Fondi për zhvillim

Hyrje

Fondi për Zhvillim për komunat veriore të Kosovës është krijuar si rezultat i Dialogut të lehtësuar nga BE në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Konkluzionet e arritura në takimin e Grupit Punues për Dogana, të mbajtur më 17 janar 2013 në Bruksel, në kontekst të zbatimit të këtij Dialogu, kanë vlerësuar se të hyrat e mbledhura në pikat kufitare të Portës 1 Jarinje dhe Portës 31 Bërnjak do të krijonin bazën për të hyrat e Fondit për Zhvillim.

Ky fond është krijuar me qëllim të mbështetjes së zhvillimit socio-ekonomik në katër komunat veriore: Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zubin Potok dhe Zveçan. Paratë janë publike; pagimi dhe shpenzim i tyre bëhet sipas ligjit të Kosovës.

Funksionimi i këtij fondi vendoset nga Bordi Menaxhues, i cili përbëhet nga Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, si Kryesues i këtij Bordi, nga Ministri i Financave të Kosovës, në emër të autoriteteve kosovare dhe nga një përfaqësues i komunitetit serb në këto katër komuna.

Secila komunë inkurajohet që të dorëzojë propozimet për projekte të cilat do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetesës së qytetarëve të tyre. Kjo mund të përfshijë mirëmbajtjen dhe ndërtimin e shkollave, spitaleve ose rrugëve, mirëpo edhe projekte afariste dhe sociale që kanë si cak sektorët specifikë, si: NVM-të, prodhuesit bujqësorë, gratë, fëmijët dhe minoritetet.

Të hyrat

Të hyrat nga të dyja këto pika kufitare barten në një llogari që hapet në një bankë komerciale në Prishtinë, e caktuar nga BE-ja.

Që nga 1 marsi 2016, ky fond ka mbledhur më shumë se 8.3 milion euro. Deri më sot, Bordi Menaxhues ka aprovuar 13 projekte të ndryshme në vlerë prej 6.4 milion euro. Këto projekte tani janë në fazën e implementimit. Një numër projektesh po përgatiten për dorëzim tek Bordi Menaxhues.

Fondet e mbledhura deri më
1 mars 2016

Numri i projekteve të aprovuara

Gjithsej shuma e parave të alokuara deri më 1 mars 2016

8.3 milion €

13

6.4 milion €

msw12 - 61 KB [61 KB] Srpski (sr) Përmbledhje e Fondit Zhvillimor për komunat veriore deri më 23 gusht 2016 pdf - 497 KB [497 KB] English (en)

 

Llojet e projekteve të financuara

Ky fond favorizon projektet e investimeve publike, të cilat do të kenë ndikim në zhvillimet socio-ekonomike të komunave veriore.

Në mënyrë specifike, projektet që propozohen duhet të kenë për qëllim përmirësimin e jetesës së popullsisë lokale, duhet të jenë financiarisht të zbatueshme, kosto efektive, përgjegjëse në aspektin mjedisor dhe të qëndrueshme.

Ato mund të ndërlidhen me ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës publike, përfshirë rrugët, spitalet, ujësjellësin, trajtimin e ujërave të ndotura dhe menaxhimin e mbeturinave; mbështetje për biznesin, fermerët dhe shoqërinë civile; promovimin e të drejtave të njeriut, arsimin, qasjen në kujdes shëndetësor dhe transportimin.

U dakordua që ky fond mund të bashkëfinancohet edhe me projektet e financuara nga BE-ja ose donatorët e tjerë me të cilët ka marrëveshje bashkëpunimi Qeveria e Kosovës.

Roli i Bordit Menaxhues

Operimi i këtij fondi vendoset nga Bordi Menaxhues. Ai përbëhet prej tre anëtarësh: Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë si Kryesues, Ministri i Financave në emër të autoriteteve kosovare dhe një përfaqësues i komunitetit serb nga katër komunat veriore.

Bordi Menaxhues kishte mbajtur takimin e tij të parë në dhjetor 2013. Që atëherë, ai është takuar rregullisht për të vendosur për mënyrën e pagesës së fondeve pas dorëzimit të projekteve nga kryetarët e komunave veriore.

Përbërja e Bordit Menaxhues

Nataliya Apostolov

Përfaqësuese e Posaçme e BE-së

Kryesuese

Avdullah Hoti

Ministër i Financave në Kosovë

Anëtar

Danijela Zubac

Përfaqësues i komunitetit serb

Anëtar

Përgjegjësia për implementimin e projektit

Implementimi i projekteve bëhet nga katër komunat, të cilat obligohen të respektojnë procedurat e prokurimit publik për implementimin e projekteve në pajtim me rregullat dhe procedurat e zbatueshme. Për secilin projekt, komuna përkatëse duhet të dorëzojë një raport përfundimtar si dhe një raport auditimi tek Bordi Menaxhues.