimuj ekonomikë për përmirësimin e shërbimeve në zonat rurale, si shkollimi dhe kujdesi shëndetësor, si dhe përdorimin e teknologjisë së informacionit për përparimin e këtij sektori.

Dhe meqë sot jemi mbledhur në Shqipëri, unë jam e lumtur t’ju them se Shqipëria si vend kandidat do të marrë 71 milionë Euro në kuadrin e IPARD gjatë periudhës 2016-2020. Sesa i rëndësishëm është për vendin sektori bujqësor mund të përshkruhet më mirë me dy shifra – bujqësia zë pothuaj 50 % të punësimit dhe 20% të PBB-së së vendit. Ne besojmë fort se ky financim jo vetëm që do ta mbështesë sektorin bujqësor, por edhe do të kontribuojë për zhvillimin e rajoneve rurale në vend, do t’u japë më shumë shanse të rinjve për ta parë të ardhmen e tyre në vendet ku kanë lindur, si dhe do të nxisë zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë shqiptare.

Ky është synimi ynë përfundimtar – të krijomë zhvillim të qëndrueshëm në dobi të cilësisë së jetës së çdo qytetari. Ju uroj shumë sukses në diskutimet tuaja.

Kategoria
Remarks
Location

Tirana

Editorial sections
Albania