Zhbogar dhe Çollaku u takuan me përfituesit e granteve, të përzgjedhur së fundi në kuadër të raundit të 10-të të skemës sonë të bursave “Celula e të rinjve” (07/06/2016)

Adresimi i Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesit Special të BE-së, Samuel Zhbogar, për përfituesit e përzgjedhur të granteve në kuadër të raundit të 10-të të skemës sonë për bursa “Celula e të rinjve”.

I nderuari Ministër Çollaku,

Të nderuar përfitues të granteve,

Të nderuar përfaqësues të Bordit të ish-studentëve të skemës “Celula e të rinjve”,

Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi e veçantë për mua që të jem sot këtu bashkë me ju, me rastin e mirëseardhjes së përfituesve të granteve, të përzgjedhur së fundi në kuadër të raundit të 10-të të skemës së bursave “Celula e të rinjve”.

Vetëm për sqarim, Skema “Celula e  të rinjve” është një program i BE-së për bursa për studime post-diplomike për Kosovën, me qëllim që të kontribuojë në krijimin e një administrate publike efikase, efektive dhe transparente në Kosovë në të gjitha nivelet.

Një rekord prej 450 studentësh, që është shifra më e madhe deri më tash, kanë aplikuar për Programin 2016-2017. Prej këtij numri, 251 janë femra dhe 25 janë anëtarë të minoriteteve. I falënderoj të gjithë për interesimin e tyre.

Ne patëm mundësinë t’i japim 38 bursa këtë vit. Do të doja t’i përgëzoj të gjithë përfituesit e rinj të granteve që janë përzgjedhur dhe të cilët do të fillojnë studimet Master në universitete të ndryshme të BE-së në vitin e ardhshëm shkollor.

Ju të gjithë i jeni nënshtruar një procesi përzgjedhjeje shumë të vështirë dhe konkurrues për të arritur deri këtu – kolegët që kanë marrë pjesë në këtë proces më kanë treguar se ju keni dëshmuar një nivel diturie, inteligjence dhe aftësi retorike mbresëlënëse – të cilat besoj se ju bëjnë kandidatë të fortë për programe Master në Evropë.

Të shpërblyerit me bursë është një arritje e madhe personale, mirëpo në të njëjtën kohë ju edhe do bëheni një pasuri e rëndësishme e Kosovës. Në vitet e ardhshme, administrata publike e Kosovës do t’i nënshtrohet reformave të rëndësishme, proces ky të cilin do të mund ta shihni me t’u kthyer në Kosovë.

Kjo është e rëndësishme veçanërisht në kontekst të përafrimit të legjislacionit të Kosovës me acquis e BE-së dhe Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim.

Jam i sigurt se ju jeni të emocionuar se si do të kontribuoni në të ardhmen evropiane të Kosovës, ashtu siç jeni tani me bursën dhe shtegun tuaj të mëtutjeshëm akademik që keni para.

Skema e “Celulës së të rinjve” ka qenë një prej programeve tona më të gjata në Kosovë dhe siç tha edhe Ministri, një prej programeve më të suksesshme dhe ai me të cilin jemi vecanërisht krenar. Ky program ishte nisur suksesshëm në vitin 2004, derisa raundi aktual tashmë është i 10-ti me radhë. Fituesit e sapo-shpërblyer me bursa, të cilët do të vazhdojnë me studimet e tyre në fusha të ndryshme të drejtësisë, administratës publike dhe ekonomisë, me të përfunduar programet e tyre Master do t’i bashkohen familjes prej 250 ish-studentëve të skemës “Celula e të rinjve” nga nëntë raundet e mëparshme.

Skema e “Celulës së të rinjve” u ofron atyre punësim në administratën publike në Kosovë me t’u kthyer nga studimet. Mirëpo, kjo nuk është vetëm bursë dhe punë, kjo tregon sesi kontribuon BE-ja në krijimin e një shërbimi civil shumë profesional dhe të kualifikuar në Kosovë, i cili do të mund të punojë për njerëzit e tij dhe t’i përgjigjet sfidave të konsiderueshme që kanë të gjitha administratat publike moderne.

Siç tha Ministri, ne kemi një regjistër të jashtëzakonshëm gjurmimi të studentëve të skemës “Celula e të rinjve” nga nëntë raundet e kaluara  – disa prej të cilëve ia dolën edhe në pozita të zyrtarëve të lartë, drejtorëve, sekretarëve të përgjithshëm, anëtarëve të kabineteve dhe madje edhe një Ministër – të cilët janë pra tashmë të përfshirë në proceset evropiane drejtuese të Kosovës.

Një risi në këtë raund të skemës së celulës së të rinjve ka qenë edhe paraqitja e një skeme pilot për shërbyesit civilë ekzistues. Bashkë me autoritetet e Kosovës, ne kemi konsideruar se është e rëndësishme që të zhvillohen më tej kapacitetet e administratës publike ekzistuese. Dy prej fituesve të granteve që do të fillojnë studimet Master këtë vit vijnë nga administrata publike, dhe unë kam besim se kombinimi i ekspertizës së tyre profesionale dhe njohurisë akademike të sapo-fituar do të kenë një vlerë të veçantë për Kosovën.

Zonja dhe zotërinj,

Siç është theksuar në një numër rastesh përpara, reforma e administratës publike është një prioritet kryesor si për BE-në ashtu edhe për Qeverinë e Kosovës.

Mbështetja jonë e vazhdueshme për skemën “Celula e të rinjve” korrespondon me rëndësinë që BE ia jep nevojës për reformim të vazhdueshëm të administratës publike, siç edhe theksohet në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Do të dëshiroja të falënderoj Ministrinë e Integrimeve Evropiane për një mbështetje të vazhdueshme dhe për rolin e saj aktiv në këtë program ndër vite. E di që shumë prej kolegëve tuaj në Ministri kanë qenë vetë përfitues të granteve të Celulës së të rinjve dhe prandaj ju jeni në dijeni të plotë me vlerën që i shtohet Kosovës me këtë skemë. Kjo është arsyeja pse do të dëshiroja të inkurajoj Ministrinë e Integrimeve Evropiane si dhe Ministrinë e Administratës Publike që të mbeten të angazhuara për integrimin e këtyre përfituesve të granteve të këtij viti në administratën publike të Kosovës, menjëherë pas kthimit të tyre nga jashtë.

Falënderime të veçanta shkojnë po ashtu për Bordin e ish-studentëve të skemës “Celula e të rinjve”, për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në promovimin e skemës Celula e të rinjve, për ndarjen e njohurive dhe përvojave të tyre me kandidatët dhe me përfituesit e granteve si dhe për faktin që kanë shërbyer si shembuj të shkëlqyeshëm për të treguar si të kontribuohet në të ardhmen evropiane të Kosovës në kuadër të shërbimit civil.

Më lejoni po ashtu që të shfrytëzoj këtë rast që të falënderoj Këshillin Britanik për lehtësimin e suksesshëm dhe shumë profesional të këtij programi dhe për mbajtjen e raporteve të shkëlqyeshme me një rrjet të gjerë universitetesh evropiane, i cili ndër vite ka vlerësuar rëndësinë e këtij programi për Kosovën.

U dëshiroj fituesve të granteve gjithë të mirat në arritjet e tyre akademike, si dhe në karrierën profesionale kur të kthehen në Kosovë. Shpresoj që viti i ardhshëm shkollor do t’ju sjell shumë gëzime dhe shpresoj që do të kënaqeni. Ne të gjithë mund të ndihmojmë që Kosova të bëhet një vend që dëshirojmë ta kemi.

Paçi fat dhe ju faleminderit për vëmendjen.